“Isha vetëm 23 vjeç kur u arrestova dhe më pas u dënova me burgim të përjetshëm”. Me një penë të fuqishme, Gert Gjenerali, i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit në vitin 1997 në Itali, ka përshkruar me detaje në blogun italian “Hija e heshtjes”, ditët e tij në burgun e Spoletos në shtetin fqinj.
40-vjeçari i ekstraduar ditën e hënë drejt Shqipërisë, në çdo fjalë që ka shkruar ka shprehur pendesën e tij të thellë për jetën që ka bërë para se të futej në burg, por edhe vuajtjen e madhe që do i shkaktonte familjes së tij në Shqipëri gjatë momentit që do të dënohej me burg përjetë, raporton”GSH”
Gjenerali rrëfen ditët e vetmuara në burg, netët kur ai shkrehej në vaj, bisedat me vëllanë e tij të vetëm, edhe ai i burgosur në Itali, bisedën me babanë e tij në momentin që i tregoi për dënimin e shtetit fqinj, por edhe shpresën e madhe se një ditë do fitojë lirinë për të realizuar ëndrrën e tij më të madhe, siç është ajo e krijimit të një familjeje.