Fundjava e demshme per adoleshentet sedentare

Fundjava, e demshme per adoleshentet sedentare
Sipas një studimi europian, në fundjavë, të rinjtë dembelosen më shumë, duke pasur bashkëpunëtorë të mirë televizorin dhe kompjuterin. Adoleshentët e sotëm po bëhen gjithmonë e më shumë sedentarë, por pikërisht në fundjavë, dembelizmi arrin kulmin. Një studim europian, i publikuar në revistën “Preventive Medicine”, tregon se në përgjithësi, një e treta e adoleshentëve shohin të paktën dy orë televizor në ditë, ndërsa në fundjavë ky orar trefishohet. Jeta sedentare nuk ndihmon për një shëndet të mirë, tregon një tjetër studim i kohëve të fundit, i publikuar në revistën “Medicine and Science in Sports and Exercise”, nga i cili del se ekziston një lidhje shumë e ngushtë mes orëve të kaluara para ekranit dhe shëndetit kardiometabolik.

Adoleshentët sedentarë

Të dhënat e reja janë mbledhur në studimin më të madh europian të quajtur “Helena”. Autorët, të udhëhequr nga Juan P. Rey-López i Universitetit të Saragozës, analizuan me kujdes sjelljet sedentare në më shumë se 3200 adoleshentë në dhjetë qytete europiane, mes të cilave Athina, Roma, Stokholmi, Vjena dhe Saragoza. Të rinjve iu kërkua që të tregonin kohën që shpenzonin çdo ditë para televizorit, me videolojërat, gjatë navigimit në internet, përveç asaj që kalonin duke bërë detyrat. Por jo vetëm kaq. Ekspertët vlerësuan edhe disponueshmërinë për kompjuterët, televizorin apo videolojërat në dhomat e gjumit dhe shtëpinë e të rinjve. Nga ky studim doli se në fundjavë, të rinjtë i “përkushtohen” sjelljeve sedentare dhe pasja e televizionit në dhomë me siguri që nuk të ndihmon.

“Të dhënat tona mbështesin rekomandimet e bëra nga Shoqata e Pediatërve Amerikanë për të mos e vendosur televizorin në dhomën e gjumit të një adoleshenti. Mungesa në dhomë e televizorit mund të shkurtojë kohën që ai harxhon për të parë programe televizive. Prania e videolojërave apo televizorit trefishon rrezikun për të mos kaluar më shumë se dy orë në ditë përpara ekranit. Në mënyrë të habitshme, prania e një kompjuteri në dhomën e fëmijëve favorizon reduktimin dhe mundësisë për të parë shumë televizor”, thotë Rey-Lopez.

Meshkujt dhe femrat

Kërkuesit kanë evidentuar edhe diferencën në aktivitetet sedentare që pëlqejnë më shumë meshkujt apo femrat: studimi dhe navigimi në internet rezultuan “mjeti” i papëlqyer nga femrat për të kaluar kohën, ndërsa djemtë preferojnë më shumë lojërat elektronike.

Rreziqet

Tashmë është më se e qartë se një stil jetese sedentar nuk i bën mirë shëndetit dhe studimi i publikuar në revistën “Medicine and Science in Sports and Exercise” nxjerr në dritë të tjera fakte, duke treguar për një lidhje të fortë mes orëve të kaluara duke parë televizior dhe shëndetit kardiometabolik.

Në kërkim u morën në konsideratë persona mbi 25 vjeç dhe u monitoruan për pesë vjet. Të dhënat e grumbulluara tregojnë se të gjithë ata që në këtë hark kohor kishin rritur numrin e orëve të kaluara përpara televizorit, kishin filluar të prekeshin nga një sërë patologjish si presioni diastolik dhe tregues të tjerë të të shëndetit kardiometabolik. Gjatë kësaj kohe, shkencëtarët vunë re se presioni i gjakut ishte rritur shumë dhe se ekzistonte një lidhje e fortë dhe e ndjeshme mes tij dhe qëndrimit para ekranit. Fëmijët që shihnin çdo ditë nga 90 deri në 330 minuta televizor kishin një presion gjaku të tipit sistolik dhe se krahasuar me presionin e gjakut kur fëmija bënte një tjetër veprim sedentar (lexim, kompjuter) ai ishte shumë më i ndryshëm. Sipas kërkuesve, bëhet fjalë për një alarm të vërtetë.

Kjo pasi fëmijët e një moshe të caktuar, kryesisht deri në pubertet, kalojnë një kohë të gjatë para ekranit të televizorit dhe pasojat e një qëndrimi të tillë sedentar dhe të gjatë do të shfaqen më vonë në jetën e tyre. Sipas statistikave, pjesa më e madhe e fëmijëve, nga mosha 4 deri në moshën 12-vjeçare, kalojnë mbi tri orë në ditë para ekranit të televizorit dhe ky numër shtohet gjatë stinës së dimrit, kur shpesh televizori është e vetmja mundësi që kemi për t’u argëtuar. Prindërit duhet që t’u gjejnë fëmijëve mënyra të tjera për të kaluar kohën, qoftë edhe duke i izoluar nga ekrani i televizorit, pasi kjo u rrezikon seriozisht shëndetin.

Një nga mjekët e grupit të studimit bëri të ditur se koha e përshtatshme dhe e lejueshme e qëndrimit para ekranit është jo më shumë se dy orë në ditë dhe kjo me pauza njëorëshe. Vetëm në këtë kohëzgjatje, ekrani i televizorit nuk do të shndërrohet në një “ekran vrasës”, por do të jetë një mjet zbavitës e edukues. Nëse fëmijët do të abuzojnë me të, si çdo gjë tjetër me të cilën kalohet masa, edhe ai do të jetë joproduktiv.

Mesazhi është i qartë: nuk duhet të abuzojmë me televizorin dhe lojërat elektronike, nëse duam një shëndet të mirë. Është thelbësore t’u mësosh të rinjve të merren me më shumë aktivitet, sepse kjo është për të mirën e tyre.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama