15 persona kanë mbetur të vdekur si rezultat i një shpërthimi të fuqishëm në një fabrikë municionesh në Bullgari. Ngjarja e rëndë ka ndodhur të mërkurën në fshatin Gorni Lom të qytetit Montana, në veri-perëndim të Bullgarisë. Sipas gjermanes “Deutsche Welle”, aksidenti fatal ndodhi në një seksion të fabrikës ku çmontoheshin minat tokësore dhe municionet e vjetruara. Mësohet se në momentin e shpërthimit brenda kanë qenë 15 persona, 13 meshkuj dhe dy femra, të cilët kanë ndërruar jetë menjëherë.
Tre persona të tjerë që gjendeshin afër fabrikës kanë mbetur të plagosur rëndë, por janë jashtë rrezikut për jetën. Ekspertët e ushtrisë bullgare kanë dhënë urdhër që të paktën për 24 orë të mos shkelet në vendin e shpërthimit dhe përreth saj, nga frika e shpërthimeve të mëtejshme.