Korrespondentja e TV Klan në Bruksel, Erisa Zykaj, thotë se është ofenduar nga kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Bruksel. Pas takimit me presidentit e Këshillit Europian, Donald Tusk, Zykaj e pyeti Ramën, por ky i fundit i tha se duhej të merrte leksione në anglisht, pasi nuk e kishte kuptuar mirë çfarë ishte thënë në konferencë.
“Kryeministri i Shqipërisë më këshillon të marrë më shumë leksione anglisht, pasi sipas tij nuk kam kuptuar një fjali të deklaratës së presidentit të Bashkimit Europian, Donald Tusk i cili tha “Shqipëria duhet të jetë po aq e arsyeshme dhe konstruktive në politikën e brendshme, sa ç’është në politikën rajonale”. Unë tentova ta zbusja deklaratën e Tusk në pyetjen time duke thënë “Shqipëria duhet të jetë po aq e suksesshme në politikën e brendshme sa ç’është në skenën e jashtme”. Por edhe kjo nuk e ka shmangur arrogancën e tij. Në fakt, nuk ka nevojë të jesh shumë i zgjuar dhe as të kesh marrë leksione shtesë anglisht për të ditur, se Shqipëria është vendi që ka një vijueshmëri problematike të politikës së brendshme në kontrast me rolin e saj rajon. Kur i shtrova pyetjen e dytë për përshkallëzimin e kriminalitetit në vend, ktheu kokën nga ana tjetër. Të gjithë kolegëve europianë që asistuan dhe u vunë në dijeni të qëndrimit të tij u befasuan nga ngjarja. Nuk e imagjinoni dot sa “sa mirë” ndihet një gazetar që trajtohet kështu nga kryeministri i vendit të tij, ndërkohë që respektohet nga përfaqësuesit e institucioneve europiane dhe organizmave me rëndësi si Shoqata Ndërkombëtare e Medias,” thotë Zykaj.