Gazetar - To be or not to be…

Gazetar - To be, or not to be…
Vështirë se mund të ketë ngjashmëri edhe me historinë e atij gazetarit fillestar rumun, të cilit kryeredaktori i dha si detyrë të intervistonte një nobelist që kishte vizituar Bukureshtin ato ditë, pa e vrarë fare mendjen nëse nobelisti në fjalë kishte apo jo dëshirë të jepte intervistë. Dhe që, duke e shantazhuar aq keq gazetarin fillestar me fjalët: “po nuk e bërë intervistën, mos shkel më në redaksi”, e detyroi të shkretin djalë të ndiqte këmba këmbës shkrimtarin, të mbante shënime çdo minutë duke përshkruar me detaje se ç’bënte ky personazh, si ishte veshur, kë takonte e ku shkonte, e të dorëzonte pastaj në redaksi reportazhin e tij të parë që nxirrte një anë krejt origjinale të nobelistit, e bashkë me reportazhin edhe letren justifikuese: “Ndjesë kryeredaktor! Nobelisti nuk pranoi të intervistohej dhe gjithçka që munda të bëj është të mbaja shënime se si i kaloi ai këto ditë në Bukuresht, larg mikrofonave dhe diktofonave…”.

Historia e gazetarëve të terrenit në Shqipëri është formësuar, në të vërtetë, në të tjera realitete, realitete që jo gjithmonë janë të bukura, e që jo gjithmonë i shpërblejnë ata, sipas meritës apo origjinalitetit. Ata gazetarë që në Shqipëri është bërë e modës t’i kritikosh si të paaftë, pa etikë dhe aspak profesionistë, të cilët përcjellin në ekran gjithë reagimet apo zhvillimet e politikës, a të çdo fushe tjetër, u duhet të jenë totalisht indiferentë ndaj këtyre paragjykimeve. E të merren më shumë me tekat e atyre që realisht kanë pushtet sot në Shqipëri - politik e ekonomik njëherazi. Të jenë jo vetëm të kujdesshëm ndaj një presioni të tillë, por të sigurojnë edhe ca teknika mbijetese, që si shumë manovra të tilla, të adoptuara nga halli këto vjet nga shqiptarët, mund të jenë fare mirë …brilante, por fare pak të shpërblyera publikisht! “Shpesh politikanët hiqen sikur të ndihmojnë duke të të servirur lajme që ata i quajnë të bukura e në këmbim të këtyre rasteve, ata duan t’u bësh furçë.

Personalisht heq dorë nga këto “lajme të bukura” që serviren nga njerëz me mandate 4 vjeçarë…”, thotë Albana Qehajai, gazetare e News 24, e cila raportimin e saj të parë e ka bërë në 10 mars të vitit 1998, kur një emigrant shqiptar mori peng një autobuz me shtetas grekë, duke mbetur më pas i vrarë, në dalje të qytetit të Elbasanit. Kolegu i saj, Patrik Sadikaj, me një përvojë të gjatë në Radio Tirana, Radio Kontakt, TVA, Gazeta Shqiptare, Shekulli, Telenorba shqiptare, Vizion Plus, TV Klan, Panorama dhe Standart, sot kryeredaktor i Ora News, thotë se “presioni ndaj medias bëhet sot nëpërmjet parasë”. “Tashmë mënyrat e përdorimit të medias janë ndryshe dhe gjithçka bëhet ekonomikisht”, nënvizon ai, ndërsa shton se “ka momente kur burimet e kategorise që quhen VIP dalin nga natyra e xhentellmenit por kjo ndodh vetëm atëherë kur atyre u preket interesi në lajm”.

“Unë nuk kam marrëdhënie me ata që kanë pushtet sot. Përpiqem të mos e kapërcej pragun e artë: ‘sillu mirë dhe ftohtë’”, thotë Mimoza Picari, një ndër gazetaret kryesore të Top Channel qysh nga viti 2001, e cila e ka filluar gazetarinë në 1992, për të kaluar në ‘97-tën në studiot e radios ”Koha”, që transmetonte 24 orë lajme edhe gjatë ditëve më të vështira kur shteti shikonte veten të shkërmoqej. Nga ana tjetër, Enkelejda Mema, gazetare prej 5 vjetësh e Vizion Plus, përjashton çdo lloj kompromisi në marrëdhënien e saj me njerëz të pushtetshëm, të cilët do apo nuk do ajo, i duhet t’i përdorë si burim.

MAPO: Ka një paragjykim të madh sot për gazetarët në Shqipëri, paragjykohen për etikën dhe për profesinalizmin e tyre. Si i gjykoni këto qëndrime ndaj tyre?
Patrik Sadikaj: Mendoj se nuk është thjesht një paragjykim. Është një bindje për shumë njerëz që e shohin gazetarinë shqiptare si një media pa profesionalizëm dhe pa etikë. Unë nuk do të bashkohesha kurrsesi me këtë bindje pasi media në Shqipëri i ka hapur rrugë shumë ceshtjeve dhe në shumë raste ka qënë promotore e zgjidhjeve në të mirë të qytetarëve. Nuk e përjashtoj edhe faktin se ka mungesë etike e profesionalizmi ashtu siç ka edhe në të gjithë median botërore edhe ndër ato më të njohurat. Një gjykim i tillë është paksa i tepruar, megjithëse e pranoj faktin se teprime ka gjithmonë edhe nga ana e gazetarëve, sidomos kur bëhet fjalë për zhvillime politike, apo ngjarje të rënda të tipit Gërdec ku shpesh herë etika lihet në plan të dytë. Sa për profesionalizmin mendoj se nuk ka vend për shumë koment. Bota është e ndërtuar në mënyrë të atillë sa i pranon brenda saj të mirët, mesatarët dhe të keqinjtë. Kështu ndodh edhe në gazetari dhe media shqiptare nuk ka pse bën përjashtime.

Albana Qehajai: Paragjykimin, sidomos për gazetaret femra e kam ndjerë që në muajin e parë të punës. Të qënit gazetar nuk do të thotë të jesh pa moral e jashtë çdo norme të etikës.por gjatë përvojës sime, kam parë se të mbulosh çdo ditë lajme nga politika, e ke shumë të vështirë të përjashtohesh nga mungesa e etikës, etikë e cila nuk ndeshet në rradhët e politikanëve. Nuk duhet që modeli i keq i dikujt në rradhët tona të përgjithësojë të gjithë ata që i japin zë dhe figurë ketyre politikanëve të dalë nga vota e shqiptarëve.

Enkelejda Mema: Gazetarët komentohen ata persona që nuk e njohin këtë profesion. Fakti që ne çdo ditë gjendemi në terren dhe përballemi me çdo lloj situate dhe me çdo lloj karakteri, na bën ne një objekt paragjykimi të padrejtë.

Mimoza Picari: Ashtu si gjithë shoqëria shqiptare, politika e cdo aspekt tjetër, edhe profesionalizmi i medias dhe i gazetareve ka kaluar periudhat e veta mjaft të vështira. Arsyet janë nga më të ndryshmet. Nuk ka se si gazetarët në një shoqëri në tranzicion të ishin të paprekur nga fenomenet e këtij tranzicioni. Profesionalizmi dhe liria e medias jane dy koncepte që shkojnë paralel me njëra- tjetrën. E nëse në Shqipëri ende flitet me shqetësim për lirinë e medias, atëherë dhe profesionalizmi mbetet i cunguar. Por kjo cështje ka dhe anën tjetër. Mungesën e profesionalizmit edhe kur liria e shprehjes nuk cenohet. Ne shtypin e shkruar shpeshhere shohim tituj bombastike. E hapim për të lexuar shkrimin që i përket këtij titulli dhe fatkeqësisht shohim që ai shkrim s’ka asnjë lidhje me titullin. Besimi i opinionit publik nuk është i lëkundur vetëm për politikën por edhe për median dhe gazetarët. A duhet gjetur një pike lidhjeje mes të dyjave. Kjo është një tjetër cështje.
MAPO: Ndalemi te liria atëherë. A janë të lirë gazetarët sot në Shqipëri? Si mund të përshkruhet nga ju sot koncepti i lirisë së medias? Duke qënë përditë në terren a janë të vërteta akuzat që i bëhen qeverisë Berisha si “armike” e lirisë së medias?

Mimoza Picari: Berisha erdhi në pushtet me premtimin se ka ndryshuar. Ne fakt kurrë nuk tha se si ka qenë dhe se si ka ndryshuar me pas! Por ai realisht ka ndryshuar: Është bërë më i fortë në luftën e tij ndaj medias. Mendoj se kryeministri Berisha nuk preket lehtë nga shkrimet, artikujt kundër tij, analizat si dikur, ai tashmë preket vetëm nga faktet. Me ardhjen e tij në pushtet në vitin 2005, ndryshoi një serë ligjesh që u paraprinë nga debate të forta dhe u komentuan si grabitje institucionesh nga qeveria, si ligji i KKRT-së, vendimi për ndryshimin e destinacionit të Piramidës, ku media e pavarur Top Channel ushtronte aktivitetin e saj, miratoi një ligj për operatoret numerike, ku kufizohej aktiviteti i kompanisë Dixhit Alb, miratoi dhe ligjin e famshëm të parapagimit të gjobave e shumë e shumë të tjera. Pra nëse dikur lirinë e kufizonte pa ligj, tashmë e kufizon me ligj. Ky është ndryshimi i Berishës në raport me median. Mendoj se në Shqipëri vetëm një Liri jeton mirë, te gjitha liritë e tjera vuajnë.

Patrik Sadikaj: Besoj se tashmë janë të vjetëruara idetë për lirinë e shtypit. Nuk ka më debate të kësaj natyre. Sigurisht që presione ka por nuk mendoj se mediat tani janë të censuruara e aq më pak gazetarët. Tashmë mënyrat e përdorimit të mediave janë ndryshe dhe gjithçka bëhet ekonomikisht. Pothuajse të gjithë botuesit shqiptarë dhe pronarët e Televizioneve vijnë nga bota e biznesit që në Shqipëri është e lidhur ngushtë me shtetin e sidomos me politikën. Pra goditja apo presioni ndaj një media bëhet nëpërmjet parasë dhe kështu që mediat në shumicën e rasteve janë të detyruara të bëjnë pakte për hir të financave të tyre dhe bizneseve që janë pas tyre. Etiketimi për qeverinë Berisha si armike e medias më duket i ekzagjeruar. Sigurisht që përgjigjia nga ana e qeverisë ka ardhur në rrugë të tjera duke pasur si bazë pikërisht atë që thashë më lartë: ekonominë. Pra, kapitalizmi si në gjithë botën ka bërë të vetën duke vënë në mes paranë për të kontrolluar median…

Enkelejda Mema: Mendoj se liria e gazetarit dhe ajo e medias është relative! Sikur liria të mos cënohej, unë jam e bindur se do të kishim një media më efiçente për të gjithë...

Albana Qehajai: Gazetarët janë të lirë të thonë atë që mundet, por jo atë që dinë! Pasqyrimi i tragjedisë së Gërdecit ishte dëshmia më e mirë për faktin që vetëm disa media patën guximin të tregojnë se deri ku shkon liria e tyre. Brenda pak ditëve u publikuan fakte që nën zë i flisnim prej muajsh, por me zë të lartë jo gjithkush mundi t’i thotë.... Qeveria Berisha…? Të quash median mike, siç bën kjo qeveri, do të ishte një gabim të cilin asnjë kod ndërkombëtar gazetarie nuk do të na e falte! Sepse media është opozitë ndaj çdo qeverie. Apo të paktën, teorikisht…

MAPO: Cfarë marrëdhëniesh keni përgjithësisht me njerëzit “VIP” të cilët shumë herë mund të jenë edhe burim i lajmit? Si sillen ata me gazetarët?

Mimoza Picari: Nuk kam asnjë marrëdhënie. Përpiqem të mos e kapërcej pragun e artë: ”sillu mirë dhe ftohtë”.

Enkelejda Mema: Në përgjithësi kam marrëdhënie korrekte, por me ata që dinë të kuptojnë dhe të vlerësojnë profesionin të cilin unë kam zgjedhur. Disa prej tyre, vërtet i kam edhe burim informacioni por duke përjashtuar nga marrëdhënia dypalëshe pikën e kompromisit. Sjellja e tyre është një marrëdhënie e ndërsjelltë ndonëse kjo, jo gjithmonë funksionon. Megjithatë “Vip”-at kanë nisur ta përmirësojnë sjelljen e tyre ndaj gazetarëve...

Albana Qehajai: Të qënit gazetare politike më ka bërë që në bllokun tim të telefonave të kem mbi 200 numra deputetësh, ministrash apo njerëzish që ju i quani “Vip”. Deri në momentin që përcjell informacionin që atyre u intereson, mbetesh për ta një gazetare e mirë dhe të buzëqeshin. Por në politikën shqiptare korrektësia shpesh përkthehet si dobësi apo përulje. Kanë qenë jo të pakta rastet kur politikanët kanë mohuar lajme që vetë ata kanë dhënë, pas presioneve të marra nga ‘lart’, duke shkëputur më tej marrëdhëniet me gazetarët.

MAPO: Unë mund të jem përfaqësues i një X firme, X institucioni apo i një X organizate. Që unë të siguroj një kronikë sa më pozitive për aktivitetin tim, duhet të jem “mik” me kryeredaktorin apo me gazetarin që bën kronikën?

Patrik Sadikaj (aktualisht kryeredaktor i lajmeve në Ora News): Në rastin ideal kjo nuk duhet të ndodhë në asnjërën prej mënyrave…

Enkelejda Mema: Unë nuk bëj kompromis me askënd!

Albana Qehajai: Për sa kohë gjërat do të bëhen sipas modelit shqiptar, do të jetë gjithmonë dikush më i fuqishëm që do të diktojë se si duhet vepruar. Por them se ky mentalitet shkon në çdo fushë në Shqipëri. Nëse nuk hiqet dorë, do të vijë një ditë që s’do të kemi nevojë për media, e ata që do ta pësojnë do të jemi po ne: shqiptarët...

MAPO: Janë gazetarët e terrenit që imponojnë llojin e informacionit për publikun, apo para se të bëhet një kronikë gazetarët gjykojnë rëndësinë e saj nisur nga interesimi apo sensibiliteti që publiku mund të ketë ndaj temës?

Mimoza Picari: Tashmë media ka fituar një cilësi të domosdoshme që është pjesë e profesionalizmit. Ajo po shkon drejt trajtimit të çështjeve për të cilat ka publiku interes. Sepse publiku është gjithnjë në pushtet. Të tjerët, shkojnë e vijnë.

Patrik Sadikaj: Nëse je drejtues i një gazete apo televizioni gjëja e parë që mendon kur vendos për renditjen e lajmit apo mënyrën e trajtimit është: sa impakt do ketë ai lajm në publik. Unë, të paktën në përvojën time, jam nisur me idenë e qartë se lajmi më i rëndësishëm është ai që më shet më shumë edicionin e lajmeve apo gazetën! Ka edhe raste kur nuk e shmang dot një lajm të rëndësishëm pavarësisht se ai lajm ndoshta nuk ka sensibilitet tek publiku. Kjo ndodh në raste ekstreme, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje politike.

Enkelejda Mema: Gazetari duhet të mendojë dhe të veprojë gjithmonë në interes të publikut. Eshtë publiku, pa është gazetari! Në të kundërt nuk do të kishte media.

Albana Qehajai: Javë më parë nuk u shpëtova dot lotëve kur gazetarët u akuzuan se manipulojnë atë çka shohin.Shikimin e djalit nga Gërdeci i cili nuk e mësoi se nëna i kishte vdekur ndërsa ai i çonte bukën, do të jetë e vështirë të mos e kujtoj në çdo lajm që bëj. Por ajo që më ngroh është shtrëngimi i duarve me qytetarë që Albanën e kanë njohur ato ditë, duke më përgëzuar edhe për përlotjen në tranmetimet direkte. Pra, shikuesi është gjithmoni ai që më udhëheq ndërsa shkruaj një lajm. Më vjen keq që edicionet informative rëndom hapen me politikë, por kjo është Shqipëria. Por ju siguroj se e ardhmja e djalit tim 3 vjeçar që më ndjek çdo ditë vlen shumë më tepër se fjalët e egoistëve që kanë vetëm 4 vjet pushtet, aq sa zgjat edhe paprekshmëria e tyre.

Shkruan : Kristi Pinderi : Revista Mapo

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama