Gjalle ne Oscar? Skishte tjeter!

Gjallë në Oscar? S'kishte tjetër!

Me postë elektronike u njoftua dje e reja se filmi "Gjallë" i Artan Minarollit ka për të përfaqësuar Shqipërinë në konkurrimin e përvitshëm Oscar, në kategorinë "Filmi më i mirë në gjuhë të huaj" për vitin 2010.

Lajmi nuk është bërë zyrtar nga Ministria e Kulturës, ajo që nëpërmjet një komisioni merr një vendim për këtë rast. Por është përdorur një institucion zyrtar për të dhënë këtë lajm, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, drejtor i të cilit është prej dy vitesh e gjysmë, regjisori dhe skenaristi i filmit në fjalë, Artan Minarolli.

Në njoftimin e Zyrës së Shtypit të AQSHF-së thuhet: "Me kënaqësi ju njoftojmë se Komisioni Përzgjedhës i ngritur nga MTKRS-ja zgjodhi filmin "Gjallë!" të regjisorit Artan Minarolli për të përfaqësuar Shqipërinë për çmimet "Oskar" në seksionin e filmit të huaj, për Edicionin e 82 të vitit 2010.

Filmi "Gjallë" përfundoi në muajin qershor 2009 dhe premiera botërore u dha në festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary në Çeki, më 5 korrik 2009, ndërsa premiera në Shqipëri u dha në Festivalin Veror të Durrësit, më 27 gusht 2009, ku edhe u vlerësua nga juria me Çmimin Special. Që prej 5 shtatorit filmi po shfaqet me sukses në kinema 'Imperial' në Tiranë."

Njoftimi shton se filmi i drejtorit të kësaj zyre shtypi ka marrë pjesë në festivalin Karlovy Vary në konkurrim zyrtar, në fakt është kategoria "East of the West", një kategori për kinemanë e Evropës Juglindore. Njoftimi thotë edhe se "Gjallë" u shpall fitues i Çmimit Special të Jurisë në festivalin e fundit në Durrës.

Filmi i Minarollit ishte i vetmi film shqiptar që shfaqej në këtë festivali ndërkombëtar. Pastaj njoftimi bën të ditur se rruga e festivaleve vazhdon me pjesëmarrjen në festivalet e Pusanit, Kore e Jugut, të Antalias në Turqi, të Beogradit, Monpeljesë etj.

Në të vërtetë, pse dhe si u zgjodh ky film?

Të zënë siç janë pothuajse të gjithë këto ditë në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, duhet pak durim për të gjetur në zinxhirin burokratik personat afër këtij vendimi.

Me ikjen e ministrit Ardian Turku u lanë mënjanë edhe vendime e urdhra, për të cilat ai ka firmosur, ndër ta edhe vendimi për filmin shqiptar në listën e Akademisë së Oscarit.

Po ashtu, drejtori i Qendrës Kombëtare Kinematografike Xhevdet Feri, (aktor në filmin "Gjallë!"), nuk ndodhet në Shqipëri dhe nëpërmjet telefonit tha të drejtohemi tek zyra e marrëdhënieve me jashtë në MTKRS. QKK-ja, financuesja e "Gjallë", është palë ndërmjetëse në këtë proces burokratik për zgjedhjen e kandidatit.

Specialistja e kësaj zyre, Moza Sofroni, konfirmoi në orët pasdites se vendimi për "Gjallë!" është marrë më 18 shtator. Ajo tha se komisioni i përbërë nga Xhevdet Feri, Esat Musliu, Kristaq Mitro, Pirro Milkani dhe patjetër ministri i Kulturës, Ardian Turku, duhej të diskutonin fillimisht për tre filma, dy prej të cilëve kanë për regjisor Artan Minarollin, pra "Gjallë" dhe "Kronikë provinciale" dhe tjetri "Ne dhe Lenini" i Saimir Kumbaros.

Që të tre janë prodhime të vitit 2009 dhe kanë kryer një cikël të qarkullimit në kinema, dhe të komunikimit me publikun, një nga kriteret kryesore për t'u listuar në emër të vendit që përfaqëson në "Best Foreign Language Film".

Sofroni bëri të ditur se u tërhoqën nga "gara" para komisionit, dy filma, "Kronikë provinciale" dhe "Ne dhe Lenini". Kështu mbeti "Gjallë!", produksion i "Wildart Film" (Austri) dhe "Art Film" (Shqipëri).

Përmbledhje

Ajo tha se komisioni i përbërë nga Xhevdet Feri, Esat Musliu, Kristaq Mitro, Pirro Milkani dhe patjetër ministri i Kulturës, Ardian Turku, duhej të diskutonin fillimisht për tre filma, dy prej të cilëve kanë për regjisor Artan Minarollin, pra "Gjallë" dhe "Kronikë provinciale" dhe tjetri "Ne dhe Lenini" i Saimir Kumbaros.

Për fëmijët dhe të rinjtë e Metropolit, ja sezoni

Cirku i Metropolit çel sezonin e ri artistik me premierën "Gjethe që bien". Deri më 22 nëntor, çdo të shtunë dhe të diel, në orën 11:00, fëmijët e kryeqytetit kanë mundësinë të shijojnë këtë shfaqje cirku.

Premiera "Gjethet që bien" ofron një përmbledhje të numrave më të mirë të krijuar në 50 vitet e ekzistencës së cirkut shqiptar, të cilët tashmë janë ripunuar dhe rikonceptuar për ketë shfaqje.

Është një mozaik numrash të ajrit, akrobacisë, plastikes, xhonglimit, numrave të shpejtësisë dhe klounatës, ku mund të përmendim "Fjongoja fluturuese", "Klasa e qeneve", "Basketbollisti zhongler", "Plastika - Vajza e kabaresë", si dhe lojërat humoristike të klounëve të cirkut apo performancat e fëmijëve të grupit "SPEKTËR".

Udhëheqës artistik i kësaj shfaqje është mjeshtri Fatos Roshi, ndërsa interpretues janë akrobatët Manushaqe Mullai, Sokrat Buzo, Gentian Dollaku, Juxhina Madhi, Pranvera Sallata, Fitnete Duro, Xhejms Kodra, Novruz Hyseni. Prezantues është Vilson Gjoçaj. Çmimi i biletës është 200 lekë.

Ndërsa dje, drejtuesit e Qendrës Kulturore "Tirana", në varësinë e të cilit është Cirku i Metropolit, prezantoi projektin më të ri: një Teatër i Kukullave të Metropolit.

Shfaqja e parë e këtij projekti vjen nën regjinë e Leonard Daliut.

Ky është projekti i tij i tretë në këtë fushë dhe i pari që vihet në skenën e TM-së dhe mban titullin "Gracka". Nuk do të jetë një shfaqje me kukulla klasike dhe marionete, por personazhet do të jenë maskota sungeri, ku aktori vishet me pellushin e personazhit.

Fabula është marrë nga bota e kafshëve, dhe në qendër janë katër personazhe: lepuri, ujku, ariu dhe dhelpra, që vijnë të interpretuar nga Albana Sançolli, Sonjela Leço, Petrika Thano dhe Manjola Mertlika.

Ekspozita satelit e Bienales së Tiranës në Galerinë Zenit

Katër rrugë drejt...

Katër artistë italianë, Stefano Romano, Francesco Pedrini, Andrea Nacciarriti, Claudia Losi, të nisur nga shtëpia e tyre, në Itali, kanë mbërritur dje në galerinë Zenit në Tiranë.

Projekti i tyre "4 ways to", një aktivitet satelit i Bienales së Tiranës, edicioni IV, kishte si qëllim një udhëtim që nis pa filluar ende, si për nga zgjedhja e rrugës që është për t'u kryer, si dhe çfarë duhet marrë me vete, sikur nëpërmjet një projeksioni je duke udhëtuar që para se të nisesh, sikur pritshmëritë mbushin kohën deri në nisjen reale, fizike.

Artistët duhet të mbërrijnë në Tiranë (Shqipëri). Udhëtimi duhej të ishte vetmitar, asnjëri nga të katërt nuk duhej të ishte në dijeni të të tjerëve, secili prej tyre do të kishte mundësinë e zgjedhjes së udhës, të mjeteve, dhe kohës së këtij udhëtimi, i cili ka përfunduar mbrëmë në Tiranë.

Nis Festivali Folklorik i Gjirokastrës

Festivali Folklorik i Gjirokastrës u hap dje në sheshin kryesor të qytetit, por sonte nis festivali i vërtetë në skenën e Kalasë Argjiro. Në konkurrim marrin pjesë grupe folklorike nga 12 qarqe të Shqipërisë, të Mali të Zi, të Kosovës, Maqedonisë dhe grupe të ftuara nga shqiptarë që banojnë në Zvicër, Amerikë, të cilët mbajnë gjallë folklorin dhe traditën në vendin ku jetojnë.

Në konferencën e djeshme për shtyp, zëvendësministrja e Kulturës, Zana Turku, tha se në këtë festival do të vihet re "një përkujdesje e veçantë e specialistëve në riprodhimin e veshjeve popullore, duke ruajtur karakteristikat dhe identitetin sipas trevave."

Tek risitë ajo ka renditur "ardhjen e ritualeve të jetës së përditshme dhe asaj ceremoniale; vëmendjen për tekstet për të qenë sa më origjinale dhe që qarkullojnë në popull pa deformim; formacionet muzikore, orkestrale të jenë të pranueshme dhe specifike sipas krahinave; vallet janë burimore ose që pranohen në popull, sepse vetë folklori evoluon."Drejtor artistik i festivalit është Thoma Gaqi, regjisor Milto Kutali.

Juria do të prezantohet sonte. Ajo do të japë çmimet për grupin polifonik më të mirë, sipas tipologjisë; për interpretuesin më të mirë; për grupet folklorike, si dhe për grupet polifonike të shqiptareve jashtë kufijve dhe për veshjet popullore tradicionale.

 

Gazeta Shekulli

 




Artikujt e fundit


Reklama

Reklama