Germimet ne Antigone zbulohen rrenojat e nje kompleksi punishtesh

Germimet ne Antigone, zbulohen rrenojat e nje kompleksi punishtesh
Gërmimet që po zhvillohen gjatë këtyre ditëve në qytetin antik të Antigonesë në Gjirokastër kanë dalë në dritë disa zbulime të reja. Arkeologët kanë zbuluar rrënojat e një njësie tregtimi dhe punishteje për bluarjen e drithit, përpunimin e metaleve dhe veshjeve. I gjithë ky kompleks është zbuluar përgjatë rrugës kryesore të qytetit antik, e cila ka shërbyer si një urë lidhëse me Akropolin. Tani është vërtetuar se përgjatë kësaj rruge ka pasur një sërë njësish ekonomike duke forcuar faktet se Antigonea ka qenë një qendër e rëndësishme ekonomike.

Gërmimet po bëhen nga arkeologë shqiptarë të cilët shprehen se këto zbulime tregojnë se ky qytet ka pasur një zhvillim më të mirë ekonomik karahasur me qytetet e tjera të kësaj periudhe. Gjithashtu aty janë gjetur disa gurë me përberje vullkanike që mendohet se kanë mbërritur nga vullkani i Vezuvit, por janë zbuluar edhe monedha dhe objekte qeramike dhe bronzi.

Antigonea ka qenë një qytet i lashtë i ndërtuar në shekullin e III p.e.s.. Ndodhet në Shqipëri 14 kilometra nga qyteti i Gjirokastrës. Ishte një qytet jetëshkurtër që jetoi veç rreth 150 vjet. Qyteti antik i Antigonesë shtrihet mbi kodrën e Jermës, pranë fshatit Saraqinishtë të Gjirokastrës. Emri dëshmon se ai duhet të jetë themeluar nga mbreti Pirro rreth vitit 290 p.e.s për nder të gruas së tij Antigonesë, bijë e mbretit Ptoleme të Egjiptit.
Shpejt u kthye në një qendër të rëndësishme për shkak të kontrollit të luginës së Drinosit, e cila në Antikitet quhej ngushticat e Antigonesë. Në vitin 168 p.e.st qyteti u shkatërrua plotësisht nga ushtria romake e konsullit Pal Emili së bashku me 70 qytete të tjera të Epirit dhe të Ilirisë. Pas kësaj qyteti u braktis për disa shekuj dhe vetëm në shekullin VI mbas Krishtit brenda tij u ndërtua një kishë paleokristiane.

Pllaja mbi të cilën është ndërtuar qyteti antik i Antigonesë zotëron të gjithë luginën e Drinos përballë Gjirokastrës. Ndërtimi i qytetit ka qenë realizuar sipas një plani urbanistik, i cili e ndan sipërfaqen prej 45 hektarësh në disa zona: në zonën qendrore të banuar, në Agoranë në veri të pllajës, në Akropolin dhe Basileian, të cilat janë të veçuara me mure në pjesën më të lartë të kodrës, dhe në Euhorion, ose zonën e rezervuar për strehimin e popullsisë fshatare në rast luftërash, në anën perëndimore të qytetit.

Një rrugë qendrore me gjatësi 900 metra dhe gjerësi 4.8 metra, me drejtim Lindje-Perëndim, që lidhte dy portat kryesore, dhe një rrugë me drejtim Veri-Jug me gjerësi 6.8 metra ndërpriteshin në qendër të qytetit duke përbërë boshtet e zhvillimit të një sistemi hipodamik, nga nisnin dhe rrugët e tjera dytësore, duke krijuar blloqe banesash në formë kuadratesh me përmasa 51×102 metra. Muret rrethuese me gjatësi 4 kilometra janë të ndërtuara me blloqe gurësh të latuar në forma katërkëndëshe ose poligonale. Hyrjet kryesore dhe pikat e mundshme të sulmit mbroheshin nga kulla katërkëndëshe.

Në Agoranë e qytetit gërmimet kanë nxjerrë në dritë një portik me kolonadë dorike me gjatësi 60 metra dhe gjerësi 8,60 metra. Pranë tij u gjendën edhe pjesë të një skulpture bronzi të një kalorësi, që mund edhe t’i ketë qenë kushtuar Pirros së Epirit.

Në Antigone janë zbuluar disa banesa të llojeve të ndryshme, që u përkisnin shtresave tregtare-zejtare të qytetit. Brenda tyre ndodheshin punishte metalesh dhe të përpunimit të lëkurëve. Gjetjet e pasura arkeologjike dëshmojnë për shkallën e lartë të kulturës dhe për mirëqenien e qytetit. Mbi bazën e teserave prej bronzi me mbishkrime greqisht Antigoneion, që shërbenin për hyrje në teatër ose në vendet e festave publike, u bë i mundur identifikimi përfundimtar i Antigonesë në rrënojat e Jermës.

Kurse Kisha paleokristiane e Antigonesë është një kishë njënefëshe me absida anësore trekëndëshe, e shekullit V-VI. Dallohet jo vetëm nga ndërtimi planimetrik, por dhe nga mozaiku i zbuluar në të, i cili përfytyron një figurë me trup njeriu dhe me kokë qeni. Kjo figurë është e identifikuar me Shën Kristoforin dhe përbën shembullin më të vjetër të kësaj paraqitje ikonografike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama