Ju jeni një ndër humoristët më të mirë që ka vendi ynë. Humorin e keni të trashëguar apo është një dhunti e juaja e lindur?
Po, edhe nga familja e kam të trashëguar kjo pasi dhe hallat e mija dinë të bëjnë shumë humor të njëjtën gjë mund të them dhe për babën, por ai bënte humor tavoline.
A ju kujtohet momenti kur ju keni bërë humor për herë të parë?
Mund të kem qenë në klasë të katërt ose të pestë kur mësuesja e matematikës na bën një pyetje në lidhje me një problem dhe nxënësit e mirë nuk e ngrinin dorën, ndërsa unë nuk isha nga nxënësit më të mirë, po mund të them se isha të mesatarët. Nota më e mirë në atë kohë ka qenë pesa dhe unë isha të treshi ose te katra. Ndërkohë që mësuesja bëri pyetjen dhe nuk po përgjigjesh njeri. Mua se si ma dha truri dhe i them: Me leje?! Dhe ajo m’u përgjigj: “Muharrem, të lumtë, bravo, pa përgjigjur do të vë notë, vetëm për inat të këtyre” dhe vuri notën, ndërsa unë që i them: “Po pati mundësi a mundësi të dal pak jashtë se më shpëtoi....”.
Cilat janë daljet e para në skenë dhe rolet që keni luajtur në fillim?
Po në atë vit në klasë të pestë unë kam qenë i internuar dhe në Burrel ishte një shfaqje dhe për herë të parë në skenë më ka ngjitur Xhevat Lishi. Aty kisha një rol fëmije, por ai ishte roli në të cilin unë mora superxhiro, ku luaja rolin e një fëmije trazovaç që i bënte telef të dy prindërit, hidhesha nga penxherja dilja te dera... Pastaj erdha në gjimnaz në Durrës, në vitin ’65. Pra, në gjimnaz kam qenë i tmerrshëm, kur bënim mbrëmjen e maturës kam imituar të paktën shtatë ose tetë mësues, kjo bënte që të gjithë të qeshnin me lot. Në vitin 1969 mendova se do të hyja në shkollë ku nuk kishte punë fare mesatarja, por ishte punë e biografie. Më pas unë shkova ushtar tre vjet në Fier. Atje kam marrë nja dy çmime ku kam punuar me Azotikun e Fierit. Sa u ktheva fillova në një ndërmarrje,pikërisht në Lozhan. Nuk më njihte kush se kisha tre vite që kisha ikur, mbas ndërmarrjes time e kishte radhën ndërmarrja e Fadil Hasës, ku ai ishte dhe regjisor i asaj shfaqe. Fadili më pa mua dhe më tha: “Të lutem, mbas shfaqjes, më prit pak”. Bisedova më të dhe fillova si amator, pasi nuk më fusnin si profesionist. Profesionist kam filluar në ’90. Më pas kam punuar në pallatin “Rinia” në Durrës për 14 vite.
E keni quajtur të lehtë apo lojë me zjarrin të bërit humor në kohën e diktaturës?
Me thënë të drejtën më të vështirë e kishte ai që e shkruante materialin si Gjergj Vlashi, Haxhi Rama. Sepse në rastin më të keq në qofte se do të na tërhiqnin vëmendjen do t’i përgjigjeshim “ma ka dhënë materialin filani”, neve duhet të ishim strikt në atë që do të thoshim. Pra më tepër përgjegjësinë e mbante ai që e shkruante materialin.
Ç’role ju kujtohen dhe ç’batuta ju vinë ndërmend nga ajo kohë?
Po kam pasur shumë role si p.sh: “Pash nderin, pse se hape derën?!”, ka qenë një material brilant ku shkoja te kushëriri jonë i bija derës dhe s’e hapte derën dhe unë që i thosha: “Pash nderin pse se hape derën?1”, një tjetër material interesant është dhe “Fiq, fiq, rrush, rrush” që lidhet me një ndërmarrje plastike në Durrës, ku bënin kukulla. Mirëpo ato sa i merreshe i dilte pipëza dhe nuk bënte më fiq, fiq... dhe fëmija që më thoshte: “O xhaxhi, nuk bën kukulla fiq, fiq”. Unë e marr kukullën e afroj te goja dhe bëj fiq-fiq në vend të saj. Një tjetër rol ka qenë kur unë kisha një shef, i cili më kritikonte sepse unë vija me vonesë në punë dhe më thotë: “Aaaaa tani nuk mban më ujë pilafi” dhe unë që i them “S’ka gjë, i hedhim ujë dhe oriz prapë” dhe ai që më përgjigjet: “Pse, çfarë do të bësh ti, hashure?”.
Si i kishit ndërtuar marrëdhëniet tuaja me regjisorët e shfaqjeve ku ju merrnit pjesë?
Kjo pyetje më pëlqen për vet faktin se në çdo lloj zanati në radhë të parë duhet të jesh njeri pastaj zanati, dhe kur janë të dyja bashkë është një kryevepër. Prandaj unë gëzoj respektin për ta, ashtu siç e gëzojnë dhe ata respektin për mua. Në profesionin tonë ka ego, por jo ta bësh për inat, unë për shumë vite kam luajtur me Fadil Hasën dhe skena prandaj është nëntë metra sepse ka vend për të gjithë. Që të dalë një punë e mirë gjithmonë duhet që puna të kombinohet me kolegët dhe me regjisorët.
Pas viteve ’90 gjithçka u çlirua. Si ndikoi kjo në personalitetin tuaj si aktor humori?
Kemi kujtuar se humorin do e bënim kollaj, po kjo s’ishte e vërtetë sepse ishte më e zorshme, unë dhe sot e kësaj dite them se kontrolli duhet. Nuk duhet një kontroll aq i rreptë, por kontrolli duhet. Ne kemi fat të madh që kemi shkrimtarin dhe regjisorin Haxhi Rama, sepse është shumë problem ana materiale.
Në repertorin tuaj ju gjejmë dhe në role femrash? Ju duken simpatike ato të interpretuara prej jush?
Me thënë të drejtën nuk më ka pëlqyer vetja në këtë lloj roli. Po në ato dy tre materiale ku unë kam luajtur rolin e femrës, me sa duket më ka ngjit, po këtu ka të bëjë dhe puna e regjisorit, i cili e ka kuptuar se e bënë Rrema këtë punë. Roli i Vathes është e pavdekshëm.
Ju keni dhe shumë role në kinokomedi. Ku ndryshon humori i skenës nga ai i ekranit?
Në televizion duhet të matesh mirë sepse e bënë rolin dhe ai mbetet aty, ndërsa në skenë edhe këtu do të matesh mirë, por e zëmë se në qoftë se nuk e bënë mirë sot, të nesërmen ka prapë shfaqje dhe e rregullon. Kurse filmi dhe ekrani nuk ta krijojnë këtë mundësi. Pesë-gjashtë filma që kam interpretuar, unë kanë batuta, të cilat mbahen mend si p.sh. “gjithë ditën tullë, gjithë natën qull”, “çfarë bëjmë mëngjes, drekë, dark”, gjëja më e bukur për ne humoristët është kur të përshëndesin rrugës me batutën që ke thënë ti.
Sa improvizime bëni në rolet tuaja apo i qëndroni besnik skenarit?
Gjatë provave plotësojmë ose heqim nga skenari, por Haxhi Rama është strikt. Gjatë provave dhe mund të bëjmë ndonjë ndryshim, por kur jepet shfaqja mirë është të stabilizohesh ka dhe raste kur na “pjell” mendja dhe del diçka e bukur ku dhe regjisori të thotë: “O, bravo shumë mirë”, por në të shumtën e rasteve e kopsit rolin gjatë provave.
A do të veçonit ndonjë regjisor ku ju keni më shumë bashkëpunime ose jeni ndjerë më komod në punën tuaj?
Do të veçoja Haxhi Ramën, me të cilin unë kam qysh në ’83-shin që punoj. Pra mua më ka nxjerr në pah Fadil Hasa ku siç themi ne, nga rrugicat ai më ka nxjerrë në rrugë dhe prej aty më ka marrë prej dore Haxhi Rama, të tjerë regjisor do të veçoja Gjergj Vlashi, Koço Devole, Pllumb Kulla.
Po për sa i përket partnerëve tuaj kë do të veçonit?
Do të veçoja Fadil Hasën pasi me atë kam një jetë të tërë që punoj dhe kam mësuar jashtë mase prej tij. Pastaj kam punuar me Cekën me Behar Merën, me Zefin me Zylin, me Paulin Prekën, me Besnik Çinarin, me Skënder Sallakun me Roland Koça, me Zamira Kitën me të ndjerin Aleko Prodani.
Si është Muharrem Hoxha jashtë botës së rolit?
Ka persona që të thonë dhe në rrugë “na bëj një gjë për të qeshur” është njësoj si t’i thuash këpucarit “na rregullo një palë këpucë këtu në rrugë”, ose berberit “na qeth këtu në rrugë”, por megjithatë unë bëj ndonjë batutë gjithmonë me shoqërinë dhe humori më shoqëron kudo.
Teksa shikoni rolet tuaja, a ju ndodh të qeshni me to, apo keni një mendim kritik duke menduar se mund ta kishit bërë dhe më mirë?
Edhe qesh me këto role, po ka mundësi për të punuar edhe me mirë, unë jam i kënaqur nga vetja, po kjo nuk do të thotë se kam bërë mrekulli. Unë tashmë jam dekoruar me urdhrat “Naim Frashri i Artë” të Artë dhe të Argjendtë nga presidenti i Republikës, kam marrë “Njeriu i Shekullit”, kam marrë “Krenaria e Qytetit” nga qyteti im Durrësi. Domethënë ia kam marrë frytet punës time të bërë deri më sot. Sikur të isha më i ri prapë nuk kisha për të ikur nga Durrësi.
Thonë se humoristët vuajnë shpirtërisht dhe të qeshurën e kanë mbi lëkurë. Sa e vërtet është kjo për ju?
Është një pyetje e bukur ku te unë e ke gjetur tamam, pasi unë jam një tip që bëhem merak shumë. Unë bëhem merak edhe për një hallë që mund të ketë dhe një shok, domethënë unë e përjetoj problemin që ka një njeriu im. Nuk ka asgjë në sipërfaqe pasi humori vjen vet dhe nuk mund të bëhet njeriu më dy fytyra dhe i vetmi problem është se unë e përjetoj problemin e tjetrit. Emocionet bëjnë dhe punën e vet. Tashmë po përgatisim dhe materialet me të cilat do të paraqitemi në një shfaqe, e cila do të jepet në Kanada. Ku edhe pse kam shkuar dy herë atje më kanë filluar që tani emocionet. Atje më kanë pritur shumë mirë ku tani shkoj dhe më tepër i përforcuar, me Zyliha Milotin, me Roland Koçën dhe me këngëtaren Rosela Gjylbegu.
Meqë ju e përmendët aktivitetin në Kanada. Si e keni pritur këtë ftesë?
Është hera e tretë që shkojmë atje madje unë e thashë me shaka, tre herë në Lushnje dhe në Berat nuk shkohet. Me këtë dua të them se nuk është punë shoku apo punë hatri pasi ata vetë e kuptojnë se ka kërkesë dhe unë pastaj që kam obligimin më të madh, që të mobilizohem për të bërë një punë më të mirë. Një herë kam shkuar me Fadil Hasën ku ishte grupi i parë dhe e ruaj në kujtesën time. Gjatë shfaqjes një ovacion shumë i madh dhe kur dolën nga shfaqa takonim gra, goca sikur me u taku motër me vëlla. Kap, përqafo dhe qaj pasi ishim grupi i parë që vinim nga Shqipëria. Në aktivitetin e radhës po shkoj me përforcime si Zylia Milotin dhe Roland Koçan ku të paktën të jetë 45 min program. Interesimi i atij publiku po më vë në mobilizim mua dhe kolegët e mi.
Ilir Lena, është dhe producent i “Pasqyra Shqiptare”, i vetmi televizion në gjuhën shqipen në Kanada. Si ka lindur bashkëpunimi me të?
Ilir Lena është si ajo që thonë “mat 100 herë dhe prit njëherë”, pra çdo gjë që e ka bërë e ka bërë shumë të saktë. Mund të them se është i vetmi që është shumë korrekt nga ana e bërjes së kontratës në mënyrë të rregullt si dhe një organizim i përsosur për mbarëvajtjen e punës së artistëve.
Çfarë emocionesh ndjeni kur luani në skenat të tilla si kjo që ju po na tregoni?
Është emocion i dyfishtë sepse atje janë të gjithë shqiptarë. Kam qenë dhe në Parma të Italisë ku po mendoja se ai pallat a kishte panele se pse më dukej se po binte pallati nga që kishte shumë spektator. Dhe ata kishin mall për të na parë për të na takuar.
A e keni menduar ndonjëherë që të punoni në profesionin tuaj jashtë Shqipërisë?
Jo, jo, këtë nuk e kam menduar. Unë kam një kunat në Itali dhe shkoja për shfaqe atje dhe mund të rrija 10 -15 ditë dhe i thosha “do rri 10 ditë, ditën e martë të dielën do iki”. Mua për fat më ka shpëtuar dhe djali pasi ai ka mbaruar për laborant dentist në Itali dhe fati im që ai është kthyer në Durrës, se po të kishte qëndruar ai atje do u fiksha domethënë për këtë ai më ka shpëtuar jashtë mase.
Si e ndjeni veten teksa ecni rrugës dhe njerëzit flasin për ju?
Nuk ka gjë më të mirë. Unë vërtet e kam rrogë të vogël madje dhe drejtori kur e ka parë ka vendosur duart në kokë. Kjo pasi nuk kam shkollë të lartë, po kjo nuk është për fajin tim, pasi ata që kanë bërë shkollën e lartë marrin më shumë lekë. Por simpatia qe kanë njerëzit për mua nuk paguhet as me euro as me dollarë.
Jeta artistike e Muharrem Hoxhës
Muharrem Hoxha ka punuar për një periudhë të gjatë nga ’73 – ’86 në “Pallatin e rinisë” në qytetin e Durrësit, ku ka bashkëpunuar me aktorët e humorit si Fadil Hasa, Ramazan Njala, Enver Likmeta dhe në veçanti Gani Kalaja. Po në këtë qytet ai ka punuar dhe me aktor të tjerë si Roland Koçi, Sanie Hoti, Xhelal Tafai, Hysen Bashkhysa etj. Ai ka marrë pjesë te teatri i kukullave ku ka punuar për 14 vjet, po kështu është angazhuar në mbrëmjet e vitit të ri, si në programet për fëmijë dhe në ato për të rriturit. Ai ka luajtur dhe në filmin për femijë “Velat e Bardha”, i cili është xhiruar në Itali. Aktivitetet dhe bashkëpunimet e tij me aktorë dhe regjisorë të disa qyteteve tona kanë bërë që ai të jetë një ndër humoristët më të pëlqyer jo vetëm për qytetin e Durrësit ku ai punon, por dhe për qytete të tjera. Në Shkodër ai ka bashkëpunuar me aktorë të tillë si Zyliha Milotin, Paulin Prekën, Zef Dedën,Gëzim Kruja,Drane Xhoi. Gjithashtu ai ka luajtur dhe me aktorët e qytetit të Korçës ku do të veçonim Zamira Kita, Aleko Prodani, Petrika Riza, Klaudeta Riza, Marko Bitraku, Albana Prodani etj. Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe bashkëpunimin me aktorë të humorit në qytetin e Elbasanit si Ilmi Belshaku, Dimitraq Topuzi, Antoneta Doka. Ai është vlersuar në vitin 2000 si “Njeriu i shekullit”, “Krenaria e qytetit”, për Durrësin, ka fituar si “Aktori me i mirë” në festivalin e Dibrës së Madhe me trupën e Korçës me shfaqen “Ju ftojmë në dasmën e babait”. Në vitin 2003 është nderuar me Urdhrin “Naim Frashri i Argjendë”, ndërsa në vitin 2010 ka marrë “ Naim Frashri i Artë”. Në vitin 1983 në qytetin e Lushjes nderohet me çmimin “Laureat i festivalit”. Të njëjtin çmim e merr dhe në Fush-Arrëz, në 1989.