Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Genc Tomori, për "Panorama Sport" ka pranuar se shorti u ka dhuruar një përballje të vështirë, por të kuqtë do të bëjnë të pamundurën që të jenë gati. Tomori ka sqaruar edhe situatën aktuale dhe përpjekjet që po bëhen për ndërtimin e një skuadre kualitative, mangësitë kryesore mbeten në sulm.
Tomori, si e vlerësoni shortin e Partizanit për Ligën e Europës?
Prisnim një short më të favorshëm, pasi dihet se Slovan Bratislava është një ekip me emër dhe kualitete. Menjëherë kemi nisur të mbledhim informacionin për ta njohur kundërshtarin, i cili na rezulton një ekip i plotë. Nuk është se e kemi frikë, por sllovakët mbeten një nga kundërshtarët më të fortë të këtij raundi në Europë.
Përgatitjet i nisët në fillim për këtë veprimtari apo...
Përgatitjet tona për pjesëmarrjen në Europë i kemi nisur në funksion në Ligës së Europës. Por me pështjellimet që ndodhën rrugës, përgatitjet e Partizanit morën një mision të dyfishtë, pasi ashtu na u tha, që të ishim gati edhe për Champions.
A e keni ekipin e plotë për ta përballuar këtë raund?
Po bëjmë të gjitha përpjekjet që të jemi gati. Nuk jemi të plotë sa duhet në sulm, por do të mundohemi që deri në limitet e lejuara të përforcohemi. Gjithsesi, ekipi po stërvitet me intensitet dhe kam bindje se do të japim maksimumin në këtë raund të Ligës së Europës.
Ku do ta luani ndeshjen e parë, pasi edhe Kukësi është pritës në të njëjtën ditë? Dy klube që keni përzgjedhur "Elbasan Arena"-n...
Ne kemi depozituar "Elbasan Arena"-n si stadiumin ku do të luajmë ndeshjet e Europës. Të njëjtin stadium ka regjistruar edhe Kukësi, kështu që tani mbetemi që të njoftohemi nga UEFA se ku dhe kur do ta luajmë takimin e parë. Edhe një vit më parë shorti na nxori pritës ndaj Stromsgodsetit, por në fund u ndryshua dhe ndeshjen e parë e luajtëm në Norvegji.
Flitet se në listën për Europën keni përfshirë edhe Sukajn...
Po punojmë që deri në minutën e fundit të përpilojmë listën e duhur të lojtarëve që do të regjistrojmë për Slovan Bratislavën. Jemi në bisedime edhe me Sukajn dhe deri në fund do t'i luajmë të gjithë "gurët".
Po trajner i Partizanit të Europës kush do të jetë?
Trajneri dihet kush është, Sormani. Ai po stërvit ekipin në Itali ku po zhvillohet periudha përgatitore. I gjithë stafi është i kompletuar dhe po bën maksimumin që ta përgatisë ekipin për në Europë.
Cila është Slovan Bratislava, skuadra nga ka dalë Hamshik
Slovan Bratislava, kundërshtari i Partizanit në turin e parë eliminator të Ligës së Europës, është një nga skuadrat më me zë dhe me shumë tituj. Aktiviteti i kësaj skuadre është shtrirë në tri periudha, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe pas rrëzimit të komunizmit në vendet e lindjes. Slovan Bratislava ka fituar tituj edhe kur ka qenë pjesë e Çekosllovakisë dhe tani që përfaqëson Sllovakinë.
Slovan është skuadër e kryeqytetit sllovak dhe derbin e ka me Interin e Bratislavës. Klubi është themeluar në 1919-ën dhe gjatë historisë së saj e ka ndryshuar disa herë emrin. Slovan Bratislava është bërë klubi i parë dhe i vetëm nga ish-Çekosllovakia që ka fituar një kupë në Europë, pikërisht Kupën e Kupave në sezonin 1968-1969, ku në finalen e 21 maj 1969 ka mundur Barcelonën me rezultatin 3-2.
Nga ky klub kanë dalë emra të njohur të Kombëtares së ish-Çekosllovakisë dhe aktualisht të Sllovakisë. Nga ky klub ka dalë edhe Marek Hamshik, i cili në 2004-ën u transferua në Itali te Breshia. Por transferimi më i bujshëm i Slovan Bratislavës është regjistruar në vitin 1993, ku Peter Dubovski u shit te Real Madrid për 4.3 milionë euro.
Skuadra sllovake drejtohet nga trajneri qipriot Nikodimos Papavasiliou dhe sezonin e shkuar e përfundoi në vendin dytë, ashtu si Partizani në Shqipëri. Dy futbollistët më të njohur të Slovan Bratislavës janë sulmuesi i kombëtares hungareze, Tamas Priskin, dhe ishsulmuesi kombëtares sllovake, Robert Vitek.
Ilir Cara