Futbollisti me ngjyre Familjet shqiptare sna pranojne per dhendure

Futbollisti me ngjyrë: Familjet shqiptare sna pranojnë për dhëndurë

Emri i tij është Moohaomed Abdurahman. Na tregon që ka mbaruar shkollën e mesme dhe pastaj "menaxheri im (Muhamedi është futbollist në një nga klubet shqiptare të futbollit), më shkëputi nga shkolla, sepse donte që unë të luaja".Ai ka ardhur nga Kameruni dhe ndodhet në Shqipëri prej 3 vjetësh. Luan me një skuadër jashtë Tiranës, ndërsa në fundjavë rri në Tiranë, ku ka një shtëpi me qira, bashkë me disa shokë të tjerë kolegë. 


Muhamedin nuk e takuam për ta pyetur rreth futbollit, por rreth marrëdhënies që ai ka ndërtuar këto tre vite me shoqërinë shqiptare, në veçanti me vajzat shqiptare. Intervista me të, në fakt, mund të hedhë dritë mbi disa pyetje, që ndoshta të gjithëve na vijnë në mend, kur i shohim këta djem me ngjyrë që ecin rrugëve të Tiranës. Si jetojnë? Çfarë ndodh kur "përplasen" me shoqërinë shqiptare? A jemi ne racistë? Si sillen vajzat tona me to? Po pjesa tjetër e rinisë së Tiranës, si i pret dhe si i ka raportet me këta të rinj, që vijnë këtu nga "fundi i botës"?


Muhamedin e takojmë në një nga baret e Tiranës. Sa për fillim, po ju themi që, gjatë gjithë kohës që ishim me të, nuk na ndaheshin vështrimet kurioze dhe shpesh tallëse të atyre që rrinin në tavolinat ngjitur. Një djalosh i zi dhe një vajzë e bardhë tiranase, duket që bënte goxha përshtypje. 
Muhamed ende nuk flet qartë shqip, megjithëse kupton mirë. Bisedën me të e zhvilluam në anglisht.


Muhamed, si të duken vajzat shqiptare?


Të bukura, por nervoze me djemtë shqiptarë, me sa kam parë.


Edhe me ju të huajt me ngjyrë janë kështu, nervoze?


Me ne nuk janë kështu, janë shumë xhentile.


Si sillen ato kur ju shohin?


Disa nuk duan të flasin, ndërsa disa të tjera duan me të vërtetë të flasin, por ato kanë frikë për shkak të mentalitetit


Mentalitetit?! D.m.th., ti ndjehesh keq?


Ndonjëherë. Kur sapo kisha ardhur, e kisha shumë të vështirë, por tani është shumë e thjeshtë. Nëse ata nuk më flasin mua, nuk më bëhet vonë, as unë nuk ju flas.


Keni pasur ndonjë të dashur shqiptare?


Nuk mund të them që kam pasur të dashur, por vajza, po.


Çfarë do të thotë kjo?


Në një lidhje unë dua të jem i lirë, d.m.th., të dal me të dashurën sa herë që unë dua, familja e saj të jetë në dijeni dhe të rri sa më rehat, d.m.th., mos ndihem i paragjykuar, pra, të mos më duhet të dal fshehur.


Më qartë, kanë fjetur këto vajza me ju?


Vajzat që kanë qenë me mua, kanë ndenjur me mua dhe kanë fjetur, vetëm për të provuar se si janë të huajt, apo ne, "njerëzit me ngjyrë". Pra, për mua nuk ka qenë një lidhje, ka qenë thjesht miqësi.


Për çfarë vajzash bëhet fjalë? D.m.th., si jeni njohur me to?


Sa për mënyrën se si jam njohur, ka ndodhur që ato të më dërgojnë numrin e celularit nëpërmjet ndonjë kamerieri dhe kam komunikuar më pas nëpërmjet mesazheve, apo dhe telefonatave.


A ke provuar të mbash lidhje më vonë me to?


Me disa po. Por pasi kemi kaluar disa çaste, apo një natë, ato nuk kanë dashur të vinin më me mua.


Pse?


Kjo për shkak të njerëzve. Kjo është dhe arsyeja që unë ju thashë që nuk mund ta quaj lidhje dashurie. Sepse, nëse takohesh me ato më vonë, në kafe, apo qoftë dhe në rrugë, njerëzit përreth të shohin në një mënyrë të çuditshme.


Të ka ndodhur të zihesh me ndonjë mashkull shqiptar, për shkak të ndonjë vajze?


Jam grindur disa herë me djem shqiptarë, sepse më thonë gjëra të çuditshme.


Çfarë gjërash të çuditshme?



Se përse unë shikoj vajzat, me të cilat ata rrinë, p.sh. Dua të theksoj që, disa nga meshkujt shqiptarë, janë shumë arrogantë dhe agresivë.


Kur shkoni nëpër pub-e apo lokale nate në Tiranë, kërceni me vajza shqiptare?


Unë kërcej nëpër pub-e, por vajzat kanë frikë të më afrohen. Mendoj që kjo ndodh pikërisht për shkak të frikës që kanë nga djemtë e pranishëm shqiptarë. Sepse, edhe nëse këto vajza që afrohen të kërcejnë, nuk janë të shoqëruara nga meshkuj, ato shihen "ndryshe" nga të tjerët që ndodhen në pub. Nuk e di, por më duket sikur ata e quajnë për ofendim një veprim të tillë. Kur unë nis të kërcej i vetëm, vajzave shqiptare u pëlqen mënyra se si ne kërcejmë, ne e kuptojmë këtë nga mënyra se si ato na shohin. 
Dua të them edhe diçka, që ka dhe raste kur ne nuk na lejojnë të hyjmë në pub-e.


Edhe në rastet kur jeni të shoqëruar nga femra?


Po, ka shumë raste, kur unë shkoj vetëm me shokët e mi, të cilët janë edhe ata njerëz me ngjyrë. Ngaqë ata që rrinë tek dera nuk kanë guximin të na e thonë hapur, që ju nuk mund të hyni për shkak të lëkurës, gjejnë lloj-lloj justifikimesh të tipit: s\'ka vend, ka prenotime. Na ka ndodhur që të mos na futin edhe në rastet kur kemi qenë me vajza shqiptare, pra të bardha, por kjo ndodh më rrallë.


Muhamed, ke menduar ndonjëherë që të martohesh me ndonjë vajzë shqiptare?


Jo, dhe kjo vetëm për shkak të mentalitetit këtu. Unë nuk mund jem i lumtur asnjëherë, por, edhe nëse ajo vajzë që mund të martohej me mua do të ishte e lumtur, ajo nuk do të mund të jetonte në Shqipëri. Familja e saj nuk do ta lejonte këtë fakt, dhe nuk do të pranonte asnjëherë. Unë e di shumë mirë që ajo nuk do të ndjehet asnjëherë "e lirë" për shkak të mentalitetit.


Ka ndodhur ndonjëherë që ia ke thënë një vajze shqiptare dëshirën për martesë?


Një herë më ka ndodhur që, një vajzë të më thotë që, nëse do martohem me ty, mund të jetoj vetëm jashtë, këtu nuk mundem.
Edhe një shoku im ka qenë i lidhur vetëm për dy javë dhe janë ndarë, sapo e ka marrë vesh familja e saj.

Po në Kamerun, si shihet martesa mes një njeriu me ngjyrë dhe një njeriu të bardhë?


Shumë martesa bëhen, qoftë raste kur vajza me ngjyrë martohen me meshkuj të bardhë dhe qoftë meshkuj me ngjyrë që martohen me femra me ngjyrë. Është një vend i lirë nga mentalitetet dhe paragjykimet.


Si janë vajzat shqiptare në një lidhje, krahasuar me vajzat e vendeve të tjera?


Vajzave shqiptare u mungon liria.


Po në qytetin ku luan futboll, (Ballsh) a ke shoqe shqiptare?


Jo, as që bëhet fjalë.


Flasim për vajza, të cilat i ke vetëm shoqe, asgjë më tepër...


Jo, jo. Ai është qytet i vogël dhe dihet që mentaliteti është më i egër. Shoqet e mia të vetme janë vetëm në Tiranë. Në Ballsh kam miqtë e skuadrës. Atje shkoj vetëm për punën, por miq nuk kam.


A ju ndodh që të ecni në rrugë dhe të dëgjoni ofendime, sepse ti kupton shqip, me sa shoh...


Gjithmonë. Dëgjoj shumë gjëra.


Çfarë mendon kur dëgjon ofendime në rrugë?


Mendoj që janë njerëz që nuk e pranojnë dot faktin që ne jemi të "ndryshëm", dhe pse ky ndryshim është vetëm në lëkurë. Në fund të fundit, ne jemi njerëz si gjithë të tjerët, me të mira dhe të këqija.


Në tre vjet, nuk ka ndryshuar fare kjo sjellje?


Unë mendoj që kjo gjë nuk ka për të ndryshuar kurrë. Rastis që ka prindër me fëmijë në duar dhe i tregojnë fëmijës së tyre me gisht nga ne. Atëherë, më thuaj, si mund të ndryshojë ky mentalitet, kur ata fëmijë nisin të na shohin ndryshe që në moshë fare të vogël? Ata rriten me këtë paragjykim ndaj nesh.


Keni luajtur në vende të tjera futboll? 


Unë kam qenë në Turqi, Mal të Zi, Maqedoni.


Njësoj është sjella ndaj jush, edhe atje?


Jo, jo. Andej kam edhe shumë miq të mitë, që janë martuar me vajza të bardha, diçka që në Shqipëri nuk ndodh kurrë. Ndaj them me plot gojë, që mentaliteti i këtushëm ndaj njerëzve me ngjyrë, është më i fortë se në çdo vend tjetër.

 

 

Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama