Gazetari rrefen ngjarjen Ja si me dhunuan mendova vdekjen

Gazetari rrëfen ngjarjen: Ja si më dhunuan, mendova vdekjen

Gazetari sportiv, Eduard Ilnica, i cili u dhunua barbarisht një ditë më parë nga presidenti i Kastriotit, Alban Vogli dhe disa persona të tjerë, rrëfen gjithçka ndodhi në orët e vona të së hënës.

13162323_10208391836850086_56921797_n

Në një intervistë për televizionin "Tele Sport", Ilnica jep arsyet se pse është dhunuar në atë mënyrë nga kreu i klubit krutan, në një kohë zbulon edhe një fakt tronditës.

"Kërkuan të më tërhiqnin zvarrë dhe të më fusnin në makinën e tyre, një fuoristradë. Mendova që po të futesha aty, ndoshta do të më eliminonin edhe fizikisht duke ditur se me çfarë personash kisha të bëja", thotë ndër të tjera Ilnica në rrëfimin e tij.

Edi, çfarë ndodhi?

Mendoj se shkaku ka lidhje me atë që ndodhi pas ndeshjes në Peshkopi, Korabi-Kastrioti, ku unë isha prezent si gazetar sportiv, por edhe si dashamirës ndaj vendlindjes meqë ishte një festë sportive. Në pasqyrimet e mia, duket se dikujt nuk i ka ardhur mirë.

Dhuna e tifozëve është papjekuri dhe sigurisht duhet dënuar fort. Por, ne gazetarët duam të kërkojmë përgjigjet e disa pyetjeve, "pse", "si nisi" apo "çfarë ndodhi".

Dhe, me sa duket, i kam shkelur dikujt në "kallo", atyre njerëzve që nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë gazetari. Dhe, në një shkrim që kam bërë në "telesport.al", duke mos qenë fare i ndikuar, kam bërë vetëm pasqyrim të pamjeve dhe fakteve dhe asnjë koment më shumë.

Më vjen keq që disa kërkojnë ta fusin në kanalet e një opinioni apo komenti personal në rrjetet sociale, por që nuk është ashtu. Ata nuk arrijnë dot të bëjnë diferencën midis gazetarit dhe tifozit.

Çdo njeri është tifoz, edhe gazetari është tifoz. Por në këtë rast nuk mendoj se jam sulmuar si tifoz, por si gazetar që kam nxjerrë të vërtetën. Pavarësisht se kjo e vërtetë u ka dhembur disave.

Kalojmë te nata e së hënës, çfarë ndodhi në vendin ku u dhunuat?

Do takoja dikë për një intervistë në një lokal aty pranë ku ndodhi ngjarja dhe kishte ikur. Kontrolloj në lokal dhe pastaj kthehem me telefon në dorë se ku ishte. Po i drejtohesha makinës sepse gjithsesi do lëvizja.

Në atë moment kam parë një grup personash të udhëhequr nga Alban Vogli, emrin e të cilit e mësova në stadiumin e Peshkopisë. Kurrë më parë në jetën time nuk e kisha parë.

Asnjëherë më parë në jetën time nuk e kisha dëgjuar si emër dhe madje nuk e dija as që ishte president i klubit të Kastriotit. E kam parë atë ditë në tribunë dhe e fiksova, pasi është hedhur nga 4 metra lartësi duke shkuar në fushë në momentin që shpërtheu dhuna. Kaq ishte kontakti im me të. Thjesht e kam njohur nëpërmjet hulumtimeve, pasi më bëri përshtypje se kush ishte ky person.

Dhe citimi i emrit të tij në portalin "telesport.al" dhe televizionin "Tele Sport" bëri që ai ta kapë në plan personal. Unë nuk kam pasur kurrë asgjë me të apo me personat që e shoqëronin.

Si ndodhi dhunimi?

Kërkuan të më tërhiqnin zvarrë dhe të më fusnin në makinën e tyre, një fuoristradë. Mendova që po të futesha aty, ndoshta do të më eliminonin edhe fizikisht duke ditur se me çfarë personash kisha të bëja, pas atyre që mësova rreth tyre gjatë ditëve të fundit. Për dy minuta më kanë goditur pa fund, por shyqyr Zotit arrita t'u shpëtoja nga duart për të mos u futur në makinë, por jo nga grushtet që ishin pa fund. Kur e panë që nuk më futën dot në makinë dhe pasi më goditën mirë e mirë, më morën celularin dhe çelësat e makinës dhe ikën.

Po më pas çfarë bëtë?

Kam hyrë sërish te lokali aty pranë për t'u pastruar, pasi isha i mbuluar me gjak. Vjen policia dhe shkojmë në spital. Dua të falënderoj të gjithë mjekët për kujdesin dhe punën e bërë ndaj meje. Dua të falënderoj të gjithë opinionin për sensibilizimin e ngjarjes. Falë Zotit shpëtova dhe jam jashtë rrezikut për jetën.

Është një gjë e turpshme. Ndoshta ka ardhur koha që futbollin t'ua lëmë personave sportivë dhe jo atyre që nuk kanë lidhje me sportin. Nuk më kishte shkuar kurrë nëpër mend se do të goditej në mënyrë makabre një gazetar sporti. Është një opsion që të lini Shqipërinë dhe të merrni të gjithë filmimet dhe dokumentet në lidhje me këtë ngjarje dhe të shkoni në Gjermani, Belgjikë apo Zvicër dhe të vërtetoni se në Shqipëri nuk jetohet më?

Jo, nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë asnjëherë një opsion. Do vazhdoj profesionin tim si gazetar sportiv. Nuk është gjetja më e mirë ikja.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama