Fushata e 2013 po i kalon bemat e Pinokut per femijet

Fushata e 2013 po i kalon bemat e Pinokut per femijet
Ndërsa të dy kampet politike e kanë egërsuar sintaksën dhe premtojnë qiellin, për arsimin e kujdesin shëndetësor të fëmijëve artikulohet pak e më pak. Edhe pse pak individë politikë, po mundohem t’i përafrojnë problemet që lidhen me arsimin dhe shëndetësinë, duhet thënë se indiferenca ndaj fëmijëve është gati skajore. Një raport i fundit i UNICEF-it tregon se problemi i kequshqyerjes në Shqipëri mbetet shqetësues

Ai që do të bëhej një nga ministrat e qeverisë së re skoceze, drejtuar në masë nga SNP-ja, partia nacionaliste, iu desh që të shkonte derë më derë në veri të kontesë së tij në Elgin për t’u treguar se çfarë do bënte partia e re e vet. Dhe, kur njerëzit e pyesnin për Partinë, nuk e pyesnin së pari sepse ata donin të ndanin Skocinë nga Britania, po si do mundësohej këtej e tutje shkollimi i fëmijëve dhe kujdesi mjekësor ndaj tyre. Burri i ri, që më pas u bë ministër i Mjedisit, shpjegonte qartë jo vetëm politikën, por edhe se ku do gjendeshin paratë për këto reforma. Hapur. Saktë. Thjesht. Ato për të cilat, nuk kanë përgjigje politikanët shqiptarë...
 
Arsimi

Ose ato për të cilat i kanë mbyllur veshët politikanët tanë. Megjithatë, në këtë fushatë ka pasur pak minuta dhe për fëmijët! Në atë që kanë shpalosur për arsimin njerëzit e PD-së thuhet tekstualisht se Fëmija është i pari dhe se buxheti për arsimin do të rritet në 6% të GDP!!! Kjo shifër utopike nuk e fsheh dot faktin se ajo sot mezi kap 3% të GDP-së. Pa u mbyllur kjo, premtimi tjetër që vjen nga kampi blu është akoma edhe më interesant: Rrogat e arsimtarëve tanë do të rriten më shumë se ato të kolegëve të tyre në 6 vende të BE!!! Eh. Jo më pak se dy javë më parë, rreth 150 mësues protestonin, pasi nuk paguheshin prej muajsh në Qarkun e Fierit.

Do të ndërtohen dhe rindërtohen të gjitha shkollat e vendit me standarde evropiane, vazhdon propaganda dhe të gjitha tekstet e 9-vjeçares dhe të shkollës së mesme do të jenë gratis për të gjithë fëmijët në nevojë!!! E fundit nga PD-ja dukej edhe më atraktive: Çdo fëmije që mbaron klasën e nëntë do t’i krijojmë të gjitha mundësitë financiare për të vazhduar shkollën e mesme! Duket se, ai që e kish hartuar këtë as nuk ia kish idenë e 15% të fëmijëve shqiptarë që janë analfabetëve, të gati 57 % analfabetëve funksionalë (BB) dhe 160.000 fëmijëve të tjerë që jetojnë në familje me ndihmë ekonomike, që referohen normal po nga politika.

PS-ja e ka marrë më shtruar. E di se premtimet e saj, tashti ndiqen më shumë, por së pari i është kundërvënë PD-së. Ajo i ka përmendur braktisjen masive të shkollës, burimet e kufizuara për kërkim shkencor, lidhjen e dobët të shkollës me tregun e punës, bazën e varfër didaktike, mungesën e njohjes së diplomave, politikat konfuze dhe klienteliste në reformimin dhe financimin e arsimit të lartë apo edhe vetë dobësimin e rolit edukues të shkollës. Dhe, në fund i ka kujtuar edhe një shifër: Pesha e buxhetit për arsimin ndaj GDP ka shkuar në rënie: nga 3.4% në vitin 2004 në 2.8% të GDP-së në vitin 2011. Zyrtarët e PS-së i kanë kujtuar kolegëve në pushtet se në dy vitet e fundit, qeveria ka anuluar të gjitha reformat e zbatuara nga po ajo vetë në vitet 2005 – 2009, duke konfirmuar mungesën e plotë të një vizioni për të ardhmen e arsimit kombëtar. Më pas, kanë marrë përemrin vetor Ne dhe kanë rreshtuar çfarë kanë lënë kundërshtarët e tyre: cilësitë, edukimin kulturor, riardhjen e konkurrencës në shkolla, heqjen e militantizmit politik në shkolla. Dhe, njësoj dhe ata kanë premtuar se arsimi nuk do të jetë më pak se 5 % e GDP-së. Ne besojmë se arsimimi është politika më e mirë ekonomike, kanë shtuar ata, duke i bërë prindërit, që të kenë vëmendje, për të rejat që vinë...Dhe, sa do bëhet? Kjo mbetet për t’u parë. Por, një utopi e re po lind, pa asnjë mëdyshje.
 
Shëndetësia

Por të rejat e fushatës nuk pushojnë këtu. Edhe tek shëndetësia, Partia Demokratike ia vlen të përmendet për premtimet pa fre. Ajo ka premtuar rritjen e buxhetit për shëndetësinë me 60% dhe rrogat e mjekëve t’i bëjë më të larta se kolegët e tyre në 6 vende të Bashkimit Evropian! Tolerancë zero ndaj korrupsionit në shëndetësi, rimbursime për barnat dhe kujdesin shëndetësor gjatë shtatzanisë. Edhe pse pas 8 vitesh dështimesh dhe premtimesh boshe, sektori i shëndetësisë është katandisur në minumimin e tij, falë kontributit të pamohueshëm edhe të majtëve të LSI-së. PS i ka kujtuar se prej 1 marsit 2011 vendosi taksën 10 % për barnat dhe shërbimet shëndetësore dhe se sot çdo shqiptar i duhet t’i paguajë këtij shteti edhe 10 % më shumë për shëndetin, për t’u mbyllur me listat e borxheve  në farmacitë shqiptare. E më e ulëta për sa i përket shëndetësisë, nga dy kampet kanë munguar deri më tani premtimet reale, se çfarë do bëjnë realisht për fëmijët...

Dhe, pasojat

Paçka fjalëve të bukura të politikanëve vetëm rreth 3 për qind e GDP-së shkon për arsimin, duke na radhitur ndër të fundit vende të Evropës, ashtu si në shëndetësi, ku Shqipëria është në masën e 2.7 për qind të GDP-së, e cila po ashtu, e vendos vendin gati të fundit në rajon. Me pak fjalë, sado që PD dhe PS të premtojnë, për sa i përket fëmijëve, ka një hendek të pakalueshëm që lidhet direkt me mundësitë reale. Fëmijët janë krejt të padukshëm dhe veçse përdoren nëpër mitingje për dekor, po abuzohet dhe me të drejtat që u takojnë. UNICEF vazhdon e jep shifra të frikshme sa i përket kequshqyerjen. Kjo e fundit, shkon së fundmi edhe me Raportin global “Përmirësimi i ushqyerjes tek fëmijët”, prezantuar me datë 15 Prill 2013 në Dublin. Për hir të së vërtetës, në Shqipëri edhe me apelin e UNICEF-it, gjendja ka ndryshuar shumë pak. “Prapambetja në rritje i heq çdo lloj mundësie fëmijëve në jetë për tu zhvilluar siç duhet si dhe ndikon ne zhvillimin normal të një kombi të tërë.  Të dhënat e mbledhura deri tani na tregojnë se ka ardhur koha të përshpejtojmë veprimet “ shprehet Anthony Lake, Drejtori Ekzekutiv i UNICEF ne New York.

Edhe pse raportohet një ulje e kequshqyerjes deri me 19 % të masës së fëmijëve në 2009, kequshqyerja mbetet një shqetësim për fëmijët që të rriten mirë. Në ditët tona, Shqipëria ka pasur mundësi që falë një ndihme të qeverisë spanjolle, të hartojë dhe zbatojë një program të përbashkët midis agjencive të OKB-së (UNICEF,OBSH, FAO), për të vënë ushqyerjen dhe sigurinë ushqimore në programet e qeverisë dhe për të promovuar bashkëpunime ndërsektoriale, duket se fare pak ka ndryshuar. E megjithatë, në terren situata nuk ndryshon shumë. Shqipëria, sot, përballet dyfish me barrën e kequshqyerjes:19 % e fëmijëve nën 5 vjeç vuajnë prapambetjen në rritje, kurse 22 % e tyre janë mbipeshë. Kjo shifër ka bërë që të kemi 1/3 e vdekshmërisë foshnjore në vend. Për të mos shtuar shumë e shumë gjëra të tjera.

Por për të gjitha këto, liderat shqiptarë nuk kanë kohë. Edhe kur u tregohet si familjarë, andej nga shkojnë se në çfarë gjendje është Shqipëria. Në vend të këtyre ka shifra dhe premtime, që të bëjnë t’i shikosh si pinokët e ardhshëm të mandatit të ri qeverisës, ku njerëzit nuk presin të ndryshojë gati asgjë.

Kjo e bënte kaq të besueshëm deputetin e ri skocez, kur u shpjegonte njerëzve programin e partisë së vet. Ai u tregonte realisht sesi do të mësonin, por edhe si do mjekoheshin në të ardhmen fëmijët e tyre, nëse Skocia do të ndahej nga ‘mëmë’ Britania.
 
Fëmijët janë të padukshëm në fushatën e 23 Qershorit

Intervistë me znj. Eglantina Gjermeni, deputete në Parlamentin shqiptar dhe specialiste e çështjeve Sociale në PS. Si e shikon ajo pasqyrimin e pakët të problematikës së fëmijëve në këtë fushatë dhe çfarë do mund të ndryshojë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit?
 
A nuk ju duket se fëmijët zënë gjithmonë e më pak vend në artikulimet e fushatës në zgjedhjet e fundit?

“Fëmijët, të drejtat, nevojat, interesat edhe për më tepër problemet që i prekin ata, kanë zënë pak vend edhe në fushatën paraelektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Unë mendoj që jo vetëm në fushata dhe në programet elektorale, fëmijët kanë pak ose aspak vëmendje, por po të shikoni edhe strategjitë, programet, buxhetet e qeverisë, sidomos në këto vitet e fundit, fëmijët janë thuajse të padukshëm. Edhe kur kemi diskutuar buxhetin e vitit 2013 në parlament, e kemi theksuar se shpenzimet për fëmijët, investimet për ta, fonde të parashikuara për zbatimin e Ligjit  për të drejtat e fëmijëve dhe Strategjinë e fëmijëve janë absolutisht ta padukshme.

Do të doja të ndaja me ju një thënie nga Nelson Mandela, lidhur me reflektimin që duhet të bëjë çdo shoqëri për kujdesin dhe trajtimin që i bën  fëmijëve: ‘Fëmijët janë imituesit  më të mëdhenj dhe më të shpejtë , prandaj duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë modelesh duhet t’iu japim. Por kjo mund të arrihet vetëm me konsensus dhe investim të madh publik. Ne duhet të mbrojmë fëmijët tanë, qytetarët më të brishtë në shoqëri duke u ofruar atyre modele pa dhunë dhe frikë’.

Pikërisht neni 12 i Konventës së OKB-së ‘Për të drejtat e fëmijës’, i ratifikuar shumë vite më parë nga shteti shqiptar, ka parashikuar të drejtën për pjesëmarrje të fëmijës, e lidhur ngushtësisht dhe me nenin 3 të saj “Interesi më i lartë i fëmijës”. Në çdo vendim që ka lidhje me fëmijët, interesi më i mirë i tyre duhet të jetë konsiderata parësore dhe ky koncept duhet theksuar dhe të jetë në bazën e të gjitha programeve apo politikave, që kanë lidhje me ta. Pra, duke ju referuar këtij neni, por edhe gjithë Konventës në përgjithësi, na duhet të reflektojmë të gjithë si shoqëri sa edhe si investojmë ne për fëmijët, sa edhe si investojmë ne si shoqëri për të ardhmen.

Mendoj se politika në Shqipëri, ju detyrohet fëmijëve për faktin se si rriten edhe do edukohen ata sot, do të jetë e ardhmja nesër. Fëmijët e sotëm edhe modelet me të cilat i mësojmë, do të jenë ajo çka nesër do të jetë shoqëria shqiptare.

Realiteti është i zymtë edhe për fëmijët në Shqipëri. 25 % e tyre jetojnë në varfëri, çka do të thotë që ata ushqehen keq, sëmuren shpesh, nuk argëtohen dhe kanë pak akses në arsim e shërbime. 160 000 mijë fëmijë jetojnë në familje që jetojnë me ndihmë ekonomike. Analfabetizmi në Shqipëri ka arritur në 15%, ndërkohë që analfabetizmi funksional mes 15 vjeçarëve në Shqipëri është 57 %.

 Ajo që dua të vlerësoj është së gjatë këtyre viteve të tranzicionit, është përmirësuar kuadri ligjor për të drejtat e njeriut në përgjithësi, por edhe për të drejtat të fëmijëve në veçanti. Sigurisht ka akoma nevojë për përmirësime. Shërbimet ndaj fëmijëve edhe fëmijëve me probleme, janë ofruar edhe vazhdojnë të ofrohen kryesisht përmes organizatave të Shoqërisë Civile.

Problemet me të cilat përballen fëmijët si pjesë e shoqërisë shqiptare, nuk mund të zgjidhen  vetëm duke ratifikuar konventa e ligje, por kërkojnë një përqasje tjetër një përqasje të integruar me të cilën duhen adresuar shkaqet e këtyre problemeve. Vullneti edhe angazhimi politik duhen treguar realisht me zbatimin e ligjeve edhe konventave, me programe zhvillimi, me programe punësimi me ofrim të shërbimeve në çdo cep të Shqipërisë, që brezi që po rrisim të jetë më i shëndetshëm, më human, më demokratik edhe më evropian.
Dua të theksoj këtu se: edhe kur flasim për fëmijët, kryesisht i referohemi fëmijëve që kanë probleme sociale. Mendoj që sigurisht këta duhet të jenë prioritet dhe përkujdesjeje të veçantë, por mendoj se vëmendje, përkujdesje, buxhete edhe politika shtetërore qendrore e vendore, duhet të kenë të gjithë fëmijët për edukimin më të mirë të tyre, për kujdes shëndetësor, për  shërbime sociale, për gjithçka ata kanë nevojë dhe që ne si shoqëri kemi detyrimin t’ua sigurojmë”.
 
Cila është përqasja juaj në lidhje me ta?

“Ne e konsiderojmë çështjen e shërbimeve për mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve si një pasqyrë të humanizmit dhe përgjegjshmërisë së shoqërisë. Gjatë procesit përfshirës, që u hartua, diskutua edhe përmirësuar te programi ‘Për një Rilindje Shqiptare’, kemi përfshirë çështjet që lidhen më fëmijët në programin tonë për arsimin, kujdesin shëndetësor, shërbimet sociale. Kemi diskutuar më përfaqësues të shoqërisë civile që veprojnë  në fushën e të drejtave të fëmijëve, specialistë ekspertë që ofrojnë shërbime për fëmijët, pedagogë universitetesh, duke dashur që programi ynë të jetë sa ma afër realitetit, t’u përgjigjet nevojave të fëmijëve ne Shqipëri, por edhe të jetë i realizueshëm....(Vijojnë zotimet e PS-së)”
 
Çfarë mendoni se duhet dhe ka nevoje të ndryshojë në lidhje me premtimet e politikës dhe realitetit të fëmijëve?

“Mendoj se e para gjë, e cila duhet bërë është të shikohet në sy realiteti edhe të pranohet se si është gjendja e fëmijëve edhe të drejtave e tyre në Shqipëri. E dyta, përmes një përqasjeje pjesëmarrëse të dëgjohen zërat e vetë fëmijëve, lidhur me çfarë duan edhe kanë nevojë. E treta, bashkëpunimi me universitete, shoqëri civile, pushtet qendror edhe vendor, media,  si për identifikimin e situatës edhe problemeve, ashtu edhe për adresimin e tyre.

Politika nuk duhet të bëjë premtime që nuk mund t’i realizojë, në mënyrë të veçantë ndaj fëmijëve, sepse ne si prindër e dimë se sa keq ndjehemi para fëmijëve tanë, kur nuk mund t’i mbajmë premtimet. Do të jetë më mirë, të premtojmë më pak, por ama këto premtime t’i realizojmë edhe me këtë i kemi dhënë  modelin e duhur fëmijëve”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama