Fytyrat femerore te vitit 2011

Fytyrat femerore te vitit 2011
Gratë e renditura më poshtë janë vetëm disa nga ato që bënë kryelajmet e vitit që po përcjellim, gjatë muajve të tij. Kemi përzgjedhur një grua për çdo muaj të vitit, edhe pse sigurisht që ato janë më të shumta.

Janar

Kongresmenia amerikane, Gabrielle Gifford, në fillim të janarit ndodhej në një nga takimet e rregullta në Tuscon, vendlindjen e saj në Arizonë, kur një njeri i armatosur e qëlloi me një armë zjarri në kokë, duke marrë jetën e gjashtë personave të tjerë. Por për fat të mirë, kongresmenia nuk vdiq, edhe pse u plagos rëndë dhe për një kohë të gjatë ishte në situatën e rrezikut për jetën. Pas goditjes iu nënshtrua një operacioni në tru. I shoqi i saj, astronauti i NASA-s, Mark Kelly shkoi menjëherë tek ajo në shtratin e spitalit. Vetëm në muajin gusht, politikania me një fat të jashtëzakonshëm u rikuperua mirë dhe mundi që për herë të parë të dilte edhe në publik, madje të shkonte në Kongres për të votuar për rritjen e limitit të borxhit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar në sallë një ovacion të gjatë. Në një intervistë të mëpastajshme televizive deklaroi se, shpëtimi i saj kishte qenë shumë i vështirë dhe se e konsideronte gjithçka një mrekulli të Zotit.
Shkurti

Adele ka qenë një nga fenomenet më të mrekullueshëm dhe të jashtëzakonshëm muzikorë të këtij viti. Në muajin shkurt, pasi performoi këngën “Someone Like You” në ‘Brit Awards’, Adele shkoi në vendin e parë të klasifikimit britanik. Albumi “21”, ndërkohë kishte kohë që ishte gjithashtu në krye të klasifikimi. Ajo u shndërrua menjëherë në artisten e parë në jetë që arriti në maja kaq të larta si për sa i përket albumit, ashtu edhe këngës së sipërpërmendur. Para saj, një sukses të tillë e kanë arritur vetëm ‘Beatles’. Veç kësaj, kënga ‘Someone Like You’ u shndërrua në këngën numër një në klasifikimin botëror dhe albumi gjithashtu zuri vendin e parë në 18 vende të ndryshme të botës. Më pas, gjatë vitit ajo mori 6 kandidatura për çmimet ‘Grammy’ dhe u konsiderua si artistja më e suksesshme para vetë famëkëqijave Rihana dhe Lady Gaga.

Mars

Libiania Ean al-Obeidi, 29-vjeçare, i çuditi të gjithë kur hyri në sallën kryesore të ‘Eixos Hotel’, në Tripoli për t’i deklaruar të gjithë përfaqësuesve të mediave të huaja që ishin aty se ajo ishte rrahur dhe përdhunuar nga anëtarët e milicisë së Muhamar Gadafit. Ajo tregoi edhe plagët e saj në trup. Tani ajo ka marrë azil politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prill

Pippa Middleton, nga një njeri thuajse i panjohur u vu në qendër të faqeve të para të gazetës me një katapultim të denjë për fuqinë e mediave rozë. Ajo është motra e Princeshës Katerinë, gruas së Princit William dhe ra shumë në sy me fustanin e saj të bardhë në ceremoninë martesore të së motrës. Veçanërisht e shumëdiskutuar ishte pjesa e prapme e trupit të saj, që pati edhe shumë fansa në ‘FaceBook’. Tashmë 27-vjeçarja ndodhet thuajse çdo ditë në faqet e tabloidëve britanikë, duke u shndërruar në një nga gratë më të ndjekura të revistave dhe paparacëve.

Maji

Edhe muajin maj po ja rezervojmë një gruaje që nga një fytyrë e panjohur u vendos në qendër të botës. Ajo është një 32-vjeçare emigrante në SHBA nga Guineja, që shkaktoi një sensacion në të dy anët e Atlantikut kur akuzoi kreun e atëhershëm të FMN-së, Strauss Khan për përdhunim dhe sulm seksual në hotelin ku ajo punonte dhe ai kishte qëndruar për disa ditë. Politikani francez i mohoi të gjitha pretendimet e gruas, por iu bë një dëm shumë i madh. Ai u largua nga detyra për të përballuar gjyqin. Por gjyqi u ndërpre për shkak të mungesës së provave të akuzueses.

Qershor

Li Na bëri histori si lojtarja e parë kineze që fitoi një ndeshje të famshme tenisi në fitoren kundër kampiones Francesca Schiavone, në French Open. Ajo është shumë popullore në Kinë dhe ka shumë famë, por edhe si arrogante dhe paksa e çuditshme.

Korriku

Kur Charlene Wittstack u martua me princin Alberto të Monakos, u duk gjithçka si një përrallë e zakonshme. Ajo ishte një vajzë e thjeshtë, e bija e një shitësi fotokopjesh që po martohej me një nga princat më të pasur të Europës. Por kjo ngjarje u turbullua paraprakisht, por edhe më pas nga lajmi se nusja kishte tentuar që të ikte për shkak të fjalëve që ishin përhapur për mungesën e besnikërisë të të shoqit. Familja mbretërore i përgënjeshtroi lajmet dhe të paktën nga jashtë çifti tani duket i lumtur dhe i qetë.

Gushti

Kongresmenia republikane, Michele Bachmann fitoi një sondazh parazgjedhor në vendlindjen e saj, që konsiderohej edhe si testi i parë zgjedhor për kandidatët republikanë që do të sfidojnë Omabën vitin e ardhshëm. Ajo ka qenë një nga më të famshmet e lëvizjes ‘Tea Party’, por aktualisht është thuajse në fund të klasifikimeve dhe për të arritur një fitore do t’i duhet që të kalojë male të tjera.

Shtatori

Presidentja e Brazilit e sapozgjedhur, Dilma Roussef u bë gruaja e parë që çeli një debat në Asamblenë e OKB-së. Mes duartrokitjeve të mëdha, ajo tha se ishte e bindur se shekulli i 21-të do të ishte shekulli i grave. Ajo është gruaja e parë që u zgjodh në detyrën e lartë në Brazil dhe më parë kishte arritur reputacion si ekonomiste dhe reformatore.
Tetori

Një nga gratë më të pasura dhe të çuditshme të Spanjës, Dukesha e Albës u martua sërish në moshën 85-vjeçare me një nëpunës 25 vjet më të ri në moshë. Pasuria e dukeshës thuhet se është 4 miliardë  dollarë dhe dyshohet se ajo mund ta ndajë pasurinë me të shoqin pas vdekjes.

Nëntori

Oficerja Kelsey de Santis, nga Virxhinia, realizoi ëndrrën e jetës së saj kur aktori Justin Timberlake pranoi në ‘You Tube’ që ta shoqëronte në një ballo. Pas ngjarjes, ajo deklaroi se ishte e mrekulluar nga përgjigjja dhe gatishmëria e yllit të këngës.

Dhjetor

Sweetie së bashku me Sunshine, pandën tjetër gjigante, u pritën me madhështi në aeroportin e Edinburgut, pas një udhëtimi 11- orësh nga Kina. Mbërritja e tyre është kulmimi i 5 viteve të lobimit të Shoqërisë Mbretërore të Skocisë dhe qeverisë britanike. Këto panda janë dhënë me një qira prej 600 mijë paundësh në vit dhe shkencëtarët shpresojnë që gjatë qëndrimit, ato do të prodhojnë një këlysh që do të jetë si edhe prindërit e tij, shumë i rrallë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama