Fundi i races se tiraneve te shekullit te 20

Fundi i races se tiraneve te shekullit te 20
Ai e quante veten mbret të mbretërve, por tani ka vdekur. Për të gjithë ata që kanë një ndjenjë drejtësi brenda vetes, është e drejtë që të mendojnë se bota është më e mirë, tani që kolonel Gedafi nuk është më.

Sot, mbështetësi i IRA-s, Brigadave të Kuqe dhe “Baader-Meinhof Group”, despoti libian, ka sponsorizuar masakra, madje shumë më parë se të vinin në jetë disa nga kundërshtarët e tij. Askush nuk mund ta imagjinojë që për njeriun që ka kryer kaq shumë vrasje, akte terroriste apo fatkeqësi, dikush të derdhë lot.

Regjimi i Gedafit zgjati për 42 vjet me radhë. Kur ai erdhi në fuqi për herë të parë, pasi përmbysi mbretin libian, Idriz në një grusht ushtarak, “Beatles”, për shembull, vazhdonin që të ishin një grup i vetëm dhe të jepnin koncerte nëpër botë. Por pas katër dekadash të pushtetit të tij, libianëve nuk u kanë mbetur për të veçse kujtimet e këqija. Në librat e historisë, emri i Gedafit do të renditet së bashku me emrat e atyre që kanë dhunuar në masë kombet e tyre dhe kombet e tjera me Mao Ce Dunin, Idi Amin dhe Sadam Huseinin. Këta njerëz, në fakt, pretenduan deri në fund se ishin “drita” e popullit të tyre, liderët që u dhanë njerëzve të kombit të tyre begati dhe liri, por në fakt, në të vërtetë, ata do të mbahen mend në jetë të jetëve si kasapë të vendit të tyre. Historia do ta përmendë gjithashtu kolonelin egoist edhe si një nga anëtarët e një race liderësh që është në zhdukje e sipër. Me daljen e tij nga skena e historisë, është duke shkuar drejt zhdukjes edhe raca e diktatorëve që morën pushtetin në botë në vitet ‘60 apo ‘70, diktatorë që e mbajtën pushtetin për një kohë shumë të gjatë me dhunë dhe gjak. Edhe pse një pjesë nuk janë më, të tjerë ende po kalojnë çastet e fundit.

Në Zimbabve, Mugabe dhe regjimi i tij i tmerrshëm mezi po ekzistojnë dhe pritet që situata të shembet nga dita në ditë. Në Korenë e Veriut i çuditshmi dhe gjithashtu i pamëshirshmi Kim Jong Il është i përfshirë në njëfarë ndryshimi. Edhe në Bjellorusinë e harruar dhe të vogël, Lukashenko, diktatori që i shtyp kundërshtarët e vet politikë edhe sot e kësaj dite me grusht të fortë, po kalon ditë aspak të mira dhe sipas të gjitha gjasave, ditët e agonisë së pushtetit. E megjithatë bota është e mbushur me regjime shtypëse, diktatoriale të një forme, apo të një tjetre. Por grushtet ushtarake janë gjithnjë e më të rralla dhe një kolonel me syze të zeza, që të sundojë për 40 vjet, ka gjithnjë e më pak shanse. Në pjesën më të madhe të shekullit të kaluar, pra të sekullit të 20, ishte diktatura dhe jo demokracia sundimi mbizotërues në shumicën e vendeve të botës dhe demokracia nuk është konsideruar kurrë një model për të ardhmen.

