Ilva Tare, drejtuese e “Tonight Ilva Tare”, Ora News
“23 qershori solli braktisjen e mediave nga partitë”
1. A mendoni se ka një hezitim real nga partitë politike, për të dërguar përfaqësues në panelet e debateve televizive të fushatës? Nëse po, cilat janë shkaqet e këtij fenomeni? Edhe në këto zgjedhje duket i vështirë një debat Berisha-Rama? Përse kjo vështirësi, sipas jush?
Kjo fushatë ka një risi në krahasim më të mëparshmet, në drejtim të marrëdhënies së politikës me median tradicionale, e kam fjalën për debatet televizive. Edhe në kaluarën ka patur shenja të një epoke të re që po ndryshonte busullën e të bërit fushatë përmes ekranit. Por viti 2013 jam e sigurtë që do të shenjohet në historinë e medias shqiptare, si një moment i tërheqjes së politikës dhe mungesës së interesit të saj për të qenë prezent në emisionet politike që kanë mbijetuar në treg vetëm me klientët politikë. Risia është se klientët ndërruan produktin, si në supermarket, kur një ditë ndryshon markën dhe furcën e dhëmbëve. Kjo ëstë një rendje e politikës drejt medias sociale, si Facebook, Tëitter etj dhe një kapje e medias në një pozicion të papërgatitur, për ta orientuar fushatën në shërbim të publikut.
Për këtë prishje ekuilibrash që vihet re me mungesën e debateve politike në televizion, mund të thuhet se binomi politikë - media nuk i ka bërë planet bashkë. Politika një ditë mendoi se nuk i duhej më televizioni, pasi e përdori atë në mënyrë të pamëshirshme. Ndërsa media duhet të mbajë përgjegjësi që e lejoi politikën ta përdorte pa kriter dhe tani nuk ka arsye t’i hakërrehet politikës, pse ajo ka gjetur një dashuri të re, më pak të kushtueshme dhe shumë më tepër e përdorur nga votuesit.
Fushata nuk varet vetëm nga këto debate. Media profesionale ka shumë mënyra për ta mbuluar aktivitetin elektoral të partive. Është koha të kthehemi aty ku e nisëm, në terren. Profesionistët duhet të dalin e të rajortojnë nga terreni, nuk duhet pritur më që realiteti, faktet dhe programet të na i sjellin vetëm politikanët e 2 partive të medha. Tanimë, televizioni duhet të shkojë tek ai që e braktisi sa për arsye financiare aq edhe për pazare, tek publiku. Studiot televizive duhet të mos mbeten peng i balozëve të politikës. Ato duhet të sjellin qytetarin dhe shqetësimet e tij kudo ato janë me pamje, zë dhe figurë.
Por politika duhet të vetëdijësohet se i duhet një media serioze, profesionale, pasi do të duhen shumë vite që media sociale të fitojë besueshmërine dhe fuqinë e personaliteteve televizive, të cilët me apo pa dëshirën e politikës kanë audiencën e tyre, simpatitë e tyre, pse jo edhe adhuruesit që mund t'ua vënë veshin.
Për debatin e munguar Rama-Berisha nuk habitem. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, Rama ka gjithë fuqinë e sulmuesit, pas qëndrimit në stolin e opozitës për 8 vjet dhe Berisha duhet të mbrohet, pas qeverisjes së dy mandateve dhe nuk e ka të lehtë ta bëjë këtë. Edhe konformizmi i shoqërisë shqiptare, që i është nënshtruar zgjedhjeve të politikës, është fajtor për këtë që ndodh. Shoqëria shqiptare është familjarizuar, ka krijuar imunitet me shtypjen dhe ndoshta mendon se kështu funksionon demokracia. Ndonjëherë mendoj që Rama dhe Berisha kanë debatuar aq shumë sa nuk ja blen të shtojnë dhe dy orë.
2. Problemi i kasetave të fushatës është shfaqur edhe një herë. Sa e deformon kjo rrethanë perceptimin e drejtë të mesazheve elektorale të partive, nga shikuesit?
Ky është babalitet që rrjedh sërish nga klasa politike shqiptare dhe nga kodi zgjedhor që është hartuar nga PS e PD në mënyrë paranojake. Sigurisht, që e drejta për të vendosur nëse transmetohet apo jo një material elektorial i takon vetëm medias dhe integritetit profesional të gazetarëve.
Blendi Fevziu, drejtues i “Opinion”, TV Klan
“Debatet PD-PS, shikueshmëri tejet të ulët”
1. A mendoni se ka një hezitim real nga partitë politike, për të dërguar përfaqësues në panelet e debateve televizive të fushatës? Nëse po, cilat janë shkaqet e këtij fenomeni? Edhe në këto zgjedhje duket i vështirë një debat Berisha-Rama? Përse kjo vështirësi, sipas jush?
Mua nuk më rezulton që të ketë hezitim nga partitë, për të dërguar njerëzit e tyre në debate. Më ngjan se ka një tjetër problem dhe që më shumë se sa problem i partive, është problem i yni. Natyrisht unë mund të flas për emisionin OPINION. Problemi qëndron që unë kam marrë vendim për të mos vijuar më tej me debate PD - PS, për arsye të nivelit shumë më të ulët të audiencës në dy debatet e qarqeve PD – PS (Lezha dhe Korça). Shumë më të ulët, në krahasim me debatet ku ftohen gazetarë. E dyta, formula e njerëzve që caktojnë partitë nuk funksionon më. Unë jam dakort që politikanët që vijnë në studio do të kenë aprovimin e partive; që partitë do të përçojnë mesazhin e tyre, por këtë duhet ta bëjnë duke pasur një lloj rakordimi edhe me interesat e emisioneve, jo duke ju imponuar atyre. Dmth ne mund të ftojmë përfaqësues të partive, në rakordim me partitë, por përfaqësues që i konsiderojmë të atij niveli që ka emisioni. Formula që në studio mbërrin 20 minuta përpara fillimit, një personazh që s'e ke parë kurrë dhe të tund një logo partie, është absurde.
E fundit, më duket tejet fyese arroganca që kam vënë re nga zëdhënësit e partive, në raport me gazetarët që kërkojnë të bëjnë punën e tyre. Doja t’ju thoja të gjithë gazetarëve të rinj, që ata vlejnë më shumë se sa këta njerëz që duken të veshur me pushtet; që ecin me makina qeveritare, por që thellë-thellë, janë bosh dhe që nën arrogancën e afishuar, fshehin frikën që kanë nga shtypi.
Debati Rama – Berisha thjeshtë s’ka për të ndodhur dhe unë uroj që kjo të jetë hera e fundit që në zgjedhje shkojmë pa një debat të tillë.
2. Problemi i kasetave të fushatës është shfaqur edhe një herë. Sa e deformon kjo rrethanë perceptimin e drejtë të mesazheve elektorale të partive, nga shikuesit?
Ky nuk është problem, por një funeral i gazetarisë. Unë kam qenë gjithnjë kundër dhe sot e ricilësoj, si një funeral ku është varrosur jo vetëm profesionalizmi i gazetarisë, por edhe dinjiteti i saj! Turp për ne jo për politikën.
Sokol Balla, drejtues i “Top Story”, Top Channel
“Debati Berisha-Rama? Ata nuk janë të sinqertë”
A mendoni se ka një hezitim real nga partitë politike, për të dërguar përfaqësues në panelet e debateve televizive të fushatës? Nëse po, cilat janë shkaqet e këtij fenomeni? Edhe në këto zgjedhje duket i vështirë një debat Berisha-Rama? Përse kjo vështirësi, sipas jush?Top Story nuk ka patur deri tani asnjë problem në organizimin e debateve. Kemi gjetur mirëkuptimin e plotë të stafeve për propozimet e temave dhe të ftuarve.
Nëse të tjerët kanë patur vështirësi, kjo ndodh për tre arsye: 1. Sepse partitë po fokusohen në televizionet me audiencën më të lartë, pasi kërkojnë që mesazhi i tyre të përçohet në sa më shumë votues potencialë.
2. Për shkak se ata vlerësojnë debatet me temat më të rëndësishme.
3. Për shkak të raporteve etiko-profesionalo-personale, që autorët e programeve kanë me politikanët.
Debati Berisha-Rama është i pamundur, pasi ata nuk kanë vullnetin e shendoshë, sinqeritetin dhe shkallën e duhur të llogaridhënies. Ndaj kanë rënë dakort në distancë, të mos bien dakort: një herë thotë njëri po, një herë thotë tjetri.
2. Problemi i kasetave të fushatës është shfaqur edhe një herë. Sa e deformon kjo rrethanë perceptimin e drejtë të mesazheve elektorale të partive, nga shikuesit?
Sigurisht e deformon, megjithese ne nje nivel relativ. Kjo eshte fushate dhe sipas ligjit shqitptar te miratuar ne menyre konsensuale nga te dy kampet, media eshte e kufizuar ne ate qe mund te beje apo mund te mos beje.
Duhet t’i japim Cezarit atë që i takon: kodi i ri elektoral i miratuar nga të dyja palët, parashikon atë që ka vendosur KQZ. Vendimi i kolegjit i përket kodit të vjetër. Avokatët e televizioneve duhet ta dërgojnë çeshtjen ne kolegj e te marrin nje vendim te ri. PS është po aq fajtore sa PD në këtë çeshtje kësaj radhe, bile edhe më shumë. Pasi nisur nga përvoja e zgjedhjeve lokaleve 2011, duhet të kishte kërkuar me ngulm që kjo të mos ligjërohej në kodin e ri.
Unë mendoj se në Shqipëri nuk duhet të ketë fare ligj që të kufizojë e kontrollojë mediat në fushatë. Ky ligj është anakronik, autoritar, antikushtetues.
Sa i perket mediave, para se të ankohen, bëjnë mirë t’i hipin makinës vetë e të ndjekin fushatën, e të mos justifikojnë përgjumjen e tyre.
Aleksandër Furxhi, drejtues i “Prizëm”, Albanian Screen
“Fushata me kaseta është një haluçinacion”
1. A mendoni se ka një hezitim real nga partitë politike, për të dërguar përfaqësues në panelet e debateve televizive të fushatës? Nëse po, cilat janë shkaqet e këtij fenomeni? Edhe në këto zgjedhje duket i vështirë një debat Berisha-Rama? Përse kjo vështirësi, sipas jush?
Sa i takon dy partive kryesore, hezitimi është evident. Arsyet duhen kërkuar te meraku i secilit kamp për t’u paraqitur sa më mirë në “ring”. Përpara se të vendosin emrin e “gladiatorit” që duhet të nxjerrin, shtabet përpiqen të parashikojnë sa më saktësisht se kush do jetë fitimtari. Secili shtab pret lëvizjen e palës kunërshtare dhe matet shumë që të evitojë çdo rrethanë të pafavorshme. Ngjan sikur kanë gjithë kohës para syve një tabelë ku shkruhet :“Evito kundërshtarin më të fortë”. Është një atmosferë e kuptueshme në kohë fushate zgjedhore dhe sidomos në ditët e fundit të saj. Problemi është që secila palë duhet të kuptojë se hezitimi i tepërt, “fshehja” prapa gardhit nuk është domosdoshmërisht kyçi i suksesit. Nuk mund të presësh që të dalësh matanë lumit duke notuar dhe njëkohësisht të mos lagesh.
Debati Berisha- Rama duket i vështirë, por jo i pamundur. Besoj se kryeministri tashmë e ka marrë vendimin për të pritur ose jo sfidantin në një sallë apo studio televizioni. Personalisht jam i prirur të besoj se “ dueli” do të ngjasë. Nuk është e vërtetë se i interesuar është vetëm sfidanti, me arsyetimin se nuk ka ç’pret më. Nëse me konventa, toën halls dhe këndet e fjalës, janë barazim (të paktën numerikisht), vetë prijësit duhet të marrin riskun e ballafaqimit sy më sy. Opinioni dhe të gjithë ne duhet t’i inkurajojmë se ballafaqimi nuk është fundi i botës, përkundrazi është një ingredient që nuk duhet t’i mungojë menusë së zgjedhjeve. Natyrisht, nëse besojnë se vërtet jemi nisur për në Europë, tash e njëzet vjet.
2. Problemi i kasetave të fushatës është shfaqur edhe një herë. Sa e deformon kjo rrethanë perceptimin e drejtë të mesazheve elektorale të partive, nga shikuesit?
Historia e kasetave është një halucinacion. Përse vallë duhet të jemi kreativë vetëm për prapësira? Vetëm në Kosovë është shfaqur tek-tuk kjo dukuri. Në Maqedoni do quhej skandal i madh, që do kishte ngritur në këmbë opinionin. Në Serbi as që imagjinohet. Televizionet në Beograd mirëpresin prej partive vetëm publicitetet elektorale, kundrejt tarifave të majme, si një aktivitet kryekëput marketingu. Nuk po e shtyj krahasimin me vende të tjera. Është një dukuri që duhet të marrë fund një sekondë e më parë. Çdo diskutim është i tepërt, duhet të na vijë turp.