Zonja Shnajder afrohet me hap të lehtë drejt tavolinës. Rrotullohet disa herë dhe ndal shikimin në mes të sallës. Përshëndet shqip, por theksi grykor anglosakson e tradhton. Mban veshur rroba të zeza, që fshehin ca kile të tepërta. Kafenë nuk e pi shqeto. Këtu bën dallim nga raca e bashkëshortit. Ves shqiptar; me qumësht të ngrohtë ose ndryshe makiato. E kthen me të shpejtë. Dy të rrufitura dhe hyn drejt e në bisedë. Nuk di shumë për filmin e fundit të Pirro Milkanit.
Një polic shakaxhi nga të rrugores, njohje e vjetër, e ndaloi muaj më parë në rrugë, pikërisht për ta qesëndisur. “Dukeni e trishtuar zonja Shnajder”. E habitur nga konstatimi pak i pavend, gruaja në timon ia ktheu qetë me një “Jo”. Polici vazhdoi më tijën dhe zonja u detyrua vendosmërisht të kundërshtojë, duke pohuar se ishte thjesht e lodhur.
Në të vërtetë, Mira është zonja Shnajder, por jo e Pirros. Ajo është bashkëshortja e Stiven Shnajderit, punonjës në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Jeton me të prej 7 vitesh. Skenari i filmit të Milkanit dhe i historisë së vërtetë të çiftit, kanë çuditërisht të përbashkët një kulm nga ku lind më pas idili i madh i dashurisë. Pirro nuk e gjeti më kurrë zonjën Shnajder. E kërkoi gjithkund, por ajo nuk u bë më e gjallë. Kështu do të ndodhte edhe me Stivenin, nëse do të tregohej i pakujdesshëm. “E mbaj mend si tani. Ishte dhjetor i vitit 1999. Qëndroja ulur në kafe me miqtë, në një nga lokalet në qendër të Tiranës.
Në një moment shikoj se në bar ia behin një grup punonjësish të Ambasadës Amerikane”. Zemra fillon e rreh fort. Arsyeja fillon e humb. Midis tyre, Mira Bedalli, asokohe në moshën 29-vjeçare, pikas një djalë shtatlartë, sy bojëqielli, veshur me kostum të zi. Miqtë gjejnë shkas për ta ngacmuar; “Do të të gjejmë burrë”. Dhe ajo, pa u menduar gjatë ua kthen; “Unë dua atë”. Tregon me gisht nga djali biond në tavolinën ngjitur dhe ia ngul sytë pambarimisht. U desh vetëm kaq.
Për muaj të tërë zonjusha mbin në lokal me sytë nga dera. Kur Stiveni qëndronte ulur me miqtë, ajo nuk ngopej së pari portretin e tij. Nuk ia dinte ende emrin. Natyra e tij e ftohtë, gati e tërbonte. Stiveni tregohej shumë indiferent ndaj vajzave shqiptare. Në mes të punonjësve të Ambasadës Amerikane, ishte krijuar një opinion që vajzat në Shqipëri janë shumë namusqare. Mira priti me muaj të tërë fatin e saj. Dhe ai erdhi. “Ishte një moment që nuk do ta harroj kurrë. I gjithë lokali ishte ngritur për të kërcyer. Të vetmit që nuk kishim begenisur të ngriheshim ishim unë dhe Stiveni”.
Amerikani shtatlartë i ofron dorën vajzës, duke e ftuar në kërcim. Mira nuk harron. Kërcyen nën tingujt ritmikë të këngës “Kiss, Kiss”, kënduar nga turku i mirënjohur Tarkan. Si një xhentëlmen i vërtetë, në fund të kërcimit, Stiveni puth në faqe Mirën, në shenjë mirënjohjeje për momentet e gëzueshme që ajo i fali. Ajo nuk e lë me kaq. Ishte marrëzisht e dashuruar dhe tani nuk bënte të tërhiqej më pas. I kërkon Stivenit numrin e telefonit. Ai nuk refuzon, por që nga ajo ditë nuk duket më në lokal. Zonjusha pret një javë. Durimi i sos.
Më në fund vendos t’i telefonojë. Nuk kishte lumturi më të madhe. Kishte qëlluar në shenjë. Stiveni organizonte atë ditë party në shtëpinë e tij, dhe fton Mirën për të qenë e pranishme në festë. “U lumturova shumë. I porosita mikeshat e mia të më mbanin mos bëja ndonjë budallallëk. Kisha rënë kokë e këmbë brenda”. E, në fakt, nuk ndodhi asgjë. Stiveni as që e kishte mendjen te Mira që e kundronte në cep të dhomës. Ajo u ndje shumë keq, por vendosi të mos hiqej mënjanë. Ai vazhdonte të ishte i tërhequr.
Nuk donte të futej në një territor, që më pas nuk do të dinte si të sillej. "Situata ishte e njëjtë. Ne shiheshim bashkë të flisnim për gjëra të ndryshme, por asnjëherë për njëri-tjetrin". Mira vendos të ndryshojë strategji. Kishte mbërritur aty ku nuk mbante më. Ishte vera e vitit 2000. Kishin kaluar 6 muaj nga dita kur kishte parë për herë të parë Stivenin. “Ai nuk po thoshte asgjë. Unë u lodha. I tregovaplanin tim për të ikur më pushime në Itali më një grup miqsh, për të bërë një udhëtim me varkë me vela". Bingo! Stiveni duket i çoroditur.
Teksa shikon shkëlqimin në sytë e personit që dashuronte prej kohësh, Mira vendos të sulmojë. I propozon Stivenit të ndajnë dhomën bashkë, meqë vendet ishin të zëna. Kjo bisedë nuk përfundoi "thatë". Ai çohet në mes të lokalit dhe e puth publikisht në buzë. “Ngela e habitur. Nuk e prisja të më puthte, e aq më shumë në një lokal plot me njerëz”. Nuk ishte bezdi. Por më mirë vonë se kurrë.
Ky ishte hapi i parë. Stiveni heq ndrojtjen dhe vendos të hedhë vetë hapin final. Ai i propozon Mirës të bëhet zonja Shnajder dhe të jenë bashkë në të mira dhe gëzime, në halle dhe hidhërime. “Një moment, Stiveni ndalet. Ndodheshim pikërisht në Vatikan, përballë Statujës së Mëshirës. Ai më shikon dhe shpreh dëshirën; Do të doja të isha babai i fëmijëve të tu. I thashë; të lutem, mos, jemi në kishë, më premtove”.
Që nga ajo ditë të gjithë i njohën Mirën dhe Stivenin si çifti Shnajder. Ata e kurorëzuan lidhjen e tyre në vitin 2001. U martuan “dy herë”. Fillimisht më 22 prill në Las Vegas, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në prani të miqve të Stivenit, dhe së dyti në Paskuqan, një muaj më pas. Nga martesa, çifti i bashkëshortëve ka sjellë në jetë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, dhe ç’është më e rëndësishmja, nuk e humbën njëri-tjetrin.
Nga Las Vegas në Paskuqan
Dasma e dytë u bë në Paskuqan, më 27 maj të vitit 2001. Në fakt, çifti nuk ka asnjë lidhje me këtë zonë të Tiranës, por thjesht aty u gjend lokali më komod për kohën. “Dasma e dytë u zhvillua në Paskuqan, në një ceremoni tipike tradicionale shqiptare. E veçanta ka qenë se Stiveni ndodhej në trajnim në Florida dhe ka mbërritur ditën e martesës, për t’u larguar të nesërmen në mëngjes. Kisha frikë mos nuk vinte, kush e di çfarë ndodhte, por në fund ia kaluam shumë mirë", - rrëfen Mira, tashmë zonja Shanjder.
Në vitin e parë të martesës, çifti Shnajder ka jetuar në Washington. Gëzimi i tyre i parë është Xhulia, e cila ka ardhur në jetë më 18 dhjetor të vitit 2003. Deri në momentin e mbërritjes në Shqipëri, Xhuli nuk dinte asnjë fjalë shqip, por tani e ka mësuar shumë mirë atë. Aiden, djali është gëzimi i dytë. Të dy fëmijët kanë shtetësi amerikane dhe frekuentojnë kopshtin në gjuhën angleze, pasi në familjen Shnajder flitet gjithmonë kështu.
Për Stivenin, zotin Shnajder, Mira vlerëson se është jo vetëm i bukur, por ka edhe karakter të fortë. “Çdo zgjedhje në jetën e tij të përditshme ai e bën bazuar mbi karakterin, mbi moralin, por pa qenë moralist. Në një farë mënyre, kjo të bën ta admirosh. Është një njeri, me të cilin ke dëshirë të rrish, sepse gjithmonë është një shkallë më lart nga mesatarja që shikon përditë”, - mburr të shoqin Mira.
Gazeta: Shekulli