Gjatë viteve 20, për shembull, ishte Benito Musolini fashisti famëkeq italian, ai që dukej si njeriu dinamik i së ardhmes. Një dhjetëvjeçar më pas, ka pasur shumë intelektualë ndërkombëtarë që u tërhoqën nga figura e Stalinit, ose “njeriut të çeliktë” që me politikat e tij çnjerëzore, mori jetën e të paktën 10 milionë njerëzve. Në vitet ‘60, studentët e krahut të majtë idealizuan edhe vetë Mao Ce Dunin, regjimi tiranik i të cilit vrau rreth 70 milionë kinezë, pra më shumë nga popullsia aktuale britanike. Diktatura ishte një normë në botën komuniste. Pavarësisht retorikës së ashpër për “demokracinë popullore” disa diktatorë dhe liderë komunistë si rumuni Nikolae Çaushesku i Rumanisë dhe Enver Hoxha i Shqipërisë arritën që të qëndronin në pushtet për një kohë shumë të gjatë për dhjetëvjeçarë të tërë. Edhe pse pjesa më e madhe e diktatorëve ishin disa burokratë, pa ndonjë tipar të veçantë dhe dallues, të tjerë, përkundrazi, kishin shumë tipare dalluese dhe ngjyra të tilla. Paranojaku Enver Hoxha, për shembull, e betonizoi vendin e tij, me një rrjet shumë të madh bunkerësh që kishin edhe një kosto shumë të madhe, vetëm e vetëm se i druhej një sulmi të mundshëm nga armiku i jashtëm, që po sipas tij, e kishte Shqipërinë “halë në sy”. Ndërkohë duhet thënë se për hir të së vërtetës, shumë perëndimorë as që e dinin se Shqipëria ekzistonte.

Por për të gjetur diktatorë vërtet të çuditshëm dhe me huqe të jashtëzakonshme duhet që të vizitosh diktatorët e vendeve të ashtuquajtura të botës së tretë, ku tërheqja e perandorive europiane la një vakum të madh në pushtet. Me institucionet e tyre politike gjysmë të formuara dhe gjysmë kaotike dhe pa një histori të demokracisë, shumë vende që ishin të zhvilluara ranë viktimë e grushteve ushtarake. Disa nga diktatorët e rinj ushtarakë, si për shembull koloneli karizmatik Naser i Egjiptit, ishin relativisht me mend në kokë dhe bënë shumë përmirësime për njerëzit dhe popujt e tyre. Por për fat të keq, Naser ishte një përjashtim dhe jo rregulli. Të dëshpëruar për të kopjuar dhe disa herë edhe për të tejkaluar Hitlerin dhe Napoleonin, ata tronditën dhe çuditën botën me uniformat e tyre absurde, që ishin të mbushura zakonisht me dhjetëra medalje për meritat që u njihnin vetes, si dhe duke u vjedhur popujve të tyre miliarda dollarë. Në Haiti, për shembull, Duvalier “Papa Doc” e shtypi aq shumë popullin e vet të dërmuar, sa tentoi madje që jo vetëm t’ua hiqte çdo besim te Zoti, por edhe të shpikte një tjetër Zot, në të cilin ata të besonin. Ai madje i rishkroi lutjet e Zotit, duke vënë në vend të emrit Zot, emrin e tij. Ja si fillonte lutja në variantin e ri: “O Duvalieri ynë, ti je Pallati Kombëtar për jetën”. Ai vishej shumë çuditshëm dhe shpesh pëlqente ngjyrën e zezë, mbante një kapele të madhe të zezë dhe syze të zeza. Por nuk kishte asgjë qesharake në fakt me regjimin e tij, sepse jashtë pallatit të artë ku ai me familjen e tij jetonin në një pasuri dhe bollëk të shfrenuar, policia dhe banditët vrisnin, përdhunonin, masakronin.

Më pas kemi Jean-bedel Bokassa-n, një oficer ushtarak që mori pushtetin në Republikën Qendrore të Afrikës në vitin 1966 dhe sundoi për 13 vjet, falë pjesërisht edhe ndihmës që merrte nga Kolonel Gedafi. Bokassa fillimisht dukej shumë i arsyeshëm dhe me mend në kokë. Por në dhjetor të vitit 1976 ai befas njoftoi se do t’ia ndryshonte emrin vendit të tij, që ishte ndër më të varfrit në botë, duke e quajtur Perandoria e Afrikës Qendrore. Duke e kurorëzuar veten si perandor, Bokassa I, shpenzoi një të tretën e buxhetit vjetor të vendit për organizimin e ceremonisë shumë luksoze të kurorëzimit të tij. Dhe në këtë ceremoni doli i veshur si Napoleoni. Madje fëmijët e shkollave duhet që të visheshin me uniforma të cilat pasqyronin imazhe të fytyrës së tij, ndërkohë që po atë ditë u torturuan dhe u vranë shumë disidentë.

Një tjetër monstër e neveritshme ishte Idi Amin, i cili udhëhoqi Ugandën për tetë vjet pas vitit 1971. Amin ishte në fakt një krijim i britanikëve, sepse në ushtrinë britanike kishte pasur gradën më të lartë që kishte mbajtur deri atëherë një oficer i zi. Fillimisht grushti i tij i shtetit kundër liderit autoritar Milton Obote u mirëprit, por shumë shpejt ai u shndërrua në një tiran që infektoi edhe shumë diktatorë të tjerë. Pasi spastroi gjithë shtresën e mesme të Ugandës që kishte prejardhje aziatike, Amin e quajti veten Mbreti i Skocisë dhe u vesh si malësor anglez, edhe pse moti afrikan ishte zhuritës. Si shumë diktatorë të botës së tretë Amin ishte i obsesionuar me padronët kolonialë. Në vitin 1977, ai i dha vetes shumë tituj që në fakt i përkisnin Perëndimit. Të huajt shpesh e shihnin si një figurë komike, por në fakt, ai ishte i zi nga fillimi deri në fund. Vetëm një shifër mjafton që të vërtetojë këtë. Kur ai iku nga pushteti, në vitin 1979, kishte vrarë mbi gjysmë milion njerëz dhe vendi i tij ishte në një gjendje katastrofike ekonomike. Ky njeri mund të konsiderohet si një nga më gjakësorët e të gjitha kohërave.

Dikush me të drejtë mund të pyesë se si ka mundësi që këta monstra e kanë mbajtur pushtetin për një kohë kaq të gjatë? E vërteta është se ata ishin produkte të kohëve kur jetuan dhe vranë. Me kolapsin e kolonive britanike dhe gjithë perandorisë britanike, pjesë shumë të mëdha të botës u lanë pa udhëheqje dhe pa institucione demokratike. Shpesh institucioni i vetëm që njerëzit respektonin ishte ushtria. Njëherë e një kohë, para se të fitonin reputacionin për barbarizëm, njerëz si Gedafi, Amin dhe madje edhe Sadami, ishin thjesht ushtarakë, apo oficerë ushtrie, sigurisht shumë ambiciozë.

Ajo që i solli dhe i mbajti gjatë në pushtet ishte rivaliteti i krijuar gjatë Luftës së Ftohtë, mes amerikanëve dhe sovjetikëve. Ndërsa SHBA dhe Bashkimi Sovjetik ndesheshin, vende të tilla të botës së tretë e dinin se do të kishte gjithmonë një palë që do t’i sponsorizonte. Një pjesë e madhe e mostrave të vërteta u mbështetën nga Kremlini, por jo të gjithë. Në mënyrë shumë të turpshme, amerikanët mbështetën Papa Doc në pushtet. Kemi gjithashtu edhe famëkeqin ish-sekretar amerikan të Mbrojtjes, Ramsfeld, i cili ka shtrënguar duart me vetë Sadamin në vitin 1983. Ndoshta pozicionet në të cilat këta ish-ushtarakë u vunë, i shndërruan në djaj, sepse edhe presionet kanë qenë të mëdha. E vërtetë në këtë rast është shprehja e famshme: “Të gjitha pushtetet të korruptojnë, por pushteti absolut të korrupton absolutisht”.

Edhe pse këta liderë ishin të dëshpëruar për t’u marrë seriozisht, dukeshin shpesh si disa adoleshentë qesharakë që e kishin fuqinë e tyre vetëm nga sponsorizuesit e fuqishëm. Kësisoj ata u shndërruan në njerëz lakmitarë për para dhe pushtet, të mjerë dhe të humbur brenda vetes.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama