Gani Jakupi Jemi viktima te persosura te mistifikatoreve

Gani Jakupi: Jemi viktima te persosura te mistifikatoreve
Krijues i shumanshem, skenarist dhe ilustrator librash me grafika, kompozitor, fotograf, shkrimtar. Gani Jakupi, i ftuar ne edicionin II ne Sallonin e Librit nga Ballkani, qe u mbajt ne fund te qershorit nga shoqata “Albania” dhe “Le courrier des Balkans”, prezantoi veprat e tij, qe s’jane pak, ne Théâtre de la Grande Comédie ne Paris. Është autor i librave të ilustruar “Mbreti i padukshëm”, kushtuar muzikantit të jazz-it Oscar Aleman, i trilogjisë “Matador”, “Dashnorët e Silvias” botuar në Francë. Prej disa vitesh ai ka botuar në Spanjë një koleksion libra-CD kushtuar figurave të shquara të botës muzikore. Realizoi kështu një ëndërr të vjetër për të bashkuar muzikën me ilustrimin.

I lindur më 1956 në Kosovë, është vendosur tashmë në Barcelonë, pasi jetoi një kohë në Francë, në fillim të viteve 1980. Disa nga momentet më të interesante për veprën, personalitetin e tij artistik dhe botën, Jakupi i zbulon në intervistën (e botojmë me shkurtime) dhënë studiueses së kulturës shqipe Evelyne Noygues.

Përse keni zgjedhur që të shpreheni përmes historive grafike?

Është një mjet shprehës i fuqishëm që bashkon imazhin dhe tekstin, po edhe ekonominë: nuk duhet veç laps, letër dhe talent. Historia e vizatuar të jep pavarësi të jashtëzakonshme. Gjithë vendimet artistike i merr i vetëm ose një grup i ngushtë bashkëpunëtorësh (tre janë maksimumi: skenaristi, grafisti dhe ilustratori).

 Si ndodh me procesi i krijimit?

Sa herë nis një projekt, mendoj për pyetjen që më bënte zakonisht Guy Vidal, kur ai ishte editor te “Dargaud”. Më shumë se vetë historia, më intereson PSE duhej të shkruaj. Por para se të di “çfarë” dhe “përse”, vjen një periudhë e gjatë dokumentimi, që mund të zgjatë nga disa muaj në disa vjet. Studioj ngjarjen që trajtoj, përfshirjet në kohën e vet dhe transendencën e saj në kohën tonë. Përpiqem të njoh vendin ku ndodh veprimi, historinë e tij, gjuhën, kulturën, letërsinë, kinemanë, muzikën e tij.

Deri këtu, unë gjithnjë kam skicuar vende që ua njoh gjuhën, por çdo njohje ka vend për më mirë. Teksti është faza “finale”. Është diçka shumë aksidentale. Ndonëse unë nuk e filloj një histori pa e ditur si do të përfundojë, i lë kohë të piqet ndërkohë që bëhen vizatimet. Dialogët bëhen me frymëzim; përpiqem t’i shmang surprizat, fryt i njohjes së zanatit.

Puna ime grafike është e veçantë. Bëj një story board të skenave tepër të saktë, duke përcaktuar masën dhe raportin e skicave, si dhe kompozimin e brendshëm të vizatimeve. Pastaj, vizatoj çdo skicë në një fletë më vete. Së pari sepse ndihem mirë kur veproj lirshëm, e pastaj, ngaqë ngjyros me bojë xunkthi. Janë bimë të egra që i mbledh gjatë shëtitjeve të mia përqark Barcelonës…

 Ka tema që përsëriten në punën tuaj? Cilat janë?

Besoj se ishte Cocteau ai që thoshte se poeti që flet për poezinë i ngjan bimës që flet për kopshtarinë. Unë nuk e analizoj punën time. Ua lë kritikëve.

 
A nuk janë të zymtë skenarët tuaj për librat me grafika? Kërkoni të tregoni të keqen? Lidhja e vdekjes me dhunën, a nuk është për të vënë më mirë në dukje një kritikë të thellë mbi gjithë sistemin?

Nuk do t’i quaja të zymta temat e punëve të mia. Është fjala thjesht për një ligj thelbësor të komunikimit. Mund t’iu flas njerëzve të afërt për lumturinë time martesore dhe t’iu jap kënaqësi. Edhe po të shkruaj për këtë një roman, prapë miqtë e mi do ta lexojnë. Përkundrazi, nëse shkruaj për konfliktet e mia sentimentale, interesi do të ishte krejt tjetër. Ky nuk është perversitet i shpirtit të njeriut.

Për paradoks, ndjenja e lumturisë është tejet individuale dhe e patransferueshme. E kundërta ndodh me dyshimet dhe dilemat, ato duhet t’i ndash. Menjëherë ndjen nevojën për t’u krahasuar, për t’u identifikuar me subjektin e pastaj për të kuptuar e për t’i parë shqetësimet tona përmes pasqyrës që na zgjatin.

Nga ana tjetër, konflikti është motori kryesor i marrëdhënieve mes njerëzve. Personazhet tuaj nuk mund të jetojnë veçse në kontradiktë me mjedisin ku ata zhvillohen. Ndërkaq nuk duhet ngatërruar konflikti me dhunën fizike. Unë nuk abuzoj kurrë me vdekjen si një zgjidhje dramatike. Ju kujtoj se e vetmja vdekje që ka ndodhur në melodramën time “Jour de Grâce” (Dita e Falënderimeve) është në fakt një vdekje natyrale, jo vrasje, përkundër asaj që dukej në fillim. Në të vërtetë, “nxirjen” e kësaj historie e bën izolimi i protagonistit…

E meqë unë nuk jam besimtar as në planin fetar e as në atë ideologjik, zgjidhjet e mrekullishme nuk mund të dalin automatikisht. Prandaj më pëlqen të flas për natyrën njerëzore. Në vend që të mbështetmi te Marksi apo Jezusi, do të ishte mirë që të rishikonim marrëdhëniet tona me veten dhe me të afërmin.

 Jeni pro apo kundër shitjes së vizatimeve origjinale?

Në këtë drejtim secili bën si të dojë. Personalisht, unë nuk jam i shtrënguar t’i shes origjinalet, por e marr me mend që një ditë do të ndodhë.

Çfarë ju shqetëson në veçanti në botën e sotme?

Pyetje shumë e gjerë! Mund ta nisja me injorancën, për shembull. Injoranca e tjetrit, por edhe injoranca e vetvetes. Komunizmi në Ballkan na mësoi ta përçmojmë të kaluarën. Edhe pse projekti i Njeriut të Ri u braktis kohë përpara, ne jemi kënaqur që e bëmë tabula rasa të kaluarën tonë kulturore. Kjo na bën viktima të përsosura të miteve e të mistifikatorëve. Të harrosh me dashje ç’ke qenë, do të thotë të magjepsesh kur dikush përpiqet të na bindë për të shkuarën sublime, edhe pse joreale. Mjerisht, ky fenomen është edhe më universal nga ç’e mendonim. Dhe nuk është faji i mediave apo i mjeteve të komunikimit; kur na pëlqen ta interpretojmë historinë me shkurtesa politikisht korrekte, më shumë se duke e lodhur mendjen përballë realiteteve të kundërshtueshme, s’ke ç’pret më mirë.

 Keni përjetuar shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe luftërat në vendin tuaj të origjinës. Si gazetar, keni mbuluar konfliktin në Kosovë. Çfarë ka përfituar grafika juaj nga këto përvoja të veçanta e traumatike?

Fillimisht, kam besuar se gazetaria do të ishte një mënyrë për të përballuar përmbysjet që ndodhën me luftërat jugosllave. Në fakt, kam takuar shumë njerëz me vlera, dhe kam përdorur gjithë mundësitë e mia për t’i promovuar në mediat spanjolle.

Ishte mënyra ime për t’iu treguar evropianëve që Ballkani nuk prodhon vetëm kampionë të intolerancës. Kam shkruar kryesisht analiza dhe kam bërë biseda. Pas luftës në Kosovë, kam mbuluar luftën civile në Maqedoni, trazirat në Bosnje, ndarjen e Malit të Zi.

Por me kalimin e kohës kuptova se shkrimi politik ishte një art popullor në Ballkan! Çdokush i kultivuar apo i papunë bëhej analist. Unë nuk shihja asnjë arsye bindëse për të vazhduar atë punë. Si e angazhoja integritetin tim intelektual e moral në çdo artikull që shkruaja, kjo punë m’u bë gjakpirëse: kam kaluar një kohë të çmendur me kërkime, dokumentime, konsultime dhe në përpjekje për të kapur djallin në detajet e imta të konkluzioneve. Kanë zgjatur më shumë se ç’duhet lamtumirat e mia me gazetarinë, dhe artikulli i fundit që pranova të shkruaj ishte një editorial për një të përmuajshme politike spanjolle me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Mbeti, megjithatë, përvoja njerëzore e përfundimit të luftës, e varrosur nën këtë veprimtari intelektuale. E lashë Kosovën ditën kur u larguan forcat serbe. Njohja e gjuhës serbe më dha mundësi që të hyja në vatrat e serbëve e romëve, përveçse të shqiptarëve. Përjetimi ishte kaq kompleks dhe tronditës, saqë më duhej ta hidhja në imazhe për t’u çliruar. Kur gjendesh në një situatë ku gjithë gjërat e tmerrshme marrin dukjen e normalitetit, nuk është… normale! Kjo kërkon një lloj katharsis. Do të thotë që unë nuk doja ta mbaja barrën krejt vetëm.

Me ndihmën e Botimeve Dupuis, takova grafistë jo të këqinj. Baru, Guibert, Prudhomme, Moynot… Me David (Prudhomme), e nisëm seriozisht projektin, por ai u detyrua të tërhiqej për shkak të agjendës. Më në fund, pata fatin të takoja një grafist të shkëlqyer ca më i mirë si narrator, argjentinasin Jorge Gonzalez. Nëse punët na shkojnë mirë, libri do ta dalë në dritë në fund të vitit 2012.

Jo vetëm kaq. Clotilde Vue që drejton koleksionin Noctambule, më bindi të bëja një libër për përvojën time në gazetari gjatë periudhës së pasluftës. “Varri masiv”, që e kam shkruar dhe vizatuar, do të dalë te kjo kolonë marsin e ardhshëm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama