GKA konkurs kombetar per logon e 200 vjetorit te De Rades

GKA, konkurs kombetar per logon e 200 vjetorit te De Rades

Galeria Kombëtare e Arteve ka shpallur konkursin kombëtar për realizimin e logos së "200 Vjetorit të Lindjes së Poetit Arbëresh Jeronim De Rada". Konkursi erdhi me kërkesë dhe mbështetje ligjore nga ana e Ministrisë së Kulturës, ku logoja e 200 vjetorit të lindjes së poetit arbëresh Jaronim De Rada”, do të  shoqërojë dokumentet zyrtare të Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve të varësisë, që do të përfshihen në veprimtari për Vitin De Radian.   Gjithashtu kjo logo mund t’i bashkëngjitet të gjithë posterave, ftesave dhe në përgjithësi imazheve të lidhura drejtpërsëdrejti me këto festime. Logoja për 200 vjetorin e lindjes së poetit arbëresh Jeronim De Rada do të pasqyrojë këtë ngjarje kushtuar  figurës së  poetit, publicistit, folkloristit, filologut, mësuesit dhe  themeluesit të letërsisë dhe i kulturës arbëreshe. De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare. Ai është i pari që shkroi vepra me frymë kombëtare. Figura e tij ngrihet si figura më e kulluar dhe më e fuqishme e letërsisë dhe e botës arbëreshe. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i madh.  

 

Tradita poetike shkruar prej tij vijon të jetojë e përtërirë edhe në letërsinë e sotme arbëreshe. Ai mban titullin "Mësues i Popullit". Realizimi i logos me rastin e 200 vjetorit të lindjes është një homazh dhe respekt mbi personalitetin e një prej figurave të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Konkursi që u çel më datë 10 tetor do të përfundojë më datën 30 të këtij muaji, ku juria në datën 31 tetor do të bëjë shpalljen e fituesit në Bibliotekën e GKA-së. Sipas MK, në konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë artistë profesionistë  dhe studio dizajni dhe modeli fitues bëhet pronë e fondit të GKA. Çdo pjesëmarrës konkurron vetëm me një punim. Punimi duhet të jetë origjinal, i papublikuar më parë dhe i pakopjuar nga një autor i njohur shqiptar apo i huaj. Në konkurs pranohen punime individuale dhe punime të realizuara në grup. Punimi i logos, sëbashku me shkrimin “200 Vjetori i Lindjes së Poetit Arbëresh Jeronim De Rada”, duhet të jetë e realizuar si punim artistik dhe grafik. Juria e konkursit përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, personalitete nga fusha e artit dhe e kulturës. Vlerësimi artistik i çmimit fitues është 180 000 lekë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama