Gardianet greke Si u torturua shqiptari

Gardianet greke: Si u torturua shqiptari

Katër gardianë të burgut të Nigritas në Greqi, janë vënë në pranga për vrasjen e të dënuarit shqiptar, Ilia (Ilir) Kareli. Dje policia ka arrestuar tre gardianë, ndërsa është ekzekutuar urdhër-arresti edhe për Haris Konsolidis, shefin e rojeve të brendshme të burgut në Nigrita. Ky i fundit është shtruar në spitalin psikiatrik të Serresit, pasi ka pësuar tronditje nga orët e gjata të marrjes në pyetje.
Sipas ekspertizës, ai është rrahur në burgun e Malandrinos, 9 ditë para se të vriste gardianin grek. Pas vrasjes që kreu, ai u dhunua me shkop gome nga 5 gardianë rreth orës 16:00 të datës 25 mars në burgun e Nigritas.

 

Dhuna ndaj tij ka ndodhur para se ta vendosnin në dhomën e mbikqyrur me kamera, prej ku vdiq nga dhimbjet në kraharor. Hetimet e prokurorisë tashmë janë përqëndruar në atë që ka ndodhur në datat 25-27 mars 2014 deri në vdekjen e shqiptarit. Sekretari i burgut të Nigritas ka thënë se ka parë filmimet: "Pashë me sytë e mi që gardianët e rrahën Karelin." Prokurorët që po hetojnë rastin kanë në dispozicion informacionin dhe deklaratat që tregojnë se Kareli është torturuar egërsisht për 3 ditë dhe netë. Fillimisht është rrahur nga oficerët e burgut në Malandrino, menjëherë pas vrasjes së gardianit George Tsironi. Tortura thuhet se ka vazhduar gjatë transferimit në burgun e Nigritas. Sipas dëshmive, kamera në korridorin e burgut të Nigritas ka regjistruar faktin se në orën 16.00 të së enjtes së kaluar se gardianët e futën shqiptarin në një dhomë pa kamera sigurie. Gjysmë ore më pas në pamje shihen dy punonjësit, që e zvarrisnin jashtë qelisë Karelin e pavetëdijshëm.


Në dëshminë e oficerit të burgut të Nigritas, i cili e shoqëroi atë, thuhet se “gjatë kontrollit fizik paraprak gjeta se ishte goditur. Në 19.15 shkova në qelinë e tij dhe për fat të mirë kam pasur një aparat fotografik me të cilin regjistrova gjithçka. Unë nuk e kam goditur dhe ne s'e kishim një qëllim të tillë. As ndonjë i burgosur nuk e goditi atë. Ai nuk ankohej për dhimbje në trup, vetëm ishte pak i frikësuar”.


Urdhër-arrestet


 Tetë urdhër-arreste janë lëshuar deri më tani për vrasjen e Ilia Karelit, 42 vjeç, që në Shqipëri njihet me emrin Kudret Kume, në burgun e Nigritas. Nën hetim janë edhe 6 punonjës të burgut të Nigridas dhe Malandrinos, roli i të cilëve do të verifikohet gjatë hetimit. Prokurori Nick Antonarakos i qytetit Amfisas, që ka juridiksion mbi burgun Malandrinos, ku dhe ka nisur dhunimi i 42-vjeçarit Kareli, deri më tani ka kërkuar që 8 gardianë të burgut të Nigridas të vihen në pranga pasi janë përgjegjës për dhunimin deri në vdekje të shqiptarit.


 Por pritet që fletë-arreste të lëshohen edhe për disa gardianë të burgut të Malandrinos, pasi sipas hetimeve aty ka nisur edhe dhunimi i shqiptarit të dënuar, i cili vrau një gardian burgu. Në këtë burg mësohet se, Karelit i është shkaktuar edhe dëmtimi i kraharorit, që i ka sjellë edhe hemoragji të brendshme duke i sjellë vdekjen. Siç shkruan media greke, në këtë burg, Kareli, në datën 25 mars 2014, është rrahur nga të paktën 10 gardianë.


Prokuroria ka ngritur edhe akuzat ndaj personave që janë përfshirë në këtë ngjarje të rëndë. Bëhet e ditur se, janë tre akuza që janë ngritur si: “Torturë me pasojë vdekjen”, “lëndime të rënda trupore” dhe “Torturë e lehtë”.


Në dosjen e prokurorisë, thuhet se, gjatë kohës që Kareli ka qenë në burgun e Nigritas, koha prej 2 orë e gjysëm është e pambuluar dhe nuk ka asnjë pamje filmike apo dëshmi të dhënë. Sipas kamerave, në orën 16:00 gardianët e burgut e kanë nxjerrë Karelin nga qelia dhe më pas e kanë kthyer në orën 18:30 minuta të mbrëmjes së datës 27 mars 2014.


Nga provat e mbledhura nga prokuroria, në një prej videove që është regjistruar nga kamerat e burgut të Nigridas, duken dy gardianë të këtij burgu që e fusin Karelin në qeli pa ndjenja. Gjithashtu do të hetohen edhe ata që kanë pasur në kontakt në gjykatë, Departamentin e Policisë së ITEA, deri në qelinë e tij të fundit në burgun Nigritas. Drejtoria e Punëve të Brendshme është duke bërë hetime intensive, që përfshin të gjithë oficerët korrektues, të policisë, roje dhe dhjetra njerëzve që kanë qenë në kontakt me të burgosurit në "rrugën" në burgun e Malandrinos, gjykatën, policinë Departamenti i ITEA, deri në qelinë e tij të fundit në burgun Nigritas. Në mënyrë të veçantë, hetimi po bëhet për fundjavën 25-27 mars, që janë edhe ditët kur mendohet se Kareli është maskaruar duke u rrahur. Siç shkruan media greke, Kareli është rrahur në vende të ndryshme nga persona të ndryshëm, dhe për këtë qëllim duhet të identifikohen të gjithë autorët dhe po bëhen kërkime të gjera dhe një seri marrjesh në pyetje për të ndarë përgjegjësitë. Në të njëjtën kohë, një hetim disiplinor është urdhëruar edhe nga Ministria e Drejtësisë e Greqisë, në përfundim të të cilit do të ketë edhe ndëshkime për personat përgjegjës.


Vrasja e Karelit, konsulli Poda: Jemi në kontakte me policinë
 
Konsulli shqiptar në Selanik, Riza Poda duke folur për A1 Report në lidhje me vrasjen e Ilia Karelit, ka treguar se, konsullata dhe Ambasada Shqiptare në Athinë mbajnë kontakte të vazhdueshme me institucionet e drejtësisë dhe policisë. “Ambasada dhe konsullata po e ndjekin me shumë vëmendjen zhvillimet në lidhje me vrasjen e Ilia Karelit”, tha Poda. I pyetur në lidhje me reagimet e familjarëve të Ilia Karelit, konsulli në Selanik nuk ka dhënë komente, por tha që pritet raporti zyrtar. “Nuk mund të bëj koment për deklarimet e familjarëve, pasi ne po presim versionin zyrtar të çështjes dhe sipas prokurorit shkon deri në 20 ditë. Ne mbajmë kontakte të drejtpërdrejta me autoritetet greke”, tha gjatë lidhjes telefonike për A1 Report, Konsulli shqiptar në Selanik, Riza Poda.
Ish i dënuari grek: Në Nigrita ndodhin torturat më të egra
 

Vrasja e të burgosurit shqiptar Ilia Kareli ka bërë jehonë në mediat dhe opinionin publik grek, të cilat i kanë kushtuar rëndësi të veçantë. Një ish i burgosur grek, anonim, që ka vuajtur dënimin në burgun e Nigritas, në një lidhje telefonike për emisionin grek “Yelloë Press”, dënoi atë që ka ndodhur. Ish i burgosuri grek denoncoi rrahjet dhe torturat e egra që bëhen nga gardianët në burgun e Nigritas. Ai përshkroi shkurtimisht dhunën që ushtrohet nga zyrtarët e burgut ndaj të burgosurve. Ish i burgosuri tregoi se edhe vetë kishte rënë disa herë pre e dhunës dhe kishte pësuar të nxira në trup. Ai aktualisht është 70 vjeç dhe kishte disa muaj që ishte liruar nga ky burg.

 

Ja se çfarë tregon ish i burgosuri grek në lidhjen telefonike: "Unë jam ish i burgosur i burgut të Nigritas. Kam 4 muaj që kam dalë me lirim të parakohshëm. Unë personalisht jam 70 vjeç. Kam shembuj për tju dhënë. Atje te burgosurit i vinin poshtë dhe i rrihnin brutalisht. Kam parë njerëz që të dilnin me shenja të nxira. As që më intereson, shqiptar është, turk, nuk jam racist, nuk më intereson. Atë djalë e vranë në Nigrita. Atje të merrnin, të kalbnin në dru dhe të hidhnin në qeli. Mos dëgjoni asnjë çfarë ju thotë. Nuk e justifikoj shqiptarin për atë që ka bërë, se e mori dënimin. Por, në burgun e Nigritas ndodhin çmendurira, torturat më të egra. Prej andej nuk mund të dalë asnjeri".


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama