Si u mundua Ismail Qemali të shtonte delegatët në Konferencën e Paqes në Paris? Pse nuk u realizua ky plan?
Jeta e Ismail Qemalit u mbyll me një mister të madh. Askush deri me sot nuk ka arritur të shpjegojë në mënyrë të detajuar për vdekjen e kryeministrit të parë të Shqipërisë. Në janar të vitit 1919, në Paris do të zhvillonte punimet Konferenca e Paqes, e cila do të diskutonte edhe për fatet e vendit tonë. Për këtë arsye Ismail Qemali ishte shumë i shqetësuar për fatet e vendit. Gjithë sakrificat që ai kishte bërë për vendin e tij donte që të kurorëzoheshin me sukses. Ai hartoi strategji që të kishte mundësi të influenconte në vendimet e konferencës. Për të arritur këtë qëllim, ai zgjodhi partnerin kryesor diplomatik, Italinë, e cila duhej të mundësonte që me delegacionin shqiptar, në konferencë të shkonin së paku edhe tre apo gjashtë delegatë më shumë. Këta delegatë do të ishin nga trojet shqiptare, të cilët do të bashkoheshin me ata që vinin nga Amerika. Për një marrëveshje me qeverinë italiane u pa e nevojshme të shkojë në Romë. Prej andej Ismail Qemali kërkoi të bënte një marrëveshje me gjithë shqiptarët për të vendosur një aksion kombëtar në një moment kaq kritik e të rrezikshëm, që të mund të përpilohej programi përfundimtar. Për synimet që i kishte vënë vetes, diplomati shqiptar filloi menjëherë për të zbatuar në mënyrë konkrete të gjithë programin e paramenduar. Detyra e parë dhe më emergjente ishte takimi i menjëhershëm i tij me diplomacinë e Romës.
19 janar 1919. Kryeministri italian, Orlando, për pak ditë do të nisej drejt Parisit për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes. Ismail Qemali u nis drejt Italisë ku do takohej me autoritet italiane. Sa zbriti në Peruxhia të Italisë, Ismail Qemali njoftohet se autoritetet italiane që e kishin ftuar ishin nisur për në Paris, duke mos e pritur atë sipas njoftimit që i kishin bërë. Ata kishin lënë njoftim që Ismail Qemali të priste deri sa ata të ktheheshin nga Konferenca e madhe e Paqes. Në këtë moment, ai kuptoi se flitej për një izolim të qëllimshëm që i qe bërë.
Kjo mësohet nga rrëfimet e djemve të tij. Sapo mësoi lajmin për pabesinë, menjëherë i erdhi një goditje apoplektike, gjë që për moshën e tij ishte shumë e rëndë. Kanë qenë pikërisht ato momente që provokuan klithmën e tij të egërsuar dhe të papërmbajtur “Më hëngrën në besë”! Situata në të cilën ishte vendosur Ismail Qemali bëri që ai jo vetëm të mos realizonte planin që t’i shtonte delegacionit shqiptar edhe tre apo gjashtë delegatë, por në Paris do të hidhej për diskutim edhe çështja e Shqipërisë dhe ai s’do të merrte pjesë as vetë.
Ky fakt për të do të thoshte vdekje e parapërgatitur. Gjithsesi, në kushtet që i ishin krijuar, ai u detyrua të vendosej në hotelin që i kishin rezervuar. Në një nga ato ditë, kur gjithë qenien e tij e kishte pushtuar tensioni dhe ankthi, më 24 janar, pikërisht 3 ditë para datës 27, kur ai mbushte plot 75 vjeç, në Paris vazhdonte me intensitet punimet Konferenca e madhe Ndërkombëtare me pjesëmarrjen e shumë shteteve, kur shtetet e mëdha vendosnin fatet e shteteve të vogla, Isamil Qemalit iu provokua një konferencë shtypi. Ajo iu servir si dëshirë e gazetarëve për të dëgjuar prononcimet e tij. Ajo konferencë, pavarësisht se nuk ishte kërkuar nga vetë ai, dukej se ishte edhe në dëshirën e tij, sepse ishte momenti që më shumë se kurrë ai donte të denonconte mashtruesit dhe izoluesit e tij.
U helmua apo vdiq nga shkaqe natyrore kryeministri i parë i Shqipërisë, një nga misteret më të mëdha që ka shoqëruar historiografinë shqiptare!?
Pak kohë para se të fillonte konferenca e shtypit, Ismail Qemalit iu servir fillimisht buka, me pretekstin se duhet të hante para konferencës. Pasi hëngri, ai hyri në sallën e rekomanduar, ku e prisnin dhjetëra gazetarë e fotoreporterë të ndryshëm. Sipas rrëfimeve që djali i Ismail Qemalit, Et’hemi, i ka bërë më vonë kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ali Asllanit, mësohet se sapo hyri në sallë Qemalit i kaloi një çehre e verdhë në fytyrë. Nuk vonoi shumë, ai u ul në tavolinë dhe befasisht në trup i kaloi një valë rrëqethjeje.
Ndërsa nisi të belbëzojë me vështirësi, filloi të dridhej dhe ndërkohë u konstatua se nuk mundte t’i lidhte dot fjalët. Pas kësaj situate, ai arriti të kërkonte ta shoqëronin për në banjë. Kur arriti aty, e mbyti shkuma që nxirrte nga goja dhe të vjellët. Në pak çaste pulsi i tij pushoi së rrahuri. Në këto momente gazetarëve të mbledhur për konferencën e shtypit në atë sallë iu komunikua fakti që Ismail Qemali, i cili pak çaste më parë kishte qenë para tyre, nuk jetonte më. Kjo padyshim që është një vdekje e provokuar. Arsyet pse u helmua Ismail Qemali ngelen mister.
Pse nuk ia publikuan asnjëherë datën e lindjes Ismail Qemalit gjatë periudhës së komunizmit?
Një mister tjetër që ka të bëjë me figurën e Ismail Qemalit është dhe data e lindjes së tij. Një nga studiuesit më të mirë që ka punuar në arkivat e Perandorisë Osmane ka zbuluar se dita e lindjes së kryeministrit të parë të shtetit shqiptar është më datën 16 tetor të vitit 1846. Nexhip P. Alpan e ka datuar lindjen e debatuar gjatë, më datën 16 tetor të vitit 1846. Datëlindja e këtij personalitetit është debatuar shpesh gjatë periudhës së komunizmit nga historianë shqiptarë dhe të huaj, mirëpo nuk binin dakord për këtë datë, pikërisht sepse qëllonte në të njëjtën datë kur e kishte ditëlindjen dhe diktatori Enver Hoxha.
Kjo u mbajt e fshehtë pothuajse për 45 vjet, por që nga të dhënat e fundit nga historianë turq më në fund caktohet në mënyrë të saktë dhe datëlindja e Ismail Qemalit, i cili ishte nga shqiptarët që ka arritur ofiqet më të larta në Perandorinë Osmane, duke filluar nga një përkthyes i thjeshtë deri në zëvendësministër i Jashtëm, e më vonë deputet. Por që është dhe njeriu që krijoi shtetin e parë shqiptar të pavarur.
Cilat janë të fshehtat e Ismail Qemalit në vitin 1913? Pse e dorëzoi qeverinë në duart e të huajve, a ishin ato që ndodhën më pas dëshirat e tij?
Shpallja e Pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Ajo, nga njëra anë mbylli një epokë të tërë luftërash e përpjekjesh shekullore për të hequr qafe zgjedhën e huaj, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut e për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar, duke kurorëzuar veprën e Rilindjes dhe, nga ana tjetër, hapi një epokë të re, një epokë luftërash e përpjekjesh të tjera për ta mbrojtur pavarësinë e fituar nga rreziqet e jashtme e të brendshme, për të siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik.
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët e të gjitha trevave shqiptare. Me shpalljen e pavarësisë, në krye të qeverisë u vendos pikërisht ai që kishte kontributin më të qenësishëm, Ismail Qemali. Ai në krye të qeverisë shqiptare ndenji fare pak duke, dhënë dorëheqjen në rrethana misterioze.
Shpesh është aluduar se ai bëri këtë veprim për të lejuar një përfaqësues të fuqive të mëdha që ta drejtonte vendin tonë, kjo për të vendosur edhe stabilitetin e munguar në tokat shqiptare, që jo vetëm po shqetësoheshin nga të tjerët, por edhe mes vetit kishin probleme të theksuara. Një palë kërkonte të mos shkëputeshim nga Perandoria Otomane, ndërkohë që fqinjët tanë grabitqarë ishin duke punuar të shkëpusnin sa më tepër nga trupi i truallit tonë. I gjendur në një pozicion të vështirë, pranoi propozimin e fuqive të mëdha, për ardhjen e Princ Vidit në krye të vendit.
Mirëpo kjo lëvizje e Ismail Qemalit rezultoi jo efikase, pasi edhe pse Porta e Lartë u shemb, ishin fuqitë e mëdha ato që bënë pazar me fqinjët tanë për trojet shqiptare. Në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Shqipëria u copëtua nga të gjithë anët, duke u bërë i vetmi vend në botë që kufizohej me trupin e vetë. Përpjekjet e plakut të mençur nuk reshtën që të realizohej aspirata e gjithë shqiptarëve për një Shqipëri të bashkuar.
Pse nuk shkoi në Stamboll kur Sulltani i propozoi për postin e vezirit, çfarë kurthi mendonte Ismail Qemali se po i bënin?
Duke parë lëvizjet që po bënte anë e kënd Evropës Ismail Qemali, sulltani i kërkon atij të shkonte në kryeqytetin turk dhe të merrte postin e vezirit. Ky ishte një kurth që po i bënte sulltani patriotit shqiptar që, pasi të shkonte atje, ta ekzekutonte. Ismail Qemali duke nuhatur qëllimet e sulltanit e kundërshtoi kategorikisht një rikthim në kryeqytetin e Portës së Lartë, duke iu vënë me gjithë energjitë e tij çështjes shqiptare. Për episodin e kurthit që po ngrinte sulltani ndaj plakut vlonjat kanë shkruar një sërë historianësh, si turq ashtu dhe shqiptarë. Pasi këtij momenti Ismail Qemali realizoi aspiratën pesë shekullore të shqiptarëve atë të pavarësisë.
A ka ndonjë të fshehtë në planet e Ismail Qemalit për të zgjedhur qytetin e Vlorës për të ngritur flamurin e pavarësisë dhe pse pikërisht më datën 28 nëntor?
Siç e dimë, origjina e Ismail Qemalit ishte pikërisht nga Vlora, një nga qytetet më të njohur në historinë dhjetëra shekullore të Shqipërisë. Ismail Qemali, pasi bëri përgatitjet për t’u nisur drejt Shqipërisë, vendosi që flamuri do të ngrihet në Vlorë. Ai lajmëroi gjithë delegatët nga krahinat e ndryshme të vendit. Në qytetin e tij atmosfera ishte krejt ndryshe. Popullsia e Vlorës dhe gjithë delegatët, që ndërkohe kishin arritur nga çdo anë e Shqipërisë ishin të mbushur me një ndjenjë të zjarrtë atdhedashurie dhe me një entuziazëm te vërtetë.
Me 28 nëntor 1912, Ismail Qemali shpalli pavarësinë e Shqipërisë përpara një turme në festë, të mallëngjyer e thuhej se shpirti i Heroit të madh Skënderbe, fluturonte mbi patriotët e gëzuar, ashtu si pesë shekuj më parë, pikërisht më 28 nëntor 1443, kur ai shpalli në Krujë pavarësinë nga sundimi osman, duke ngritur të njëjtin flamur kuq e zi, me shqiponjën dykrenore në mes. Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar.