Garda blindon Tahirin dhe familjen e tij

Garda 'blindon' Tahirin dhe familjen e tij

Blindohet ministri i Brendshëm dhe familja e tij në prag të shembjes së kompleksit “Jon” në Vlorë. Bllokimi i pallatit të shumëpërfolur dhe vendimi për shembjen e tij ka detyruar Gardën e Republikës të përforcojë sigurinë fizike për ministrin Tahiri që të hënën, ndërkohë që nuk dihet se deri kur do të vazhdojnë këto masa. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Gardës së Republikës, e cila është në proces ristrukturimi, pasi pritet të kalojë në varësi të Policisë së Shtetit, të cilat nuk kanë pranuar të japin shpjegime nëse rritja e sigurisë për ministrin e Punëve të Brendshme ka ardhur pas ndonjë kërcënimi, apo thjesht si masë parandaluese.

 

Megjithatë, sipas të njëjtave burime, urdhri për sigurinë e Saimir Tahirit është marrë që të premten, ndërkohë që zbatimi i tij ka nisur mëngjesin e së hënës. Nga informacionet e mbledhura mësohet se fillimisht është rritur siguria fizike për ministrin Tahiri, megjithëse ky i fundit, shpeshherë ka kërkuar nga efektivët e Gardës që të mos ketë masa të dukshme, madje ka kërkuar edhe fikjen e fenelinave të makinave dhe respektimin e semaforëve. Sipas të dhënave, për sigurinë e tij fizike janë dy efektivë të Drejtorisë së Ruajtjes së Personaliteteve në Gardën e Republikës, ndërkohë që masat janë rritur edhe për sigurinë e familjes së tij. Nga burime të besueshme mësohet se veç rojeve fizike është dyfishuar numri i punonjësve të Gardës, që ruajnë banesën e Saimir Tahirit në zonën e “Komunës së Parisit”, pranë Kodrës së Diellit. Burimet shpjegojnë që zakonisht, banesa e tij ruhet me një efektiv garde në turn, pra tre të tillë në ditë, por që nga e hëna, atë e ruajnë me dy gardistë për çdo tetë orë. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për shoqërimin e familjes së tij. Sipas të dhënave, marrja e këtyre masave vjen për shkak të funksionit të Tahirit, i cili veçse është ministër i Brendshëm, njëkohësisht është edhe kreu i Task-Forcës për Mbrojtjen e Territorit.

 

Në cilësinë e kreut të Task-Forcës, Tahiri dorëzoi edhe kallëzimin penal për shkeljet ligjore të konstatuara gjatë kontrollit të lejes së ndërtimit për kompleksin “Jon” në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Pas këtij kallëzimi u mor edhe vendimi për prishjen e këtij kompleksi. Në këto kushte, duke vlerësuar rrezikshmërinë që mund të sjellë kjo përplasje me banorët dhe pronarët e këtij kompleksi, Garda ka vendosur që të rriten masat e sigurisë. Megjithatë, pavarësisht se dita e diel është menduar si afati për shembjen e pallatit me eksploziv, për masat ndaj tij nuk është vendosur ndonjë afat. Edhe në rastet e tjera të këtij lloji, Tahiri mësohet se ka pasur rritje të masave të sigurisë, por këtë herë ato kanë qenë më të forta. Kryerja e ndonjë kërcënimi ndaj Tahirit është hedhur poshtë nga specialistët e Gardës, pasi në raste të tilla, ai merret në mbrojtje nga struktura të tjera të posaçme të policisë, siç është reparti RESI, i cili ka detyrë parësore mbrojtjen e dëshmitarëve të drejtësisë, por shpeshherë është përdorur për mbrojtjen e gjyqtarëve, prokurorëve, apo personaliteteve të tjera shtetërore. Red. Akt.

Vlorë
Të dielën pritet të realizohet shembja
Sot nis mbushja me eksploziv e pallatit

Forcat xheniere, pasi kanë planifikuar çdo detaj për shembjen e kompleksit “Jon”, sot do të përgatisin dhe vendosin eksplozivin në çdo vend të përllogaritur prej tyre, ndërkohë që forcat policore do të përforcojnë masat përreth kompleksit, me qëllim për të shmangur ndonjë incident. Sipas të dhënave, forcat xheniere kanë hapur rreth 1500 vrima në kate të ndryshme të pallatit 7-katësh dhe përllogaritet që sasia e eksplozivit për shembjen e objektit t’i kalojë 300 kg. Finalizimi i hedhjes në erë, i telekomanduar, pritet të bëhet ditën e diel. Aksioni nisi prej ditës së shtunë dhe në kolonat e betonit, në tavane e themelet e katit të parë, janë hapur me qindra gropa të vogla. Eksplozivi do të vendoset në tre katet e para të objektit, me qëllim që shpërthimi të jetë 100 për qind efektiv. Banorët e kompleksit “Jon”, nga ana tjetër janë në proces gjyqësor. Aktualisht, ata kanë marrë të gjitha orenditë që kishin në banesat e blera, ndërkohë që dyer e dritare do të shiten nga shteti për bamirësi. Ky është pallati i tretë që pritet të shembet me eksploziv dhe i dyti në Vlorë, që nga momenti, që në krye të qeverisë erdhën socialistët.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama