Të lira, por me klas! Agjencia Cheap-Chic- Weedings.com ka shpallur fituesin e edicionit të nëntë për stilimin e fustaneve të nusërisë me lëndë të parë letrën higjienike. Dhe fituesja këtë herë është një shqiptare. Mimoza Haska është në profesion parukiere dhe stiliste! Ajo prej vitesh jeton bashkë me familjen e saj në një zonë bregdetare të quajtur Surfside Beach, në Nju Jork. Ajo e emërtoi fustanin “Mjellma e bukur”, duke realizuar një krijim që i përshtatej modelit të saj. Fustani ka një bust të ngjitur pas trupit, një fund të shkurtër, por me një bisht i cili zgjatohet në njërën anë të fustanit, zambakë të pozicionuar thuajse në të gjithë tërësinë e fustanit dhe një kapelë për kokën në formën e një kurore klasike. Për të realizuar këtë fustan ajo ka përdorur më shumë se 16 topa letrash higjienike, si dhe detaje dhe elemente të tjera shtesë për t’i dhënë shkëlqimin e duhur modelit të fustanit të krijuar nga duart e saj.