Por përtej të qeshurave, këta tre personazhe japin mesazhe politike, prekin tema sociale dhe ironizojnë ato që syri i thjeshtë i publikut nuk ka mundur t’i kapë gjatë fjalimeve të gjata politike. Kur menduam të bëjmë një “fushatë elektorale paralele”, me sozitë e politikanëve, patëm dilemën se po shkelim në një terren delikat. Aq më shuma na u shtua kjo ndjesi kur morëm vendimin që këto tre intervista t’i vendosim si kopertinë e numrit. Por, siç do ta lexoni, sinqeriteti dhe “distanca” që vetë protagonistët e inervistave kanë me heronjtë e tyre realë, bëri që këto dilema të bien. Flori, Rudina dhe Driloni janë imitues, të aftë madje. Por ata, mbi të gjitha, janë qytetarë, e ndoshta ndoshta, edhe votues më 8 maj. Ku i dihet...
Florian Binaj - “Unë, sozia e Edi Ramës”
Ai është ndoshta figura më e dashur dhe më e pëlqyer në Portokalli dhe mbetet një ndër talentet më të mëdha që ky spektakël ka mundur të sjellë që në edicionet e para të tij. Florian Binaj ka shumë epitete, polici, Isuf Metalla, Historau dashurau…por personazhi më i famshëm, më i dashur e që ka marrë ovacionet e pafundme të publikut, është ai i liderit të Opozitës dhe kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Kaq shumë e ka imituar, është sjellë si ai dhe është trukuar si ai, sa në momentin e parë që ti përballesh me Florian Binaj, nuk mund të mos mendosh se ky djalosh ka marrë vërtet hijen e Edi Ramës, dhe e i ngjan shumë atij. E ashtu si ai, Floriani ka shumë tipare që i sjellin afër njëri tjetrit, gjatësinë trupore, “dendësinë” e flokëve, pasionin për artin, ambicien për të arritur më lart në karrierë. Florjani është diplomuar për Pikturë, Grafikë në Akademinë e Arteve, ndërsa tani është duke bërë fakultetin e tij të dytë, për t’u diplomuar në Arkitekturë. Të dy, si Rama, ashtu dhe Binaj, kanë një të përbashkët shumë më të madhe, adhurimin e publikut. Por i ndan një e vërtetë e hidhur, ndërsa i pari praktikon politikën si profesion, i dyti nuk beson fare se ka poltikë të denjë në Shqipëri.
Florian, prej sa kohësh jeni pjesë e Portokallisë?
Unë kam hyrë në Portokalli që javën e 5-të të sezonit të parë dhe që atëherë nuk jam larguar! Janë bërë pak a shumë 7-8 vjet! Pak a shumë koha që do mbaroja edhe 2 fakultete të tjera!
Sa të lodh të interpretosh një personazh kaq të komplikuar, kaq karizmatik si ai i Edi Ramës?
Në fillim ka qënë jo dhe aq e lehtë përballja me publikun, të mësuarit përmendësh skenarin, ritmi, mosha ime e re, që më bënte të ngjaja si Rama, por shumë i dobët si fizik etj, të cilat i fitova me kalimin e kohës. Ka qënë gjithmonë një personazh për të cilin duhej treguar kujdes në mënyrën si do e trajtoja në skenë, sepse është personazh publik dhe jo një krijim i fantazisë. Sot di të them që e kam shumë më të lehtë dhe goxha të perfeksionuar si personazh!
Profesionalisht, ke ndërtuar shumë karaktere në këtë spektakël. Ke kaq shumë vite që punon në të, je investuar, je bërë gati i “adhuruari” i publikut. Të frikëson ideja që një ditë Portokalli nuk do të jetë më, ose që ti të largoheshe prej saj?
Të bësh kaq shumë përsonazhe është dhe përgjegjësi e madhe, sepse kur i krijon vetë, duhet edhe t’u japësh edhe jetëgjatësinë. Unë ndihem me fat që në këto vite në “Portokalli”, përveçse të luaj në skenë, kam mësuar edhe të shkruaj tërësisht vetë skenarët e roleve të mia, psh për Policin, Atentatet, Indiau Një Historau Dashurau, Isuf Metallën, personazheve te Big Brother dhe të shumë personazheve të tjerë.
Unë uroj që “Portokallia” të vazhdojë pafundësisht dhe që brezat e rinj që do vijnë të vazhdojnë këtë traditë që e filluam dhe po e vazhdojmë ne. Pikërisht ky mund të jetë momenti kur dhe unë mund të largohem, kur publiku nuk do pëlqejë me humorin dhe batutat e mia...Por ndjej që humorin e kam në gjak dhe do vazhdoj të kënaq publikun dhe teleshikuesit deri në pikën e fundit!
Nëse e mendon këtë, cila do ishte jeta jote profesionale jashtë Portokallisë?
Ndërkohë që jam në Portokalli ushtroj dhe një talent të lindur që është piktura dhe që po e stërvis me Arkitekturën për të më shërbyer në të ardhmen time, e cila, kudo qoftë, do ketë lidhje me Artin.
A e keni takuar ndonjëherë Edin vetë, ose a keni patur rast kur ndonjë politikan ju ka përgëzuar për këtë rol?
Edhe Edin vetë e kam takuar edhe politikanë të ndryshëm më kanë përgëzuar. Por politikanët janë shumë të çuditshëm. Kundërshtarët e Edit gëzoheshin kur Berisha ia hidhte Edit dhe anasjelltas...Herën e fundit që e kam takuar ka qënë para 3 vitesh në një projekt për Tiranën, ku shprehu vlerësim për Portokallinë dhe për imitimin që i bëja. Mbeta i surprizuar.
A ju ka ndikuar kjo në bindjet politike, pra jeni më i majtë tani që njerëzit ju identifikojnë në rrugë me Edin?
Veprimet e një politikani, partie ose qeverie ndikojnë shumë në jetën e njerëzve. Në këto 20 vite kam kuptuar që qeveria, politika, politikanët, në vend që t’i shërbejnë vendit dhe qytetarëve, u kanë shërbyer vetes së tyre...Tashmë paturpësitë janë bërë të përditshme dhe kushdo që ka sado pak ose shumë pushtet, përpiqet që t’ia shesin popullit këto antivlera, si një kafshatë të përtypshme. Nëse kjo do të thotë të jesh socialist apo demokrat, atëhere unë nuk jam as Socialist e as Demokrat! Jam SHQIPTAR!
Per kë do të votoni në 8 maj?
Vota është individuale, por në Shqipëri nuk ka vlerë dhe peshë të njëjtë, si në pjesën tjetër të Europës. Shpresoj që shqiptarët në 8 Maj të votojnë për Shqipërinë, jo për ata që gënjejnë më bukur!
Drilon Hoxha - Doktor Berisha në versionin “light”
Drilon Hoxha, 19 vjeç interpreton karakterin e liderit të opozitës, 68 vjeçarin Sali Berisha në Portokallinë e këtij sezoni. I zbuluar në një prej spektakleve të Top Channel nga regjisori Altin Basha, ai është alternativa më e mirë për këtë rol, pas largimit të Agron Llakajt, i cili kishte krijuar figurën artistike më historike në Portokalli, atë të Doktorit. Por, reagimi i publikut me daljen e Drilonit në skenë ishte i menjëhershëm, ai ka fituar tashmë simpatinë e njerëzve.
Prej sa kohësh angazhohesh në spektaklin Portokalli?
Ky është sezoni im i parë në spektaklin Portokalli. Gjithçka nisi me spektaklin Albanians Got talent, në të cilin unë mora pjesë si fillim. Aty unë realizoja imitimin e Beat Box, që është një lloj improvizimi i ritmeve muzikore. Ishte pikërisht regjisori Altin Basha, që njëkohësisht drejton edhe Portokallinë ai që zbuloi talentin tim. Në këtë spektakel unë kalova deri në gjysmëfinale dhe atje, përveç Beat Box, shtoi edhe imitimin e karakterit të Sali Berishës.
