Sipas njërit prej profesorëve që ka ndërmarrë studimin e mësipërm, njerëzit me fytyrë të gjerë kanë një shprehje më të madhe agresiviteti dhe një sjellje egoiste, në qendër të së cilës është interesi personal dhe mirëqenia personale. Ajo çka është e rëndësishme, është gjetja e fakteve që dëshmojnë për një lidhje mes proporcionit të fytyrës së njerëzve, pra përllogaritjes së raportit të gjerësisë me gjatësinë, dhe sjelljeve të tyre, veçanërisht për sa i takon shprehjes së sinqeritetit. Kështu, njerëzit me fytyrë më të gjerë se të tjerët ndihen më të fuqishëm e të pushtetshëm dhe kjo ndjesi pushteti i bën që të kryejnë një numër më të madh sjelljesh joetike krahasuar me një raport tjetër të gjatësisë me gjerësinë.
Studimi i mësipërm ka përfshirë një grup prej 192 studentësh të degës së Biznesit dhe ideja ishte se sa të gatshëm ishin këta në përgjithësi për të gënjyer, me qëllim përfitimin në një operacion të caktuar financiar, pra sa të gatshëm ishin që të shkelnin të gjithë skrupujt për të arritur qëllimin personal të përfitimit. Kjo gjithmonë në rastet kur ka një fitim dhe ka edhe konkurrentë. Në një eksperiment të tillë ata që e kishin një fytyrë më të gjerë së të tjerët shfaqën një aftësi tri herë më të madhe se të tjerët në lidhje me mashtrimin dhe thënien e gënjeshtrave. Ndërsa ata që kishin fytyrë më të ngushtë ishin më të prirur që të tregoheshin të ndershëm dhe të drejtë në lidhje me çështjen e biznesit që po diskutohej. Për ta etika vinte para përfitimit personal përmes mjeteve mashtruese. Rezultati i këtij studimi, edhe pse mund t’i duket dikujt i çuditshëm, është botuar në një revistë shkencore me shumë autoritet së fundi.
“Zbulimet tona sugjerojnë se disa njerëz janë thjesht të predispozuar që të veprojnë në mënyrë jo etike që të arrijnë qëllimet e tyre. Madje ata nuk ndalen para asgjëje që do të vinte në pikëpyetje arritjen e qëllimit dhe në këtë pikë mungesa e skrupujve mund të mos ketë kufi. Sigurisht që kemi të bëjmë me një fenomen që ka ndikime të rëndësishme praktike. Për shembull, para se të nisemi që të blejmë diçka duhet që të shohim fytyrën e shitësit. Në rast se ai na paraqitet me një fytyrë të gjerë ka shumë mundësi që të përdorë djallëzi dhe mungesë ndershmërie në shitjen e mallit. Ndaj para një blerjeje duhet që të kontaktohet më parë shitësi për të parë nëse ka mundësi që të na gënjejë apo jo.
Sigurisht bëhet fjalë për metoda që i përdorin psikologët apo njerëzit e specializuar nëpër kompani të ndryshme që merren me kontrata të mëdha dhe që duan një informacion sa më të plotë në lidhje me palët, me të cilat bëjnë biznes. Ndërkohë një tjetër eksperiment është bërë për të ekzaminuar format e fytyrës së 60 shefave të ndryshëm, ekzekutivë të bizneseve të mëdha nga 500 kompani të fuqishme. Ata që kishin fytyrë më të gjerë krahasuar me ata që kishin fytyrë të gjatë dhe të ngushtë ishin edhe më të suksesshëm në qeverisjen e kompanive të tyre, pra ata ishin agresivë, të pamoralshëm, me shumë shkelje etike dhe me një sasi të madhe të mungesës së skrupujve.
Është gjithashtu e rëndësishme të kuptojmë se ky është vetëm një studim dhe se nuk duhet të fiksohemi te ideja se njerëzit me fytyrë të gjerë janë domosdoshmërish hileqarë. Pa asnjë dyshim agresiviteti dhe mashtrimi janë edhe tipar i njerëzve të tjerë, por ky ishte vetëm përfundimi i një studimi që nënvizon një fenomen ndër shumë të tjerë që tregojnë një lidhje të mundshme të tipareve të jashtme njerëzore me karakteristikat e brendshme.