Ndonëse nuk gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen ndaj Belgjikës, nuk ka asnjë dyshim se Garet Beil mbetet ylli i Uellsit dhe është ndër liderët e kësaj skuadre.
Mesfushori ofensiv ka folur pas ndeshjes për duelin ndaj belgëve si dhe për sfidën kundër mikut të tij, Kristiano Ronaldos, që e pret në gjysmëfinalet e Euro 2016.
"Kjo ishte një natë e madhe për të gjithë tifozët tanë, tani do të kenë mundësi të na shohin edhe një herë tjetër duke luajtur në këtë turne.
Kjo është një ëndërr për mua, është ajo për të cilën kemi luajtur në 8 vitet e fundit. Është e vështirë ta përshkruaj këtë moment.
Një gjysmëfinale kundër Kristiano Ronaldos? Nuk është vetëm ai, e gjithë Portugalia është e fortë. Tani t'i gëzohemi këtij momenti, nga nesër do të mendojmë për gjysmëfinalen. Sot luftuam të gjithë bashkë", ishin fjalët e Beil.