Galerite nuk raportojne fondet

'Galerite nuk raportojne fondet'
Një grup, në përbërje të të cilit janë specialistë nga MTKRS-ja, Galeria e Arteve, Muzeu Historik dhe Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, kanë inspektuar galeritë dhe muzetë e Korçës, Vlorës, Beratit dhe Shkodrës. Specialistët kanë konstatuar probleme të inventarizimit dhe kushteve në të cilat ruhen veprat dhe objektet

Ferdinand Yzeiri: Ka ende vepra pa kartela

Pjesa më e madhe e galerive dhe muzeve në Shqipëri kanë ende probleme me inventarizimin. Fenomeni problematik është konstatuar edhe pas inspektimit që një grup pune ndërmori me kërkesë të Ministrisë së Kulturës. Reagimi erdhi pas vjedhjes së më shumë se 50 pikturave në galerinë “Guri Madhi” të Korçës. I përbërë nga specialistë të MTKRS-së, Galerisë Kombëtare, Muzeut Historik dhe Qendrës së Inventarizimit të Pasurive Kulturore, ky grup ka inspektuar së pari galeritë dhe muzetë në Korçë, Vlorë, Berat dhe Shkodër.

Mungesa e inventarizimit, ambientet me lagështirë ku ruhen fondet apo dalja jashtë funksionit e muzeve (rasti i Beratit), kanë qenë disa nga problematikat e konstatuara. Ferdinand Yzeiri, specialist i Qendrës së Inventarizimit të Pasurive Kulturore, thotë se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, një pjesë e veprave dhe objekteve ende nuk janë inventarizuar dhe kataloguar.

Në këtë inspektim të parë kanë qenë problematike Galeria e Korçës dhe e Vlorës, ndërsa Berati dhe Shkodra e kanë kryer këtë proces. Nga ana tjetër, Yzeiri deklaron se edhe galeri të tjera bëjnë rezistencë, ku u kërkohet shifra e saktë e fondit që ato zotërojnë. “Galeritë varen nga bashkitë dhe fjalët tona bien në vesh të shurdhër. Që në fillim të vitit, ne si institucion u kemi nisur letra të gjitha galerive për të na raportuar se sa kanë fonde. Shumica nuk raportojnë ose na thonë shifra që përkojnë vetëm me pjesën e inventarizuar, gjë që hedh dyshime më tej për ndërrime veprash.

Ne pak a shumë ishim në dijeni të gjendjes, sepse kemi bërë vizita edhe para këtij komisioni. Me galerinë e Korçës kemi pasur edhe më parë probleme. Ata na kanë raportuar 440 vepra, të cilat ne i kemi të kataloguara, por kur ndodhi vjedhja dhe u pa regjistri themeltar, doli se kishte më shumë vepra (rreth 690) se ato që ishin kataloguar. Në fakt, kjo galeri thuajse nuk ishte funksionale, përveçse hapej me ekspozita të caktuara. Ndërsa ambienti ku ruhej fondi ishte plot lagështirë”, pohon Yzeiri.

Problematika janë paraqitur edhe në galerinë e Vlorës, në momentin e inspektimit në rikonstruksion, ku sërish ka pasur vepra të painventarizuara. Yzeiri shprehet se nuk kanë mundur dot të hyjnë në fond për të parë gjendjen e ruajtjes, pasi edhe pse ishin lajmëruar nuk ishte punonjësi, por, sipas tij, ka edhe vepra të dëmtuara të cilat gjithsesi duhen kataloguar që të jenë si dëshmi.

“Problematika shfaqin edhe muzetë, ku p.sh. 10 këmisha të ngjashme i kanë futur në një kartelë. Ne kemi kërkuar që për secilin objekt të bëhet kartelë e posaçme, por puna vijon me ritme shumë të ngadalta dhe e njëjta situatë është edhe në Shkodër”, thotë Yzeiri për sa u përket muzeve, por situata është normale për galerinë. Galeria “Edward Lear” në Berat, e krijuar rreth vitit 1994, është relativisht e re dhe nuk ka paraqitur probleme të tilla, pasi të 129 objektet që përbënin fondin e saj, janë të regjistruara. “Muzeu historik ishte jashtë funksionit dhe nuk mundëm as të shihnim objektet sepse ishin të futura në magazinë”, pohon Yzeiri. Sipas tij, mbetet shqetësues fakti që në këto institucione arti gjen persona të stafit që nuk i përkasin fare fushës.

“Një pjesë e mirë nuk njohin edhe ligjin ‘Për trashëgiminë’, i cili nuk lejon që në muze të ketë objekte pa kartelë. Në rastet kur ato janë të trashëguara, siç ndodh me fondet e para viteve ’90, drejtuesit duhet të angazhohen të realizojnë katalogimin. Ndonëse e kanë detyrim ligjor, na kanë ndodhur edhe raste kur na kërkohet që punën e tyre ta kryejmë ne”, shpjegon Yzeiri. Në fakt ky inspektim ishte vetëm një mënyrë për të thënë se po reagohet ndaj asaj që ndodhi në galerinë e Korçës.

Situata nuk ishte e panjohur për askënd, e aq më tepër për specialistët, të cilët prej kohësh kanë dhënë alarmin për vjedhjen e veprave dhe objekteve të trashëgimisë në muzetë e rretheve që gjenden në gjendje anemike, për mungesë inventarësh e katalogimi, për ambiente plot lagështirë ku ruhen vepra. Probleme të tilla i ka pasur edhe vetë Galeria Kombëtare e Arteve, ku një pjesë e veprave nuk ishin të pajisura me kartela me fotografi, e ku imazhet që u sollën para disa vitesh nga fondi ishin tronditëse. Bëhet fjalë për një fond që mbart shumë më shumë vlera se galeritë e rretheve, të cilat gjithashtu kanë në fondet e tyre vepra të piktorëve të njohur, siç është rasti i Shkodrës dhe i tablove të Idromenos.

Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, në media, por edhe në çdo takim për trashëgiminë, ka dhënë shifra alarmuese humbjesh e thuajse moskthime, të cilat nuk kishin mjaftuar deri më sot për të nxitur një reagim të përgjithshëm. Ndonëse flasim për galeritë e muzetë e rretheve, institucionet qendrore të trashëgimisë ishin të parat që patën probleme të katalogimit, në pakicë ekzistuese edhe sot. Varësia e këtyre institucione, mes pushtetit lokal, Ministrisë së Kulturës, Qendrës Albanologjike, ka sjellë të tjera hallakatje administrative.

Në konferencën për shtyp që i parapriu këtij inspektimi, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, u shpreh se do të kontrollohen gati 50 galeri e muze dhe grupi i ngritur i punës pohon se do të vazhdojnë inspektimin. Bummçi paralajmëroi edhe masa ekstreme me mbyllje të muzeve apo galerive në rast të mungesës së plotë të kushteve, por në mungesë të kësaj kompetence hë për hë, duhet një ndryshim në ligjin “Për trashëgiminë” që Komisioni Shtetëror i Muzeve të veprojë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama