Gezuar ne dhomen e marrjes ne pyetje

Gëzuar në dhomën e marrjes në pyetje
Në mure i bëhet publicitet kuzhinës gjermane me sloganin: "Ejani te ne, ndryshe do vijmë ne te ju". Emri i lokalit të ri berlinez që është dekoruar duke u bazuar te tema e shërbimeve të fshehta të Gjermanisë Lindore, njohur gjerësisht si STASI, është "Zur Firma" (Kompania). Nëntitulli: "Klubi konspirativ". Ajri këtë të shtunë mbrëma është i rënduar nga alkooli, ndërsa tre burra venë e vijnë në qetësi me gota birrash në duar. Pas vitesh pa punë, Vili Gau shpreson shumë të ketë sukses në këtë sipërmarrje bashkë me ortakun e vet, Vole Shmelz. "Nëse do të hapësh një lokal të ri në Berlin, duhet të dalësh me ndonjë ide të re", thotë. Kur ortaku i tregoi për një hapësirë në rrugën Normanenstrase, Vilit menjëherë i lindi në mendje ideja e barit me temë STASI-n. Ndërtesa ku dikur gjendej Ministria e Sigurimit të shtetit ndodhet vetëm pak metra larg. Bari që gjendej më parë këtu shërbente si pikë grumbullimi për neo-nazistët. "Kafe Gjermania", kështu quhej, u mbyll në vitin 1998, pasi pronari i ndërtesës nuk pranoi ta rinovonte kontratën.



Dhjetë vjet më pas lokali i vogël përsëri po i zgjat rrënjët drejt historisë. Një kovë plastike për hedhjen e mbeturina mban etiketën "dokumente kriminale të shkatërruara me dorë" gjendet pranë një rafti të mbushur me regjistrues zëri, një bllok konfidencial me listat e kriminelëve nga DDR. Po aty gjendet edhe një vazo me inicialet E.H., për Erik Honeker, i cili drejtoi Gjermaninë nga viti 1971 deri në çastin e rënies së Murit të Berlinit. Një makinë shkrimi e prodhuar në Gjermaninë Lindore gjendet aty për të dokumentuar seancat e marrjes në pyetje. Makina e shkrimit përdoret njëherësh edhe për të shkruar menytë që vendosen nëpër tavolinat e restorantit. Me të hapur kapakun e menysë, ku shkruhet "medalje për luftëtarët kundër fashizmit", shikon protokollin e kuzhinës. Ndër gatimet më të kërkuara janë supa ruse me krem të athët (2.80 euro) dhe xhelatina me patate të skuqura (5.70 euro). Pjesën më të madhe të objekteve dhe sendeve të STASI-t pronarët i gjetën nëpër miq e të afërt, ndërsa të tjerat i blenë në eBay, por tani janë klientët ata që ndihmojnë në dekorimin e lokalit.



Klientët e rregullt plotësojnë dhe firmosin një formular dhe marrin një kartë identiteti të cilësuar si "miq", nga e cila përfitojnë edhe dhjetë për qind ulje. "E kemi trajtuar temën e STASI-t si satirë, por edhe seriozisht", thotë Gau. Mbi këmishë ka vënë një dekoratë nderi për 30 vjet punë në STASI, ndërkohë që sqaron se nuk ka punuar kurrë aty dhe as ka pasur ndonjëherë kontakte me agjentët e shërbimeve të fshehta. Megjithatë, pranon se ka qenë anëtar i Partisë Komuniste, por e ka bërë për të fituar të drejtën e studimit në universitet. Partia e përjashtoi nga gjiri i vet në vitin 1989, për komente që binin ndesh me vijën komuniste. Nëse STASI kishte dosje për të? "S‘e kam idenë dhe as që dua ta di", thotë Vili Gau. Në të kundërt, ortaku i tij, Shmelzi, ka pasur kuriozitet dhe ka bërë kërkime. Ka mësuar se STASI i kishte përqendruar për një çast sytë te djali nga Bremeni, i cili u dashurua me një vajzë nga Gjermania Lindore gjatë një konference në Laipcig. "Është hapur një dosje mbi mua", thotë Shmelz, por tregon se nuk ka ndër mend të lexojë. "Atëherë më dukej diçka e tmerrshme, tani më bën vetëm të qesh". "Krejt pa shije" E megjithatë, për ata që kanë qenë me të vërtetë nën shënjestrën e STASI-t, lokali nuk ka asgjë të bukur, e aq më shumë për të qeshur.



Për rreth dy dekada policia sekrete punësoi rreth 90 mijë spiunë me kohë të plotë dhe rekrutoi si bashkëpunëtorë "jozyrtarë" më shumë se 100 mijë banorë. "Mburoja dhe shpata e partisë", siç konsiderohej atëherë STASI, terrorizoi e shkatërroi jetët e mijëra njerëzve. Rreth 18 milionë dosje, bashkë me qindra mijëra foto, filmime dhe regjistrime audio, gjenden sot nëpër arkivat e Komisionit Federal për Dosjet e STASI-t, drejtuar nga Marian Birtler. "Ky lokal është krejt pa shije", tha Birtler në një intervistë dhënë për gazetën "Leipziger Volkszeitung". "Ata që njohin praktikat e STASI-t, shtoi, nuk do shkojnë kurrë të pijnë një birrë në atë lokal".



Piter Aleksandër Husok, kreu i një organizate për viktimat e STASI-t e quajtur "Help", tha për tabloidin "Bild": "Janë të shumtë ata që dridhen ende me të kujtuar STASI-n. Vuajnë nga pagjumësia, si dhe nga çrregullime psikologjike". Kjo çështje nuk duhet marrë aspak me të qeshur. Zëvendësdrejtori i muzeut "Stasi Memorial Hohenschönhausen", Sigfrid Riprih, foli për "fyerje ndaj viktimave" dhe keqinformim të brezit të ri. "Duket qartë që ne provokojmë", tha Vili Gau. "Por nuk kemi qëllim as të glorifikojmë e as të përgojojmë njeri". Mos duhet që 20 vjet pas rënies së DDr-së të fshihet "dajaku i STASI-t" dhe e shkuara t‘u lihet vetëm historianëve? "Gjermania po kthehet pak nga pak në një shtet të monitoruar dhe nëse gjërat vazhdojnë kështu, shpejt do jemi përsëri siç qemë me STASI-n". Sipas dy bashkëpronarëve, reagimi i klientëve është përgjithësisht pozitiv. Kanë dëgjuar edhe ndonjë kritikë, por pjesa më e madhe e vizitorëve e kanë pranuar temën e lokalit, thonë. Ose, si ç‘thotë një banor i zonës jashtë derës së lokalit: "Gjëja kryesore është që aty brenda mund të dehesh".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama