Gazetaret? Koha per te percjelle qytetari

Gazetaret? Koha per te percjelle qytetari
Anjeza është një nga ato vajza që edhe pse doli nga një konkurs bukurie me fitore, si Miss Shqipëria, nuk mbeti te profili i atyre vajzave të shout, të cilat nuk kanë çfarë t’i ofrojnë publikut veçse ndonjë foto gjysmë lakuriq. Anjeza synoi dhe arriti shumë më tepër se kaq. Nga Miss në gazetare në një emision (ultra) politik si “Opinioni”, brunia simpatike 28- vjeçare ka tashmë një projekt të ri: emisionin e mëngjesit në “A1 Report”.

E ftuam Anjezën në SH.F për të folur me të si e sheh veten dhe gazetarinë, cilat janë këndvështrimet e saj dhe sigurisht, nuk i kemi lënë pa bërë pyetjet tona të preferuara “të kuzhinës”.

Anjeza ju jeni ndër të paktat Miss-e që qëndruat në botën e medias, madje u angazhuat në emisione “të rënda” për nga pesha politike. Është e lehtë një gjë e tillë, si të duket tani që kanë kaluar disa vjet dhe mund të shohësh pas?

Fillimisht ka qenë një rastësi. Kur Blendi Fevziu më ofroi mundësinë për të punuar në “Opinion” të gjithë ishin skeptikë. Edhe unë vetë, të them të drejtën. Sidomos kur dëgjoja ata që pëshpërisnin se ishte strategji e Fevziut për të pasur një vajzë të bukur në “Opinion” dhe kaq. Nuk rezultoi kështu as për mua as për të tjerë aty. Mësimi që kam nxjerrë nga ajo periudhë është që disa talente, apo disa rezerva që kemi brenda vetes dhe për të cilat jemi ndonjëherë të pavetëdijshëm,  i zbulojmë vetëm me punë.

Dhe sikur të mos ndodhte kjo “rastësi” që rezultoi ndryshe nga ç’parashikuan skeptikët, çfarë do bëje?

Eeehh sikur-et… Nuk dua të mendoj asnjëherë për sikur-et.

Dhe pas një periudhe shkëputje, tani mësojmë se drejtoni emisionin e mëngjesit në projektin e ri të A1-shit. Nga një emision politik në një emision ku mbizotërojnë këshillat, kuzhina, gjërat e mëngjeseve…

Nuk është vetëm kuzhinë, kemi shumë rubrika në emision, kemi të ftuar … Është një paradite nga e cila, unë e para mësoj gjëra të reja. Sa për kalimin nga ai profil në këtë tjetrin, e kuptoj kuriozitetin e miqve që më vjen i shoqëruar me këto pikëpyetjet e vogla shpesh personale, por është gabim t’i shohësh gjërat bazuar në krahasime të tilla. Këto krahasimet shumë “analitike” unë për vete i kam lënë pushim për ca kohë (qesh).

Domethënë nuk të duket as e çuditshme, as e vështirë?

Po pse të më duket… Ja për shembull, në kuzhinën e emisionit po mësoj receta shumë interesante, të cilat kam filluar t’i praktikoj me miket e mia. Pastaj, ka shumë larmi, dita ndoshta nis gjithmonë njësoj, por përfundon gjithmonë ndryshe.

Cilat janë gjërat pa të cilat nuk mund të rrini në një ditë të zakonshme?

Aah po… Pa folur me mamin në telefon, pa u parë në pasqyrë dhe pa pirë makiaton time me qumësht të ftohtë.

Pa u parë në pasqyrë? Sa kohë harxhoni para pasqyrës?

Shihem, por trukohem shumë shpejt. Nuk jam tipi i femrës që rri gjatë para pasqyrës.  Gjëja që më lodh më shumë janë flokët, por prapë nuk i kalojë kurrë 10 minuta.  Edhe për veshjen ka ditë që nuk i kushtoj shumë vëmendje. Ka ditë që preferoj të jem klasike, sidomos kur jam në humor të mirë.

Ju del koha për të bërë të gjitha gjërat që doni?

Të gjitha ato që dua? Jo gjithmonë. Por më del koha të bëj gjithmonë ato që duhet.

Shoqëria për shembulll. Është nga ato gjërat që duhet apo nga gjërat që doni? E gjeni gjithmonë kohën për miqtë?

Unë kam pak shoqëri të ngushtë. Kam shumë shumë të njohur, por pak njerëz ku investoj kohë dhe miqësi. Kështu që më del, më del (qesh)

U bënë vite që ke qenë në ambiente mediash, gazetarësh… Si të duket ky ambient?

Kur e sheh nga jashtë duket shumë i bukur, por është një botë plot garë. Tani, keq më vjen ta them, por ka edhe shumë hipokrizi.

Për shembull?

Për shembull, ajo që më shqetëson më tepër janë këto gjykimet sipërfaqësore, më saktë paragjykimet. Duhet të mësojmë të përmbahemi ca kur flasim për tjetrin. Këto paragjykimet flakë për flakë, duke sharë këdo që përmendet dhe nuk është aty, janë pak si sjellje provinciale mendoj unë, sikur u ka ikur pak koha… Duhet të jemi të moderuar, qytetarë, më të matur kur flasim.

Problem shoh shumë edhe këto reagimet anonime online, sidomos kur bëhet fjalë për njerëz të njohur. Shoh disa të mllefosur, të cilët janë stampuar në rrjetet sociale dhe përpiqen të bëjnë analistët e figurave publike në anonimitet të plotë. Më duken pak si morracakë këta njerëz, po nejse…

Do vazhdosh me median, e ke ndarë mendjen?

Nëse një ditë do të hiqja dorë nga kjo do ta bëja vetëm për dashurinë dhe për të qëndruar me fëmijët.

E ke një person për këtë…Dmth, ndonjë që mund të na i heqë Anjezën shpejt e shpejt nga media?

(qesh) Jo, jo, qetësohu… Jam vetëm.

Para një pjate? E dashuruar me mishin dhe kërpudhat!

Anjeza na tregon se ushqimet që i shijojnë më shumë janë ato që i gatuan vetë në shtëpi. Një nga “specialitetet e saj”? Qofte me rrush të thatë dhe arra të mbushura. Duket recetë e çuditshme? Për më tepër le të lexojmë më poshtë.

Çfarë ushqimesh të pëlqejnë më shumë?

Mishi, pa e tepruar, dhe këpurdhat. Jam e rregullt me vaktet sidomos kohët e fundit.

Kush gatuan në familje?

Mami kryesisht. Po edhe unë kur dua të provoj ndonjë recetë të marë nga zonja Tefta apo nga restorantet ku kam qenë.

Cili është ushqimi që gatuan më mirë?

Qofte me rrush të thatë dhe arra të mbushura.

Po ushqimi pa të cilin nuk do rrije dot?

Zakonisht janë frutat.

Ndjen probleme me trupin?

Nuk besoj, ndihem mirë me veten dhe kujdesem.

Çfarë mendimi ke për ata që janë të fiksuar pas dietave?

Varet. Mund të jemi duke folur thjesht për njerëz të kujdesshëm. Përsa i përket fiksimit do të thoja: çdo gjë në masën e duhur. Është një formulë e thjeshtë që besoj se ka rezultate më të mira në jetë se teprimet.

Shkon në palestër?

Palestër në kuptimin e zakonshëm, jo. Not në pishinë gjatë gjithë vitit, po.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama