Kortezhi funebër, i udhëhequr nga një makinë epoke dhe ku ishte vendosur arkivoli i mbuluar me lule, u shoqërua nga makina të shumta të familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të Richardson. Njeriu që formoi një perandori kriminale në vitet 1950-60, nëpërmjet vendosjes së taksave “për mbrojtje” ndaj dyqaneve, basteve ilegale dhe zhvatjes, pavarësisht vdekjes, gjithsesi jeton në kujtesën kombëtare të Britanisë si një shembull i pavdekshëm i terrorit dhe krimit të organizuar.
I arrestuar në vitin 1966, në të njëjtën ditë kur Anglia fitoi Botërorin e saj të vetëm në finalen e famshme të “Wembley”-t, Richardson u dënua në fund të një procesi, në të cilën u tregua se si “lordi” i krimit torturonte kundërshtarët duke i shkulur thonjtë një nga një, duke i vendosur në kontakt me rrymën elektrike dhe duke i rrahur me hekur të nxehur.
I dënuar për 25 vjet, për zhvatje, dhunë dhe plagosje të rëndë, Richardson i shpëtoi dënimit të përjetshëm sepse asnjë vrasje e përfolur e tij nuk u dokumentua dhe jetoi si një qytetar i lirë vitet e fundit të jetës së tij.
Gjithmonë nën vëzhgimin e policisë, “bosi i mafias” nuk arriti të rikthehej në krye të perandorisë që ndihmoi të ngrihej, por i dha jetë krimit të organizuar në ishull, me familjen e tij që vazhdon të jetë një prej familjeve të pakta “të nderuara” (në zhargonin kriminal) në Britaninë e Madhe.