Gazetat shqiptare nje shembull se si nuk duhet te behet gazetaria

Gazetat shqiptare, nje shembull se si nuk duhet te behet gazetaria
(Një reagim nervoz në emër të atyre që kanë ideale dhe po stërviten për tu bërë gazetarë)

Të hënën, kur Dritan Prifti dëshmoi në Gjykatën e Lartë, gazeta online IDEA, zbardhi dhe publikoi dëshminë e tij të plotë. E zbardhur shpejt e shpejt, teksti kishte edhe disa gabime ortografike. Të nesërmen, gazetat e ditës publikonin, thuajse të gjitha, dëshminë e plotë të Priftit. Tema, Shqiptarja e re dhe Shqiptarja e vjetër, Shekulli,  etj, kishin publikuar të njëjtën dëshmi, ose më saktë të njëjtën zbardhje. Dikush tjetër, Tirana Observer, e kishte marrë me gjithë titull e nëntill dhe…akush nuk denjonte të citonte vendin se nga u importua. Madje dikush guxonte ta kishte edhe “Ekskluzive”.

Çuditërisht, të gjitha gazetat e nisnin dëshminë me të njëjtën fjali. Padyshim, do të thoni, sepse të gjithë gazetarët kanë qenë atje dhe kanë dëgjuar të njëjtin referues. Po, por çuditërisht, referuesi Dritan Prifti, nuk e nisi pikërisht kështu dëshminë e tij. Por me atë fjali e nisi pikërisht gazetari i gazetës IDEA zbardhjen e dëshmisë, sepse kështu e mendoi ai, kështu ia tha logjika atij. Dhe pikërisht tek ajo fjali ia kishte nisur e gjithë lukunia gazetareske e Tiranës zbardhjen e dëshmisë.

Pra, pa asnjë dyshim e dileme, gazetat kishin marrë me copy dëshminë e hedhur në faqen e IDEA dhe e kishin botuar në letrat e tyre të panxira deri në atë moment, pa e cituar.

Të gjithë gazetarët, emrin e kompanisë së naftës “Albpetrol” e shkruanin me gërma kapitale ALBPETROL, sepse kështu kishte menduar se shkruhet gazetari i IDEA dhe jo sepse kështu duhet. Ndërsa emrin e kompanisë “Halili” herë e shkruanin HALILI e herë Halili, siç e kishte shkruar IDEA. Gazetat  e kanë vënë pikën dhe presjen në fjalitë e Priftit pikërisht aty ku e ka vënë gazetari i IDEA, dhe jo sepse kështu ishte më mirë nga ana drejtshkrimore, por sepse ashtu e kishte zbardhur gazetari i IDEA. Ndërkohë që Prifti vetëm kishte folur, kishte bërë një dialog, dhe nuk shpërndau ndonjë material të shkruar të cilit të mund ti referoheshin të gjithë njësoj, edhe për mënyrën e drejtshkrimit. Madje, në ndonjë rast, po çuditërisht, ishte bërë i njëjti gabim ortografik.

Sa për informacion, gazeta IDEA është një projekt i mbështetur nga fondacioni SOROS, për të nxitur një media qytetare dhe investigative, në bashkëpunim me departamentet e gazetarisë në Universitetet e Tiranës, Shkodrës dhe Elbasanit. Pra gazetarët e saj janë studente, që duan të praktikohen dhe të sjellin një frymë të re në median shqiptare. Ata nuk paguhen dhe në këtë rast janë kopjuar në punën e tyre nga ata gazetarë që paguhen jo keq dhe që bëjnë lloqe tërë ditën në face book e nuk e kanë për gjë të vjedhin punën e tjetrit, pa e cituar.

Kjo pjesë e shtypit shqiptar dëshmon jo vetëm mungesë profesionalizimi, por demonstron etikë të ulët dhe respekt të ulët për punën  e kolegëve.

Studentët që punojnë për IDEA, në fakt po punojnë për të mësuar, pasi ata ëndërrojnë të bëhen gazetarë. Por çfarë të mësojnë? Të mësojnë se gazetat janë sot një paçavure? Të mësojnë se të bëhesh gazetar nuk është e thënë se duhet të shkosh patjetër në “vendin e ngjarjes”, atje ku ndodh lajmi, ashtu siç u kanë thënë pedagogët në leksione? Të mësojnë që të jesh gazetar nuk është e thënë që të shkosh në konferencë shtypi, por të presësh njoftimin e zëdhënësit me email? Të mësojnë se nuk është e thënë të shkosh në gjyq, por mund të hapesh një gazetë tjetër e të marrësh me copy atë që është thënë atje e ti vësh emrin tënd? Të mësojnë, që të bëhesh gazetar nuk është e thënë të shkosh në terren, por të vegjetosh në kafenetë e dembelizmit, e të presësh çdo të të sjellin për ti vënë sërish emrin? Në fakt, media shqiptare, e vecanërisht shtypi, kanë përfunduar në këtë derexhe, pikërisht sepse ushtria e gazetarëve ka përfunduar në këtë derexhe, një ushtri që të paktën deri para vitit 2000 të “thyente” dhëmbët edhe me një artikull.

Studentët e IDEA janë mësuar se edhe mund ti referohesh mediave të tjera, për lajme, komente apo edhe histori të ndryshme njerëzore. Por janë mësuar dhe edukuar që të respektojnë punën e tjetrit, duke cituar pikërisht gazetën apo televizionin që e ka prodhuar atë lajm apo atë histori.

Por unë dua ti inkurajoj studentët që kanë zgjedhur të bëhen gazetarë, jo vetëm ata që janë angazhuar në IDEA, por të gjithë ata që janë ulur për të mësuar gazetarinë, që të mësojnë dhe të mësojnë se ajo që bën sot shtypi shqiptar është pikërisht ajo që nuk duhet bërë në gazetari. Por të bësh atë që na thoshte një nga mësuesit më të mirë të gazetarisë sonë, Karlo Bolino, kur na pyeste: Sa palë këpucë ke grisur duke bredhur pas lajmit? Kjo është statistika e parë që duhet të prodhojë një gazetar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama