Ky libër dhe një seri veprash të autorëve shqiptarë prezantohen në panairin e librit në Tiranë 14-18 nëntor. Shtëpia botuese “Besa” që drejtohet nga Livio Muci, në kolanën “Nuove Lune” përfshin botime të reja të romaneve “Engjëj të armatosur” i Diana Çulit, “Dragoi i fildishtë” i Fatos Kongolit, “Pa bagazhe” i Elvira Dones, dhe autorë që Muci i boton prej vitesh (Ron Kubati, Amik Kasoruho etj.). Në 212 faqe prezantohen mbi 100 këngë të jugut dhe veriut të Shqipërisë. Në botimin italisht autori sqaron hollësisht, natyrën e këtyre këngëve të ushtarëve shqiptarë që luftonin për llogari të perandorisë otomane në frontet e luftës nëpër Ballkan e në shkretëtirat e Anadollit dhe vendeve arabe. “Historia e Shqipërisë ka qenë një terren pjellor për lirikën gojore” shkruan Hajdari në tekstin prezantues.
Është Shqipëria nën perandorinë otomane, në një periudhe historike të veçantë pas reformave të Portës së Lartë në Stamboll më 1839 për të organizuar shtetin turk sipas modeleve evropiane. Njëra nga këto reforma e njohur në historinë e Turqisë me emrin Reforma e Tanzimatit ishte organizimi i ushtrisë. Qytetarët e perandorisë otomane rekrutoheshin ushtarë për vite me radhë. Është hera e parë që lexuesit italian i propozohen këto këngë popullore lirike të një bukurie të rrallë që janë trashëguar nga babai te biri duke u kënduar në ceremoni e martesa. Ky botim përfshin këngë nga tri cikle: ikja, jeta nizam dhe kthimi, si Misir, maledetto Misir, (Misir, i shkreti Misir), Maledetto, o nizam (O nizam i mallkuar), Dove canta questo corvo nero?, Mia colomba dalla bocca di rosa, Che possa bruciare il tuo seme, Ahime, amici miei.
Në pak vargje ato përshkruajnë fate, vuajtje e rreziqe, drama e tragjedi. Hajdari shton se këngët dallojnë nga origjinaliteti që ekziston në elementet që sjell çdo këngëtar dhe në mënyrën se si interpretohet çdo këngë. Timbri ndryshon nga një krahinë në tjetrën. Ato këndohen me çifteli, sharki ose lahutë. Në këtë vëllim përgatitësi i antologjisë dhe njëherësh përkthyesi i teksteve, ka përfshirë edhe këngë më të vjetra akoma si “Mbeçë, more shokë, mbeçë, përtej urës së Qabesë” (Che tu possa rimanere ovunque, amico mio, ma non oltre il Ponte di Qabè) të cilat ai ndan si këngë që i përkasin feudalizmit ushtarak otoman. Është vëllimi i parë i punës që Gëzim Hajdari ka ndërmarrë me lirikën gojore. Është në proces për një vëllim të dytë që i kushtohet këngëve të kurbetit. “Si këngët e nizamit edhe të kurbetit përfaqësojnë dy fenomene të së shkuarës së shoqërisë shqiptare.
Ajo që i bashkon janë nostalgjia, vuajtjet, fatkeqësitë e jetës dhe rebelimi. Te këngët e nizamit përfshihen edhe këngë të jetës ushtarake para reformave të administratës otomane. Ndërsa në të dytën janë përfshirë edhe këngë të arbëreshëve të Italisë”, shkruan autori. Gëzim Hajdari e vlerëson këtë kulturë si ruajtëse të vlerave etike dhe morale të së shkruarës, që janë përcjellë nga një brez në tjetrin përmes bardëve dhe rapsodëve. “Janë pikërisht këngët popullore ato që kanë ruajtur të gjallë kujtesën kolektive të kombit në momentet më të errëta dhe më tragjike të historisë, duke pasuruar kështu traditën kulturore dhe vetë identitetin shqiptar.”
Autori
Prej vitit 1992 Gëzim Hajdari (Lushnje, 1957) jeton në Itali. Ai vazhdon ta mbajë krijimtarinë e tij në dy gjuhë, shqip dhe italisht. Ka botuar: “Corpo presonte”, “Stigmate”, “Spine nere”, “Maldiluna”, “Poesie scelte” 1990-2007”, “Erbamara” (“Barihidhur”), “Pietre al confine” (“Gurë kufitarë”), “Antologia della pioggia” (“Antologjia e shiut”), “Sassi centro vento” (“Gurë kundër erës”). Poezia e tij është përkthyer në disa gjuhë. Është fitues i shumë çmimeve letrare dhe Presidente i Qendrës Ndërkombëtare “Eugenio Montale”.
Libri i parë shqip, sonte në Bibliotekën Kombëtare
Biblioteka Kombëtare njoftonte dje mbërritjen e “Mesharit” emërmadh në kushte të larta sigurie. Libri i parë shqip (1555) erdhi nga Vatikani dhe prezantohet sonte, ora 18.00 në BK në ekspozitën e quajtur “Buzuku dhe sivëllezërit” e tij. Biblioteka ruan në fondet e saj një kopje të origjinalit. Deri më 28 nëntor ky do të jetë monumenti më i rëndësishëm kulturor i shqiptarëve që prezantohet në jubileun e pavarësisë.
Bukinistët në katër qytete
Në Muzeun Historik Kombëtar çelet nesër, ora 18:00 ekspozita “100 Vjet Pavarësi” me koleksione dhe eksponate të rralla nga bukinistët dhe koleksionistët shqiptarë. Turi i kësaj ekspozite nis në Tiranë, më 13-17 nëntor, vazhdon në Prishtinë më 18-21 nëntor, në Prizren më 22 nëntor dhe mbyllet në Vlorë më 24-28 nëntor.