Mazhoranca ka përgatitur shkarkimin e kryetares së Inspektoriati i Larte i Deklarimit dhe Kontrollit te Pasurive, Zana Xhukes. Raporti i grupit të kontrollit të ngritur nga parlamenti në nëntorin e vitit të kaluar, del në konkluzionin se emërimi i Zana Xhukes në këtë post është i pavlefshëm duke propozuar shkarkimin e saj nga posti i kryeinspektores.
Në ketë raport theksohet se, emërimi është bërë në kundërshtim me ligjin pasi ajo nuk plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 12 që sanksionon se kreu i ILDKP-së duhet të ketë arsimin e larte si Ekonomist Financier ose Jurist si dhe eksperiencë në profesion jo më pak se 10 vjet, kërkesa këto që zonja Xhuka nuk i përmbush.
Grupi i kontrollit i përbëre vetëm nga mazhoranca rendit edhe një sërë shkeljesh nga kryeinspektorja si dhe refuzimin e saj për të bashkëpunuar me Parlamentin. Si kundërpërgjigje opozita i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për çështjen e ILDKP, por edhe për çështjen e Komisionit Hetimor për tatimet i cili u rrezua nga mazhoranca.
Oerd Bylykbashi deklaroi se Partia Demokratike ka kërkuar shpalljen si antikushtetuese të sulmit të hapur ndaj institucionit të pavarur të Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive të qeveritarëve si dhe të përpjekjeve të paligjshme për shkarkimin e kreut të këtij institucioni.
“Me shkarkimin e kreut te ILDKP, Rama dhe Meta po kërkojnë me çdo kusht të marrin nën kontroll këtë institucion të pavarur në mënyrë që të fshehin pasuritë e paligjshme dhe aferat korruptive të tyre dhe bashkëpunëtorëve të tyre”, thotë Bylykbashi.
Grupi i kontrollit nga parlamenti u ngrit pas përplasjeve mes punonjësve të inspektoratit dhe drejtueses se tij Zana Xhuka, çështje që përfundoi edhe dyert e Prokurorisë.