Pse pikërisht Doktorin, pse Berishën pra?
Ishte një farë lidhje që regjisori Basha donte t’i bënte politikës, me ato çka unë imitoja dhe që afrohej me profilin tim artistik. Në fakt më dha dy karaktere, Sali Berishën dhe Alfred Moisiun. Mesa duket me Berishën ja dola më mirë, se të gjithëve menjëherë ju pëlqeu ky imitim i imi.
Sa e vështirë është ta mbash gjatë gjithë kohës në linjë me personazhin real, Berishën tënd?
Ndonjëherë të them të vërtetën, vështirësinë më të madhe e kam tek dialekti, unë vij nga Jugu dhe shpeshherë me rrëshqet gjuha e Doktorit nga duart. Por them se arrij ta mbaj në linjë, ngjyrat e karakterit, plastikën, mimikën i zotëroj tashmë. Vështirësia e vërtetë në fakt është tek forma trupore, unë jam shumë më i dobët. Me shaka e kemi quajtur karakterin tim, “Berisha High Definiton 2”.
Po në dialogjet politike me partnerët në spektakël, sa shprehje të vërteta ka nga gjuha e Berishës?
Improvizimi është thelbi i interpretimit tim, nuk jam i detyruar të kem shembuj nga Berisha i vërtetë në interpretimin tim. Jam i lire të krijoj, të improvizoj mbi figurën time dhe gjërat që duhet të them. Në përgjithësi kështu janë të tre karakteret, që interpretojmë. Unë me Florin jemi edhe më të lidhur me njëri tjetrin, duke qënë në shumicën e rasteve e kemi së bashku komunikimin në skenë.
Po raportin tënd me politikën, si e ke? Këtë vit voton për herë të parë apo jo?
Me kismet, a do votoj nuk e kam vendosur ende. Politika nuk më intereson fare.
Pra nuk do të votosh për PD për hatër të karakterit që të ka bërë kaq të famshëm?
Nuk e kam vendosur, por një gjë e di me siguri: nëse Berisha fiton, për mua është shumë mirë. Ai do vazhdojë të jetë në modë, në qëndër të vëmendjes, e unë do të vazhdoj profesionin tim. Unë e ndjek shumë Berishën edhe për hir të rolit, sidomos kur ka dalje publike. Më pëlqen shumë si karakter, si lider. Por thjesht nuk e kam parë si liderin tim. Gjithsesi nëse një ditë Berisha nuk do të ekzistojë më si figurë politike, unë e kam zgjedhur profesionin tim. Tani jam në vitin e fundit në gjimnaz, kështu që them se do të konkuroj për regjisurë.
Rudina Dembacaj - “Jozefina? Nuk e kam takuar kurrë”
Drejtësia është shkollimi që ka zgjedhur në jetë, por aktualisht derisa të vendosë ta praktikojë atë ka vendosur të merret më aktrimin, e më saktë, humorin. 23 vjeçare, bukuroshe dhe prerë në përgjigjet e saj Rudina Dembacaj, vajza nga qyteti I Lezhës është bërë e famshme me shprehjen e saj “Bakur”, që identifikon një prej figurave më të njohura të politikës shqiptare Jozefina Topalli.
Karakterin e Jozefina Topallit, si vendosët ta bënit tuajin?
Kisha kohë që karakterin e Znj. Topalli e kisha bërë timin. Thjesht vendosa ta shfaq atë për një publik më të gjerë. Ishte nje periudhe kohe, para se te hyja në Portokalli, që unë flisja si Znj.Topalli, sillesha si ajo dhe shkaktoja shume të qeshura. E këtë vendosa ta shfaq te Portokallia. Kisha shumë kërkesa nga miqtë dhe të afërmit të imitoja Znj.Topalli, sa herë më shihnin. Tani kam rënë “rehat”, nuk ma kërkojnë më këtë gjë sepse më shohin në TV ose vijnë të më shohin “live” në spektakël. Ky është sezoni i tretë që unë angazhohem në spektaklin e humorit Portokalli, dhe është mbushur thuajse një vit që unë jam pjesë e tij...
Është e vështirë në interpretim, duket si një karakter i fortë Kryetarja e Parlamentit?
Për mua nuk është i vështirë, është argëtues dhe frymëzues si karakter. Nuk di të them cilat janë karakteristikat tipike, unë nuk e studioj znj. Topalli si karakter, më buron natyrshëm. Nuk kam nevojë të shtirem, apo të kërkoj detaje të sforcuara, madje edhe për gjuhën nuk kam asnjë problem. Unë jam nga Lezha. Ia dal shume mirë të mbaj dhe të përdor dialektin shkodran në përgjithësi.
A je ndjerë nën presion ne Lezhë apo Shkodër për shkak të imitimit të Topallit?
Përkundrazi, të gjithë njerëzit që takoj më përgëzojnë. Gjithashtu më ndodh shpesh të më ndalojnë dhe njerëz që nuk i njoh, të cilët më shprehin simpati për rolin e Znj.Topalli. Kanë ardhur të më shohin në spektakël e të më mbështesin edhe grupe të organizuara nga të dyja këto qytete.
Në shtëpi çfarë mendojnë për rolin që interpretoni, janë dakort, kundër?
E kemi “traditë” në fis imitimin dhe në fakt aty mora vlerësimet e para dhe më besoni nuk ishte fare e thjeshtë. Kjo më ka ndihmuar të përsosem dhe të arrija t’u “bija në sy”. Të afërmit e mi, si të thuash, ndjehen të përfaqësuar në TV, edhe prindërit e mi më mbështesin, sado që në fillim u dukej pak e papërshtatshme.
Ju trukoheni për të arritur rolin. A bën kjo që njerëzit të mos ju njohin kur ju shohin në rrugë?
Më parë ishin shumë të paktë njerëzit që më njihnin në rrugë. Tani më ngjan se më njohin të gjithë sidomos ata që më shohin me vëmendje ju kujtohem nga e folura mimika e qeshura… (kështu më thonë)
Batuta e preferuar nga kolëgët?
“Po iki të kërcej një tangu” është thënë natën e Vitit te Ri.
A do ti hyjë dikur politikës edhe Rudina?
(qesh)me pyesin të gjithë për këtë. Pse jo? Bëj shaka, nuk mendoj ti hyj politikës!
Vetë jeni e majtë apo e djathtë?
Jam përtej të majtës dhe të djathtës (qesh)
A je takuar me zonjën Topalli, që duket se e paske edhe për zemër, përveçse si karakter të cilin e imiton?
Jo, nuk e kam takuar vetë personalisht zonjën Topalli, por gjithsesi kam pasur disa raste përgëzimi për rolin nga disa politikanë.
Në rast të zëvendësimit të këtij personazhi me një tjetër, a ke menduar çfarë do të të mungonte më shumë prej tij?
Topalli është personalitet i politikës, është shumë e njohur per publikun, përtypet më shpejt nga publiku, ndërsa në rast të personazhëve të tjerë, patjetër që është më e vështirë, sepse duhët të bësh të njohur biografinë e tij.
Çfarë mendon se e ka bërë Rudinën ajo që është sot?
Përveç edukimit nga familja dhe lidhja e ngushtë që kam me secilin prej tyre, edhe eksperienca në punë që është shumë e pasur për moshën time. Ndikim të madh te unë besoj se ka pasur edhe jeta ime ndërmjet qyteteve të ndryshne midis kulturave, traditave dhe botëkuptimeve të ndryshme. Por unë tek vetja ime vlerësoj guximin dhe të të them të drejten dhe mua më surprizon vetja ime. I bëj ballë çdo situatë. Jam e sukseshme në çdo gjë, ndjesë për mungesën e modestisë.
Seriozisht, për kë do të votosh në 8 Maj?
Bindjet e mia politike dhe vota ime janë sekret.