Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle ndodhet sot në Tiranë për të dhënë një lajm të mirë. Ai ka konfirmuar qëndrimin e Komisionit Evropian pro marrjes se statusit kandidat. Në fakt ai vjen për të dytën herë radhazi brenda gjashtë muajve me të njëjtin qëndrim pozitiv, por vendimi përfundimtar i përket Këshillit të Ministrave të BE-së që pritet të mblidhet së shpejti.
Fyle pati një takim me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama, takim që u bë me dyer te mbyllura. Takimi i parapriu nisjes së raundit të tretë të Dialogut të Nivelit të Lartë mbi Përparësitë Kyçe për Shqipërinë.
Pas takimit me eurokomisionerin, kryeministri Rama shkruajti në rrjetin social “Tëitter” se shpreson në një vlerësim pozitiv të KE-së. “Në orën 10:00 nis Dialogu i Nivelit të Lartë dhe paralelisht bëhet publik online Raporti i Progresit i Komisionit Europian për Shqipërinë, Shpresoj!”- shkruan Rama.
Ndërkohë raporti që nuk është bërë akoma publik ka qëndrime pozitive për qeverisjen, siç raporton Zëri i Amerikës.
“Bazuar në gjetjet e raportit, Komisioni Europian konfirmon rekomandimin e tij se Këshilli duhet t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”. Ky është përfundimi i raportit të ri që Komisioni Europian ka hartuar pas kërkesës së dhjetorit të shkuar nga ana e vendeve anëtare.
Raporti, një kopje të së cilit e ka siguruar “Zëri i Amerikës”, është i fokusuar në vlerësimin e përparimit të bërë në tre fusha kyçe: në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe në reformat në sistemin gjyqësor.
“Shqipëria ka vazhduar të zbatojë dhe të konsolidojë masat e saj përsa i përket reformave që lidhen me BE-në, veçanërisht ato që lidhen me statusin kandidat. Ka patur një vullnet të vazhdueshëm politik për të vepruar me vendosmëri në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe reformat strukturore dëshmojnë një qasje gjithëpërfshirëse ku janë bërë pjesë një gamë e gjerë institucionesh. Reforma të rëndësishme legjislative janë ndërmarrë në luftën kundër krimit të organizuar dhe hetimet kanë dhënë rezultate pozitive në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe fusha të tjera të krimeve të rënda dhe krimit të organizuar. Shqipëria ka dëshmuar angazhimin e vet për reformën e sistemit gjyqësor, veçanërisht duke punuar me Komisionin e Venecias për të përmirësuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin e sistemit”, – vlerëson raporti.
Dokumenti i Komisionit ndalet edhe në atë se çfarë Shqipëria duhet të bëjë për të ecur më tej në procesin e integrimit europian.
“Eshtë e rëndësishme që qasja sistematike ndaj reformave të vazhdojë ndërsa rezultatet e qëndrueshme do të jenë të një rëndësie kyce për integrimin e saj të mëtejshëm europian. Ky raport ka identifikuar ndërkohë një numër sfidash kyçe, thelbësore që Shqipëria të përparojë më tej me vendosmëri në rrugën e saj të integrimit europian”, -nënvizon raporti.