Gabimet qe bejme nen driten e diellit

Gabimet që bëjmë nën dritën e diellit
Rërë e ngrohtë, një puhizë e lehtë që të ledhaton trupin dhe po të mbyllësh sytë të duket sikur je në një ëndërr. Ditët e nxehta të verës kanë filluar "të vjedhin" orët e fundit që i kanë mbetur stinës së pranverës. Tashmë, trupat e njerëzve janë të zhveshur tërësisht nga rrobat me mëngë të gjata, madje shumë prej tyre kanë marrë edhe ngjyrë, sepse u janë drejtuar qendrave të bukurisë duke bërë solar, duke menduar se kjo e fundit "i mbron nga djegia" në plazh. Të tjerë u janë drejtuar farmacive për të blerë solucione që e mbrojnë trupin nga dielli. Dikush tjetër ka zgjedhur një krem solar me faktor mbrojtës mesatar, kështu mund të qëndrojë gjatë gjithë kohës nën rrezet e diellit pa u shqetësuar. Si ju duket?

Mendoni se gjithçka është në rregull, apo jo? Gjithsesi, kjo është ajo që pjesa më e madhe prej nesh ka parë, dëgjuar e lexuar, ose thjesht që bën çdo vit, sepse jemi mësuar kështu. Megjithatë, duke u ekspozuar në këtë mënyrë gjatë gjithë kohës në diell, pa u mbrojtur, rrezikojmë të bëjmë gabime të vogla e të mëdha, me pasoja që ndikojnë menjëherë në lëkurë, apo rreziqe të tjera që shfaqen dalëngadalë me kalimin e kohës. Shpesh ato që na ngatërrojnë idetë për pasojat e rënda dhe dobitë e rrezeve të diellit janë mesazhet kontradiktore. Lajmi i fundit është publikuar vetëm disa muaj më parë: në fund të fundit, dielli nuk të bën dhe aq keq, madje ndihmon në parandalimin e kancerit, duke favorizuar formimin e vitaminës D (këtë e ka bërë të ditur një studim i institutit për studimin e kancerit në Oslo). Një studim i dytë (publikuar në "International Journal of Cancer") e ka rritur dozën, duke thënë se ekspozimi në diell, sigurisht duke u mbrojtur, eviton linfomën e Hodgkin (LH, një lloj tumori mjaft i rrallë). Në Shtetet e Bashkuara, "Indoor tanning association" (shoqata amerikane e pronarëve të solarëve) i ka përdorur menjëherë këto studime për një fushatë shkatërruese për mungesë informacioni. Slogani i tyre ishte ky: "Lamtumirë frikës dhe shqetësimit, dielli të bën mirë dhe kaq".

"Janë shfaqur vetëm disa cilësi të efikasitetit të vitaminës D kundër kancerit, ndërkohë që lidhja mes ekspozimit në diell dhe tumoreve të lëkurës është forcuar. Gjithashtu, nuk duhet të qëndrojmë gjithë ditën para diellit për të marrë një ngjyrë të bukur. Në ndihmë do t‘u vinin edhe 10 minuta, apo një dietë e shëndetshme me fruta e zarzavate. Doja të saktësoja gjithashtu se solari është i dëmshëm për trupin e njeriut. Nuk është e vërtetë që dhomat e tyre janë të kontrolluara", thekson për "Newsweek" presidenti i "American academy of dermatology".

Kjo është një bindje mjaft e përhapur, ashtu siç konfirmon edhe drejtori i shërbimit të fitoterapisë në institutin dermatologjik në Çikago: "Në ndryshim nga ç‘mendohej disa vite më parë, "melanoma" (lloj tumori malinj) është më e lidhur me rrezet Uva, ato që lëshohen nga llambat, të cilat futen në thellësi e më pak e lidhur me ato në kombinimin Uva-Uvb, të pranishme në dritën natyrore. Ndaj, bërja e disa seancave solar para vajtjes në plazh, për të ulur formacionin e melaninës dhe për t‘u ndier të mbrojtur, është e gabuar".

Rreziku është shumë i limituar nëse u drejtoheni solarëve herë pas here, gjë e cila nuk duhet nënvleftësuar nga ata që e përdorin gjatë gjithë vitit. Ky nuk është gabimi i vetëm që bëjnë përdoruesit e solarëve. Ka edhe nga ata që para se të marrin pushimet përfitojnë vetëm fundjavave për t‘u nxirë. Ndërsa disa të tjerë ngrihen herët të shtunave në mëngjes dhe me një krem solar të mbetur në sirtar nga viti i kaluar, me faktor mbrojtës jo më të lartë se 10, lyhen e shkojnë në plazh ose park për të kaluar ditën.

Sipas projektit të Bashkimit Evropian për parandalimin e "melanomës", një tubet 100 mililitra shërben për tre ose katër përdorime gjithsej. Është e këshillueshme që çdo dy orë trupi të lyhet me krem, pasi të dilni nga uji. Edhe manuali i përdorimit shkruan se kremi duhet të qëndrojë në ambiente të freskëta, si dhe nëse i ruan apo jo vetitë e tij edhe pas daljes nga uji. Ja një tjetër iluzion që duhet sqaruar: kremrat e butë e transparentë nuk e bllokojnë rrezatimin e rrezeve të diellit. Për ta mbrojtur vërtet lëkurën, kremi duhet përdorur shpesh.

Nëse nuk respektohen këto rregulla, rreziku që na kanoset është i madh dhe nuk përfshin vetëm "melanomën" (forma më agresive e kancerit të lëkurës, që nuk e kalon 10 për qind të totalit), por edhe karcinomën e basaliomën, dy forma tumorale të frikshme, por që nuk duhen lënë pas dore, sidomos e para, pasi metastazat e saj përhapen me shpejtësi. "Faktorët e rrezikshëm për melanomën njihen pjesërisht. Disa prej janë të lidhur me sytë, flokët dhe lëkurat e bardha, praninë e qukave me formë dhe madhësi të ndryshme", shpjegon ish-drejtori shkencor i institutit të tumoreve në Milano dhe president i programit "Melanoma" të OBSH-së. "Për ata që janë të predispozuar të ekspozohen në diell pa kremra mbrojtës, djegia nuk përbën ndonjë problem shqetësues, duke qenë se janë mësuar kështu që të vegjël".

Në nëntë nga dhjetë raste, kanceri i lëkurës shfaqet në dy forma: basalioma përfshin shtresat më të thella të epidermës dhe duket si një nyjëz e vogël me ngjyrë, vazhdon më tej ai. Pas heqjes, mund të konsiderohet e shëruar; ndërsa karcinoma, e ka origjinën nga shtresat sipërfaqësore dhe është e lidhur me djegien nga dielli (haset lehtësisht mbi fytyrë dhe shpinë). Ky lloj tumori rrallëherë jep metastaza, por sërish duhet kontrolluar. Zakonisht, nëse në trupin e një individi gjendet një kancer i tillë, atëherë është shumë e thjesht të zhvillohen edhe tipe të tjera tumoresh, të cilat duhen hequr sa më shpejt të jetë e mundur.

Zgjidhja e vetme, duke evituar ekspozimin në orët e drekës, është përdorimi korrekt i kremrave solarë. Edhe nga kjo anë kemi të reja. "Në manualin e përdorimit, e gjithashtu nëpër reklama, janë fshirë disa diçitura, sepse nuk ekzistojnë substanca që janë në gjendje të filtrojnë komplet rrezet e diellit. Faktorët mbrojtës janë bërë uniform në nivel evropian, ndaj më i këshillueshmi është 50+. Kremrat me faktor mbrojtës më të ulët se 6 nuk janë cilësuar si solarë, por kozmetikë, për të mbajtur trupin të hidratuar e të butë", thotë ai.

Përkrah shifrave, shoqatat e konsumatorëve kanë shkruar me shkronja kapitale një diçiturë mjaft domethënëse: Për një faktor nga 6 deri në 10 duhet shkruar "mbrojtje e ulët"; nga 15 deri në 30 "mbrojtje mesatare"; nga 30 deri në 50 "mbrojtje e lartë"; ndërsa me 50+ "mbrojtje maksimale". Shoqata këshillon të verifikohet data e skadencës dhe të mos përdoren produktet e hapura në fillim të vitit, sepse filtrat solarë kimikë prishen lehtësisht.

