Në vend të këngëve, në tri orët e këtij festivali janë përcjellë vetëm mesazhe sensibilizueze, ndërkohë që nga skena e tij homoseksualët kanë valëvitur për herë të parë flamurin e LGBT, ngjyrat e të cilit përfaqësojnë diversitetin e shoqërisë. Megjithëse pak prej pjesëtarëve të komunitetit LGBT dolën në shesh, çka tregon se ende ata druhen të tregojnë prirjet e tyre seksuale, ata që ishin aty arritën të bënin atë që kishin paralajmëruar, një Festival Diversiteti, si njё nga platformat mё tё mёdha tё lёvizjes së tyre pёr arritjen e barazisё dhe drejtёsisё shoqёrore pёr çdo qytetar.
Në këtë aktivitet nuk munguan zyrtarët tanë, megjithëse vetëm tre, zv.ministrja e Punës, Filloreta Kodra, Avokati i Popullit, Igli Totozani, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku, si dhe diplomatët e akredituar në Shqipëri: ambasadori i Amerikës, Holandës, Danimarkës, zv.ambasadori gjerman, zv.ambasadori i BE-së. Në kushtet kur “parada” gay ngjalli mjaft debate dhe reagime të forta publike, ku u përfshi edhe politika, ambasadorët duket se kanë qenë edhe mbështetësit kryesorë të organizimit të aktivitetit, duke u bërë kështu edhe “rojtarët” e tyre, bashkë me policinë që gjendej aty në gardh.
Diplomatët kanë qenë ata që kanë çelur edhe Festivalin e Diversitetit, i cili ka nisur me lëshimin e një tufe tullumbacesh disangjyrëshe, të cilat kanë “grishur” befas qiellin e vrenjtur nga retë, ndërsa kanë kërkuar sensibilizimin e popullatës dhe politikës që të mos gjykojnë dhe të mos shkelin asnjë të drejtë të personave me orientim të ndryshëm seksual. Sipas tyre, respektimi i të drejtave të këtij komuniteti është edhe pjesë e 12 prioriteteve që Shqipëria duhet të përmbushë për integrimin europian. Ambasadori i ShBA-së, Aleksandër Arvizu, dhe ai i Holandës, Van den Dool, kanë thënë se dalja në publik e këtij komuniteti është progres për Shqipërinë. Sipas tyre, nuk është koha të fshihen më, por të jetojnë të barabartë dhe të luftojnë paragjykimet duke treguar se kush janë.
“Dua të përgëzoj kryeministrin Berisha, që e ka të qartë pozicionin e Shqipërisë për të drejtat e LGBT. Mbrojtja e të drejtave të LGBT është prioritet kyç për politikën e jashtme të ShBA-së. Presidenti Obama lëshoi një direktivë për të siguruar të gjitha ambasadat në mbarë botën të promovojnë të drejtat e njeriut dhe të personave LGBT”, – tha ambasadori amerikan. “Mendoj se frika dhe paragjykimi burojnë të dyja nga mungesa e të kuptuarit, dhe mungesa e informacionit.
Prandaj kjo është një nga sfidat e radhës për komunitetin LGBT në Shqipëri. Drejtohuni miqve tuaj, familjeve tuaja, kolegëve tuaj, politikanëve tuaj, mundohuni të kuptoni paragjykimet që ata mund të kenë dhe tregojuni se kush jeni”, – u shpreh ambasadori holandez. E pranishme në tubimin e komunitetit LGBT, zv.ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Filloreta Kodra, garantoi se tashmë është hartuar një program pune për rishikimin e legjislacionit, ndërsa do të ndërmerret një fushatë e gjerë kundër diskriminimit seksual. Më herët, në një konferencë për shtyp, kreu i Ambasadës Pink, Altin Hazizaj, ka deklaruar se Shqipëria po nis një kapitull të ri, atë të respektimit të çdo komuniteti. “Ne sot po manifesojmё pёr njё botё tё hapur, tё lirё dhe tё denjё pёr çdo qytetar qё jeton nё kёtё vend dhe qё kёrkon pёrfundimisht tё shkëputet nga bota e vjetёr patriarkale, otomane dhe komuniste. Lufta dhe pёrpjekja jonё nuk bёhet vetёm pёr komunitetin LGBT nё Shqipёri, por ёshtё lufta jonё qё çdo qytetar i kёtij vendi tё jetojë me nder, dinjitet dhe i barabartё nё tё drejta dhe pёrgjegjёsi. Komuniteti LGBT ka jetuar dhe do tё jetojё nё kёtё vend, pёrpos diskriminimit, pёrjashtimit apo edhe dhunёs qё ushtohet ndaj tij.
E ka bёrё kёtё, sepse beson qё Shqipёria e re qё po lind ёshtё e denjё pёr çdokёnd, pavarёsisht orientimit seksual apo identitetit gjinor. E bёn sepse çdokush nga ne beson te vlerat demokratike dhe tё tolerancёs sё shoqёrisё sonё, beson te familja dhe morali i tё drejtave tё njeriut”, – deklaroi Hazizaj. Në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, për herë të parë Shqipëria është renditur në listën e vendeve që e kanë festuar atë, por sipas mënyrës së saj. Larg paradave dhe bërjes publike të homoseksualizmit, aktivitetet e organizuara në kuadër të kësaj dite nga Ambasada Pink janë shoqëruar nga dhjetëra forca policore, ndërsa nuk është shënuar asnjë incident.
Protesta
Paralelisht me Festivalin e Diversitetit, Forumi Mysliman Shqiptar ka zhvilluar një manifestim në mbrojtje të vlerave të familjes, duke u shprehur kundër komunitetit LGBT në Shqipëri. Kryetari i Forumit Mysliman tha se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk vjen duke lejuar antivlerat, siç i quajti ai homoseksualët dhe sloganet e tyre për diversitetin. “Homoseksualizmi është një nga mëkatet më të rënda, që Zoti i Madhëruar e ka dënuar në mënyrën më të ashpër. E gjitha shoqëria shqiptare duhet të jetë kundër, sepse është kundër traditës dhe moralit shqiptar”, – u shpreh Fisnik Kruja, nga Forumi Mysliman Shqiptar. Po kështu, myslimanët janë shprehur kundër mbështetjes që i dhanë disa ambasada komunitetit LGBT, në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë.
“Ne nuk mendojmë se futja e shqiptarëve në Bashkimin Europian duhet bërë me flamurin e homoseksualizmit”, – tha Kruja. Edhe pse në kushte jo të favorshme për shkak të motit, dhjetëra të rinj, gra e fëmijë hodhën parulla për mbrojtjen e familjes dhe mos lejimit të diversitetit në shoqëri si vlera. Megjithëse disa prej manifestuesve shfaqën shenja të acarimit të situatës, duke tentuar t’i afrohen aktivitetit të homoseksualëve, prania e policisë i ktheu ata mbrapsht dhe gjendja u qetësua. Ky tubim u mbajt në të njëjtën orë me atë që u organizua në mbrojtje të të drejtave të lezbikeve, geive, biseksualëve dhe transeksualeve dhe në një distancë jo të largët nga njëri-tjetri. Edhe qytetarët e pranishëm vlerësuan rëndësinë e familjes dhe ruajtjen e saj. Organizatorët e tubimit në fund bënë thirrje për t’u shpërndarë qetësisht, pasi, siç thanë ata, ajo që u synua ishte përcjellja e vlerave dhe promovimit të familjes.
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu
Ambasadori holandez, Henk Van den Dool
Ambasadori danez, Karsten Jensen
Zv.ambasadori i BE, Clive Rumbold
Zv.ambasadori gjerman, Erik Tintrup
Zv.ministrja e Punës, Filloreta Kodra
Avokati i Popullit, Igli Totozani
Komisionerja për Diskriminim, Irma Baraku
Ambasadori holandez: U surprizova nga Spahia
Ambasadori holandez në vendin tonë, Henk Van den Dool, deklaroi se është ndjerë i surprizuar nga deklaratat e kreut të Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia, në adresë të tij, për faktin se ai është pjesëtar i kabinetit të qeverisë dhe jo njeri i thjeshtë. Ndërsa ka falenderuar kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij, Van den Dool u shpreh i keqardhur se dikush është fyer teksa ai ka folur për vlerat e përbashkëta europiane. “Këto deklarata nuk i dëgjon çdo ditë dhe kam qenë i surprizuar, dhe sigurisht dhe një nga këto çuditë e mia është se deklarata nuk është bërë nga një qytetar i thjeshtë, por një anëtar i qeverisë. Mua më ka ardhur keq dhe ende më vjen keq, se duke folur për vlerat e përbashkëta europiane paskam fyer”, – deklaroi ambasadori holandez.
Nga ana tjetër, ai theksoj se ngjarjet e fundit diskriminuese ndaj komunitetit LGBT tregojnë se ka ende injorancë për homoseksualizmin. Sipas Van den Dool, paragjykimi vjen nga mungesa e informimit. “Jam i kënaqur të them se Shqipëria ka nënshkruar të gjithë konventat europiane dhe ka një ligj të fortë kundër diskriminimit, duke përfshirë dhe diskriminimin seksual. Ngjarjet e fundit kanë treguar se ka ende injorancë për homoseksualizmin. Të ngresh çështje për homoseksualët, pritet me paragjykim dhe qeshje. Frika dhe paragjykimi rezulton nga mosinformimi”, – u shpreh ambasadori holandez, i cili ka qenë një nga mbështetësit kryesor të komunitetit LGBT.