Përgatitjet dhe stërvitjet kanë filluar kohë më parë, prej gati dy vitesh, por i vetmi problem ngelet financimi i alpinistëve. Aktualisht janë siguruar tre bileta dhe janë deklaruar tre alpinistë të cilët do të ngjiten në “Everest”, Gjergji Bojaxhi, Fation Plaku dhe Gerti Pishtari. Alpinistët janë të përgatitur dhe janë shumë entuziastë për këtë ngjitje. “Përgatitjet fizike gjatë ditëve të javës, dy prej të cilave janë kolektive, si dhe ngjitjet malore në fundjavë tashmë janë bërë rutinë dhe duket se po e afrojnë më shpejt ditën që do të niset ekipi për synimin tonë.
Shoqata jonë nuk ka ardhur rastësisht në këtë ditë dhe synim. Atë e kanë sjellë vitet e përvojës dhe mbi të gjitha dëshirat dhe vullneti i alpinistëve më të rinj në shoqatë, mbështetur nga përvojat e më të vjetërve”, shprehet Aleksandër Bojaxhi. Ai sqaron se skuadra ideale do të ishte me 8 alpinistë por deri tani vetëm tre janë të sigurtë. “Jemi në nevojë urgjente për fonde pasi na duhen brenda datës 26 shkurt, afat kohor ky që lidhet me kompaninë Himalajane Nepal Monarc Adventures e cila siguron udhërrëfyes dhe infranstrukturë të nevojshme për ngjitjen”, shprehet kreu i shoqatës.
Për t’u ngjitur në Everest kanë zgjedhur itenerarin verior (nga Kina) dhe janë lidhur me kompaninë Nepaleze Mountain Monarch Adventures, e cila do t’u sigurojë infrastrukturën e nevojshme për të realizuar synimin, pra ngjitjen në malin më të lartë të botës. Ekipi pasi të arrijë në Kathmandu (Nepal) do të udhëtojë që të kalojë kufirin Nepalo-Kinez dhe të futet në Tibetin Kinez. Ky itenerar është bërë kohët e fundit më popullor për një sërë arsyesh: taksa më të ulta shtetërore dhe pagesa me të ulta për shërbime bazike në mal; rrugë më e sigurtë për në majë. Teknikisht është më sfiduese se sa faqja jugore (nga Nepali) dhe nuk ka rreziqet e akullrënieve. Një nga joshjet e itenerarit të faqes veriore është ngase të ofron pamjen e gjallë të të gjithë rrugës që nga Kampi Bazë (kampi kryesor dhe më i ulët ku vendosen alpinistët me të gjitha pajimet e tyre).
A do ta mbajë premtimin kryeministri…?
Kryministri i Shqipërisë Sali Berisha u ka premtuar mbështetje dhe ka shprehur admirim për pasionin e tyre, alpinizmin dhe rezultat e shkëlqyera që kanë arritur. Ndër të tjera kryeministri u ka thënë: “E kam ndjekur me kënaqësi aktivitetin tuaj brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe ju garantoj se do të përpiqemi t’ju mbështesim në veprimtarinë tuaj. Potenciali i vendit në male është i jashtëzakonshëm dhe është për t’u zbuluar”. Shoqatës iu premtuar nga Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve edhe një biletë e cila kushton 35.000 dollarë. Kjo biletë do ta çonte në 4 numrin e alpinistëve që do të ngjiten në Everest. Përsëri një tjetër premtim iu është bërë nga Bashkia e Tiranës e cila ka premtuar dy bileta për alpinistët duke çuar kështu në 6 numrin e alpinistëve. Por deri në këto momente këto premtime nuk janë konfirmuar. “Jemi në vështirësi sepse kostoja për një alpinist është minimalisht 35.000 dollarë. Nevoja jonë është të nisim një ekip me tetë alpinistë, por deri tani ne kemi fonde për tre alpinistë”, shprehet Aleksandër Bojaxhi.
Koka që prek qiellin…
Mali Everest ka bukuri të veçantë, në të cilin gërshetohen misteri, fshehtësia dhe hijeshia. Në gjuhën Nepaleze, Sagarmatha, ka kuptimin “Koka që prek qiellin” dhe në gjuhën Sherpa, Çomolungma, ka kuptimin “Perëndesha Nënë e Botës”. Dy ngjitësit e parë arritën majën nëpër itenerarin jugor, nga Shala Jugore, më 29 Maj 1953. Ata ishin neozelandezi bletë rritës Edmund Hillary dhe Sherpi Tenzing Norgay. Emrat e tyre u regjistruan si Hero i Botës së Aventurave. Everesti është edhe mal vrasës, prandaj edhe alpinistët duhet të tregohen seriozë dhe të përgatiten mirë për të realizuar ngjitjen. Edhe udhërrëfyesit kanë rol kyç në ngjitje. Qëllimi i tyre është që alpinistët të kenë një kthim të sigurtë në shtëpitë e tyre. Por duke qënë se Eversti është një ndër malet më të vështirë udhërrëfyesit nuk mund të garantojnë çdo gjë. E mëgjithatë përpiqen fort që të arrijnë qëllimin e tyre dhe të menaxhojnë mirë situatën.
Shoqata Dajti Alpino Turistik
Në prill të vitit 2003 një ekip prej nëntë vetësh nga kjo shoqata Dajti Alpino Turistik mori rrugën për në masivin e Himalajeve. Më 24 prill arritën në Kampin Bazë (5.364 m) nga ku filluan ngjitjet për në majën Everest dhe të nesërmen u ngjitën aty pranë në Majën Kala Patthar, 5.545 m mbi nivelin e detit. Me kaq ata u “përshëndetën” me Himalajat. Në vitin 2008 u ngjitën në majën e Mont Blanc, kulmi më i lartë i Alpeve të Evropës. Alpinistët dëshironin që të ngjiten në majën e malit që u bë djepi i lindjes së alpinizmit. Më 29 gusht 2008 në këtë majë u valvit për herë të parë flamuri shqiptar. Më pas, më 2010 alpinistët u ngjitën në Kilimanjaro, Afrikë, dhe më 2011 në malin Elbrus, në masivin e Kaukazit ku është, ndonëse në skalin juglindor, maja më e lartë e kontinentit tonë. “Në të gjitha këto veprimtari ne si shoqatë nuk e kemi patur të vështirë të ndërtojmë një ekip ngase kemi alpinistë që, edhe me një pjesë të shpenzimeve të siguruara nga vetë ata, të kenë dëshirën për të synuar majat më të larta të kontinenteve. Gjithnjë vështirësitë tona më të mëdha janë ato financiare. Por sponsorizues të ndryshëm na janë gjendur gjithnjë pranë dhe për këtë u mbetemi gjithnjë mirënjohës”, shprehet kryetari i shoqatës.
Aventura, të gjitha detajet e saj
Ngjitja për ekipin do të fillojë me udhëtimin për në Kampin Bazë në lartësi 5.200 metra dhe prej këtu është një marshim prej 22 km që përfundon në Kampin Bazë të Përparuar (ABC – Advanced Base Camp) në lartësi 6.400 metra. Më pas rrugëtimi vazhdon lart për në akullnajën East Rongbuk, e më tej për tek shpatet e mbuluara me borë të Shalës Veriore (North Col) në lartësinë 7.000 metra ku dhe ngrihet Kampi I. Ky kampim është panoramik dhe sheh pamje madhështore të Faqes Veriore të Everestit dhe akullnajës East Rongbuk. Duke u ngjitur më sipër në shpate të mbuluar nga bora në lartësinë 7.400 metra ngrihet Kampi II. Rrugëtimi nga kampi II për në Kampin III (7.900) m) kalon nëpër disa shkallare shkëmbore me guralecë dhe tendat ngrihen në shtjethe (rafte) shkëmborë. Rrugëtimi nga kampi II në Kampin III rrihet vazhdimisht nga era.
Nga Kampi III rruga kalon tërthor përmes një seri shkallaresh shkëmbore dhe shpateve me borë, dhe më pas në një përzjerje të shkëmbit me borën për në kampin IV që ngrihet në lartësinë 8.400 metra. Këtu tendat ngrihen në terren shkëmbor ose në pravaze që hapen në borë. Dita e sulmit për të ngjitur majën fillon pikërisht këtu dhe rrugëtimi i mëtejshëm konsiston nga shkallare disa prej të cilave janë shumë të pjerrëta dhe të nxjerrin në kreshtën Veri-Lindore të majës dhe pastaj përfundimisht për në majë. Përdorimi i bombulave të oksigjenit mund të fillojë në lartësinë 7.900 metra në vartësi të nevojës që do të kenë alpinisët, por dita e sulmit të majës që fillon në lartësinë 8.400 metra për ekipin tonë do jetë dita ku në ngjitje e zbritje do përdoret bombula e oksigjenit. Për çdo bombul oksigjeni që kërkohet mbi “racionin” që përfshihet në pagesën e kompanisë, alpinisti paguan 500 dollarë.
Ditët e ekipit në këtë ndërmarrje:
Dita e parë: arritja në Katmandu
Dita 2,3: formalitetet.
Dita 4: udhëtim për në Zangmu (kufiri Nepalo-Kinez).
Dita 5: udhëtim për në Nyalam
Dita 6: pushim aklimatizues në Nyalam.
Dita 7: udhëtim për në Tingri.
Dita 8: ditë pushimi për aklimatizim.
Dita 9: udhëtim për në Kampin Bazë (KB) të Everestit.
Dita 10: qëndrim në KB
Ditët 11-14: udhëtim për në Kampin Bazë të Përparuar (ABC)
Ditët 15-50: periudhë ngjitjesh.
Dita 51: kthim për në ABC.
Dita 52: udhëtim për në KB.
Dita 53: pastrim territori në KB.
Dita 54: udhëtim për në Nyalam
Dita 55: udhëtim për në Kathmandu.
Ditët 56, 57: ditë të lira në Kathmandu.
Dita 58: vajtje në aeroport për largim nga Nepali.
Një sfidë dhe një ëndërr!
Gjergji Bojaxhi, lindur në Tiranë më 28 mars 1974 dhe banues ne Tiranë. Është diplomuar në filozofi dhe histori në shkencë dhe ka kryer Mastër në Mardhënie Ekonomike me Jashtë në John Hopkins University, USA. Nuk njihet vetëm për angazhimet e tij në politikë por dhe për pasionin e alpinizmit. Ka ngjitur me sukses malet Mont Blanc dhe Elbrus. Gjergji e konsideron një sfidë dhe një ëndërr ngjitjen në malin Everest. “E konsideroj ëndërr për vetë faktin se në 100 vjetorin e pavarsisë për herë të parë do të ngremë flamurin e Shqipërisë në Everest”. Është përgatitur gradualisht dhe është i sigurtë se ditën që do të nisen do të jetë gati për të përballuar me sukses këtë sfidë. Gjithmonë i ka pëlqyer të ecë në natyrë. “Për mua është ndjesi e veccantë, e ccuditshme dhe njëkohësisht e këndshme. Më duket se jam rikthyer në rininë time. I jam përkushtuar tërsisht stërvitjes për një kohë të gjatë dhe besoj se ngjitja do të shkojë shumë mirë”, shprehet Gjergji.
Një ëndërr dhe aventurë!
Fation Plaku, lindur në Tiranë më 9 dhjetor 1975 dhe banues në Tiranë. Është diplomuar në Shkenca Politiko-Administrative. Momentalisht punon me trupin e sigurisë dhe është shoqërues i ambasadorit të SHBA. Ka ngjitur me sukses malin Elbrus. Për Fationin ngjitja në malin e Everestit është një ëndërr dhe një aventurë. Ai i pëlqejnë shumë sfidat dhe kjo është sfida e tij e radhës. Gjithë paraditen është në stërvitje dhe mbasdite në punë, në shtëpi shkon në orën 23:00. Kjo ngjitje për të është edhe më e veçantë sepse do të realizohet në 100 vjetorin e pavarsisë. “Me zor po pres të fillojmë ngjitjen. Jam përgatitur”, shprehet Fationi. Është përqëndruar vetëm tek Everesti dhe ka lënë pas dore të gjitha të tjerat. “Nuk kam kohë as për vete, shpesh herë shokët e mi ankohen, nuk kam kohë t’i takoj, vetëm një herë në javë. U kam premtuar se pasi të kthehem nga Everesti do t’u kushtoj më shumë kohë”.
Provë e jashtëzakonshme!
Gerti Pishtari, lindur në Tiranë me 17 shkurt 1987 dhe banues në Tiranë. Ka kryer Master Shkencor ne Ing. Telekomunikacioni. Momentalisht është bankier. Ka ngjitur me sukses malet Kilimanjaro dhe Elbrus. Për Gertin kjo është një provë e jashtëzakonshme, është si të bësh të mundur të pamundurën. “Është realizimi i synimit, është shpërblimi i një kohe të gjatë stërvitjesh. Është një dëshirë e madhe e cila po fillon të bëhet realitet.” I vjen keq që janë vetëm tre alpinistë që kanë siguruar biletat, “do doja të ishim një ekip prej 8 alpinistësh, shpresoj shumë që sinjalet pozitive që na kanë dhënë institucionet dhe premtimet e bëra të realizohen”. Për të emocioni më i veçantë do të jetë ngritja e flamurit shqiptar në majën më të lartë të botës Everestin.