Ja një e dhënë tjetër e rëndësishme, që jo të gjithë e dinë: filtrat mund të jenë të paqëndrueshëm e të prishen edhe për shkak të vetë diellit, ndaj është i këshillueshëm një krem me faktor mbrojtës të lartë (kjo duhet të jetë e shkruar në etiketë).

Filtrat fizikë (përmbajnë zink dhe lënë ngjyrë të bardhë në trup) nuk e kalojnë faktorin mbrojtës 30 dhe për të qenë vërtet efikasë u duhen bashkangjitur atyre kimikë.

Po ilaçet që premtojnë mbrojtjen e lëkurës? "Mund të jenë të vlefshme për të mbajtur të aktivizuar mbrojtjet imunitare të lëkurës, por nuk zëvendësojnë kremrat solarë". Në fakt, ilaçet përmbajnë antioksidues si betacaroteni, "likopene" dhe enzima laktike. Por, shoqatat e konsumatorëve pohojnë se bëhet fjalë për elementë që gjenden te zarzavatet, si karotat, domatet dhe prodhimet e qumështit. Gjithashtu, për të pasur rezultate të ngjashme duhet të ushqeheni në mënyrë sa më të shëndetshme, duke konsumuar sallatë dhe kos.

Një kujdes të veçantë duhet t‘u kushtoni kremrave vetënxirës, të cilët stimulojnë prodhimin e melaninës, por nuk ofrojnë mbrojtje. Ndërsa kremrat super të shpejtë janë thjesht ngjyrues.

Përveç tumoreve, nuk duhen neglizhuar efektet e tjera të diellit, siç është edhe eritema, një lloj reagimi alergjik ndaj dritës. "Pjesa më e madhe e atyre që vuajnë nga kjo anomali përdorin kortizol, pa llogaritur më pas që ekspozimi bëhet i pamundur. Për shembull, sensibilizimi përmes shoqatave është bërë në lidhje me rrezet e marra në vendet tropikale, por jo më pak edhe kundrejt atyre të marra në Mesdhe. Për të parandaluar problemet e shumta duhet bërë një analizë korrekte e mënyrës se si trupi reagon ndaj dritës së diellit, për shembull falë stimuluesit diellor, një përbërës që ndihmon për të studiuar ekzaktësisht fototipin e një peroni".

Vlerësimi i fototipit është i vlefshëm për të shmangur rreziqe më serioze, si djegiet nga dielli, që mund të jenë shumë të dhimbshme, shoqëruar me temperaturë dhe dehidratim.

Mbrojtja për sytë

Ashtu si lëkura, edhe sytë janë të ndjeshëm ndaj ekspozimit në diell

Më të rrezikuar janë të moshuarit dhe fëmijët

Retë filtrojnë 80 për qind të rrezeve

Kontakti me ujin, borën, shiun, dyshemenë, rërën rrit rrezikun, sepse rrezet e diellit reflektohen mbi këto sipërfaqe

Është e rëndësishme t‘i mësojmë sytë me syze dielli mbrojtëse


Të mbrohemi gjatë gjithë vitit

Për ata që janë bardhoshë dhe të ndjeshëm ndaj diellit, kujdesi vetëm gjatë stinës së verës nuk është i mjaftueshëm. Edhe gjatë muajve të tjerë të vitit fytyra dhe duart janë të ekspozuara në diell. Jo rastësisht shumë personave që vuajnë nga "melanoma" (por edhe karcinoma) u shfaqen probleme në këto pjesë të trupit.

Ja disa këshilla të thjeshta për një mbrojtje më të thellë:


Duhet të shmangni në maksimum nxirjen artificiale

Edhe në dimër duhet të përdorni një krem me faktor mbrojtës 15

Të sapolindurit nuk duhet të nxirren në dritë. Kremrat solarë duhet të përdoren vetëm pasi të vegjlit të kenë mbushur 6 muaj

Të paktën një herë në vit duhet të bëni analizat e lëkurës në qendra të specializuara

Për çdo ndryshim të ngjyrës, formës dhe pamjes që keni (për tumoret e lëkurës të lartpërmendura) duhet të vini në dijeni mjekun

Nga Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama