Ndërkohë që një sërë marrëveshjesh me bankat, libraritë dhe supermarketet janë drejt përfundimit dhe do të prezantohen së shpejti. “Të gjithë studentët që posedojnë këtë kartë, do të mund të përfitojnë 30% ulje çmimi në dy kinematë e Tiranës, kinema “Millenium” dhe “Imperial”. Teatri Metropol ofron hyrjen falas, për të gjithë poseduesit e kartës bashkiake të studentit, me kushtin e vetëm që të rezervojnë çdo fillim jave. Posta Shqiptare do të ofrojë 10% ulje për të gjitha shërbimet e saj. Spitali Amerikan dhe spitali “Hygeia” ofrojnë 20% ulje çmimi, për të gjitha diagnostikimet dhe 10%, nëse ata do të kenë nevojë të qëndrojnë në spital (uroj të mos jetë e nevojshme asnjëherë).
Në të gjitha dyqanet e “Fashion Group”, në 12 markat e njohura që tregtohen në to, do të ketë 10% zbritje. “Abcom” do të ofrojë zbritje 25% nga ofertat e saj zyrtare. “Abissnet” do të ofrojë ulje 15%, sikundër “BTC Albania” do të ofrojë 50% ulje, për të gjithë produktet e saj. “Neptun” ofron ulje 10% për laptopët dhe paketa shërbimi interneti 3G falas, për 3 muaj. Jemi drejt përfundimi të marrëveshjeve me disa banka të nivelit të dytë, supermarkete dhe librari, të cilat do të ofrojnë lehtësi dhe paketa të veçanta për studentët. Ndërkohë, të gjitha bizneset e tjera të Tiranës që janë të interesuar për të ofruar lehtësira për studentët, janë të mirëpritur”, – u shpreh Tabaku.
Bashkia e Tiranës u bën thirrje studentëve që kanë aplikuar të paraqiten pranë sporteleve të saj për të tërhequr kartat e printuara. “Deri më tani kanë aplikuar rreth 5200 studentë. Çdo aplikim për kartë verifikohet më parë nga sekretaritë e fakulteteve e më pas procedohet me printimin e saj. Kjo ka sjellë disa vonesa në printimin e kartës, por në të njëjtën kohë ka mundësuar që t’i pritet rruga pajisjes me Kartën Bashkiake të Studentit personave të cilët nuk e gëzojnë këtë të drejtë. Duke u bërë thirrje të gjithë studentëve të universiteteve publike, ta shfrytëzojnë këtë mundësi e cila u krijon një sërë lehtësish për ta, dua t’ju kujtoj se pranë Bashkisë së Tiranës, aktualisht janë 1400 karta që presin të tërhiqen nga studentët”, – tha nënkryetarja e Bashkisë.
Nga karta e studentit do të përfitojnë edhe të rinjtë që ndjekin studimet e larta në universitetet jopublike. Për këtë, Tabaku bëri të ditur se në fillim të muajit mars, do të përfundojnë marrëveshjet edhe me universitetet private për kartën e studentit. Aplikimi për kartën e studentit mund të kryhet pranë universiteteve ku të rinjtë ndjekin studimet ose në Sektorin e Komunikimit dhe Pritjes së Qytetarit në Bashkinë e Tiranës. Karta prodhohet falas dhe ka të njëjtin format dhe element sigurie si karta e identitetit. Karta e studentit ka të gjitha elementet e nevojshme të sigurisë dhe bazohet mbi të dhënat që posedojnë të gjithë universitetet, ku studentët janë të regjistruar.
Paketa e përfitimeve që ofrohen nga Karta Bashkiake e Studentit
Ulje çmimi 30% në 2 kinematë e Tiranës, kinema “Millenium” dhe “Imperial”.
Teatri Metropol ofron hyrjen falas, për të gjithë poseduesit e Kartës së Studentit.
Posta Shqiptare do të ofrojë 10% ulje për të gjitha shërbimet e saj.
Spitali Amerikan dhe spitali “Hygeia” ofrojnë 20% ulje çmimi, për të gjitha diagnostikimet dhe 10%, nëse ata do të kenë nevojë të qëndrojnë në spital.
Në të gjithë dyqanet e “Fashion Group” do të ketë 10% zbritje.
“Abcom” do të ofrojë zbritje 25% nga ofertat e saj zyrtare.
“Abissnet” do të ofrojë ulje 15% nga ofertat e saj zyrtare.
“BTC Albania” do të ofrojë 50% ulje, për të gjitha produktet e saj.
“Neptun” ofron ulje 10% për laptopët dhe paketa shërbimi interneti 3 G falas, për 3 muaj.