Shkëlzen Gashi ka pranuar se nuk e priste entuziazmin e madh të tifozëve shqiptarë pas kualifikimit në Europian ndaj të gjithë protagonistëve të asaj arritje historike. Në një intervistë për "Neue Zürcher Zeitung", sulmuesi ka treguar se si e përjetojnë praninë e tij në stadiumet amerikane tifozët kuqezi që jetojnë në SHBA.
"Ka shqiptarë në Amerikë të cilët udhëtojnë 5 deri në 8 orë me makinë për të më parë të luaj. Kjo është çmenduri! Të gjithë më thonë që kjo ishte dita më e bukur e jetës së tyre. Krenaria e tyre për paraqitjen tonë është shumë e madhe. Më përpara, fëmijët në Shqipëri mbanin fanellën e Zidan, tani mbajnë atë të Xhakës apo Gashit", u shpreh sulmuesi, i cili ka kujtuar edhe për emocionet pas kualifikimit.
"Kur shënuam golin e tretë ndaj Armenisë dhe e kuptuam që do të shkonim në Francë, unë pashë kolegë që qanin, qeshnin, u iku zëri. Në Tiranë, rrugët ishin të mbushura me njerëz, të gjithë festonin. Pavarësisht asaj që arritëm në tre ndeshjet në grup, ne duhet t'i gëzohemi pjesëmarrjes në Europian, pasi është e pazakontë për vendin tonë".