Të dish të dëgjosh me vëmendje krijon mundësinë e gjetjes së lajmit; për të qenë reporter i mirë duhet të çlirohesh nga çdo paragjykim personal; interneti është një instrument më shumë për të kërkuar versionin më të mirë të së vërtetës: është kjo receta e skupit mediatik të Karl Bernshteinit, i cili bashkë me kolegun Bob Uduard zbardhi në faqet e së përditshmes "Washington Post" të famshmin Uotergeit, skandali i përgjimeve, që detyroi Presidentin amerikan, Riçard Nikson, të jepte dorëheqjen. Këto ditë ndodhet në Peruxha për Festivalin e Gazetarisë Ndërkombëtare dhe gjatë një pauze pranoi të intervistohej nga gazetari italian, Mauricio Molinari.
Çfarë i këshilloni një të riu që dëshiron të bëhet gazetar? Cili është sekreti i të qenit reporter i mirë?
Të jesh gazetar i mirë do të thotë të dish të gjesh e të shkruash versionin më të mirë të së vërtetës mbi një ngjarje të caktuar.
Ku qëndrojnë vështirësitë?
Para së gjithash qëndron fakti se bëhet fjalë për një përqasje që e ka humbur vlerën me kalimin e kohës. Të zbulosh versionin më të mirë të së vërtetës nuk do të thotë të rendësh pas fluturave, por të flasësh me shumë njerëz, të jesh këmbëngulës, të dish të dëgjosh fjalët që të thonë të tjerët dhe të mos joshesh nga ideja që gazetaria bazohet mbi kundërshtitë e polemikat e ndërtuara në tavolinën e punës. Thashethemet dhe sensacioni po kthehen në tendencë masive, duke penguar kërkimin e së vërtetës.
Përse mendoni se është e rëndësishme të dish të dëgjosh?
Për motivin e thjeshtë, se në pjesën më të madhe të rasteve njerëzit thonë gjëra të rëndësishme dhe, të dish t‘i dëgjosh, gjenden lajme të vlefshme, edhe pse shpesh janë të ndryshme nga ato që kërkohen fillimisht.
Na jepni ndonjë shembull...
Thuajse çdo histori me të cilën kam punuar, në fund ka rezultuar e ndryshme nga çfarë kërkoja fillimisht. Kanë qenë faktet ato që më kanë shtyrë diku tjetër. Ajo që e konsideroja si të vërtetë shpesh më ka shërbyer si pikënisje e mirë, por më pas kam vazhduar në drejtime të tjera. Për shembull, në rastin e skandalit të Uotergeitit, fillimisht mendoja se pas asaj çështjeje fshihej CIA, e cila spiunonte në dëm të demokratëve, por po t‘i kisha qëndruar besnik kësaj bindjeje, nuk do të kisha arritur ta zbuloja të vërtetën. Nuk e kisha çuar në mend që aty mund të qenë përfshirë edhe njerëz të tjerë, siç rezultoi më vonë. Janë të shumta ato histori që në fund shfaqen ndryshe nga ç‘mendohen në fillim. Paragjykimet nuk vijnë në ndihmë, kur vjen fjala për të qenë gazetarë të mirë.
Cili është shërimi?
T‘u japësh mundësinë të flasin protagonistëve të ngjarjes, që po mundohesh të raportosh dhe të dëgjosh me vëmendje çfarë kanë për të thënë. Është ky çasti kur zbulohen pikat kyçe të një lajmi. Mund të mbetesh pa fjalë nga ajo që dëgjon, por kështu shtihen në dorë lajmet ekskluzive. Për shembull, më kujtohet që kur punoja për "Abc News" më ra në dorë fakti që Shtetet e Bashkuara, Kina, Egjipti e Pakistani kishin krijuar një aleancë sekrete për të armatosur muxhahedinët në Afganistan, kundër Armatës së Kuqe sovjetike. Por, në të vërtetë, kërkoja diçka krejt tjetër, ndiqja pistën e kundër-gueriljes në Nikaragua. Po flisja me dikë, e pyeta për Nikaraguan dhe m‘u përgjigj se nuk ishte marrë fare me atë punë, pasi sapo kishte dalë nga një mbledhje, ku ishte folur me shumë ngut mbi ç‘duhej bërë për t‘u ardhur në ndihmë rebelëve afganë. E dëgjova. Nuhata që po më thoshte diçka të rëndësishme dhe nisa të punoja mbi një lajm, mbi të cilin më pas u fol shumë gjatë. Ja përse në të gjitha rastet kur flas me dikë pyes veten nëse e kam dëgjuar me kujdesin e duhur, nëse i dhashë mundësinë të shprehej. Në fund të fundit, të jesh reporter i mirë do të thotë të jesh person pozitiv.
Sa gabim është lënia pas dore?
Duke u mbështetur te përvoja ime dhe tek ajo e shumë kolegëve të tjerë, mendoj se shpesh gazetarët paraqiten përpara njerëzve me një pyetje, ose e shumta dy, me qëllim të vetëm provokimin e një përgjigjeje, falë së cilës imagjinojnë që do shkaktojnë polemikën e dëshiruar. Në këtë mënyrë sigurohen deklarata sensacionale, vrapohet për në skrivaninë e zyrës dhe shkruhet pikërisht ajo histori që është imagjinuar që në fillim. Vetëm se kështu nuk arrihet të zbulohet versioni më i mirë i së vërtetës.
Ju jeni bërë mjaft i njohur falë shtypit të shkruar, por keni krijuar edhe një sit në internet, "Voter.com". Çfarë ekuilibri mund të vendoset mes internetit dhe gazetarisë "në letër"?
Në Amerikën e Veriut, e thënë më qartë, në botën anglosaksone, jemi më përpara në kuadrin e kombinimit të internetit dhe "letrës së shtypur" krahasuar me gazetarinë mesdhetare, në Francë, Itali e Spanjë, ku dominon ende "letra e shtypur" me analiza, stil e paraqitje të lajmeve që ngjajnë shumë me informacionin televiziv. Gjithsesi, edhe pse jemi shumë më të disiplinuar se gazetarët mesdhetarë, po i drejtohemi gjithnjë e më tepër internetit, i cili reporterit i jep mundësinë për të zbuluar versionin më të mirë të së vërtetës.
Interneti i vjen në ndihmë apo e dëmton gazetarin?
Interneti ofron mundësi shumë të mira për gazetarët, pasi jep burime të panumërta, duke dhënë alternativa të reja, përveç burimeve institucionale.
Sa po ndikon interneti te lexuesit?
Për lexuesit interneti përbën një mundësi të madhe, të cilët janë në gjendje të krijojnë edhe gazetat e veta, të bazuara te preferencat personale. Për shembull, kushdo që ka interes për Lindjen e Mesme mund të vizitojë fillimisht sitin në internet të së përditshmes izraelite "Haaretz" e më pas atë të televizionit arab "Al-Jazeera". Pas këtyre mund të lexojë ç‘shkruan një analist për Arabinë në një gazetë britanike. Në këtë formë çdo lexues krijon gazetën personale, e bazuar në hierarkinë e interesave të tij vetjake. Shtypi i shkruar tradicional do të mbijetojë, por do gjejë një ekuilibër me këto realitete të reja mediatike. Janë fillimet e një revolucioni të vërtetë.
Nga Gazeta Shqip