Gjelberimi joshja shqiptare

Gjelbërimi, joshja shqiptare
Më parë, fill pas ardhjes së tyre në këtë vend, takimet mes miqve apo edhe familjarëve kanë qenë nëpër tregje, kafene apo edhe në rrugë. Tashmë, thotë Bujari, një shqiptar me banim familiriarisht në veri të Londrës, “ne i lëmë takimet në kohë të mirë me diell dhe familjarisht shkojmë në parkun më të afërt. Atje fëmijët qeshin, lozin, ka hapësirë për lojra dhe ne flasim qetë dhe gjatë për hallet tona. Pastaj, or vëlla, se ç’ka një lidhje kjo risi me traditën tonë të hershme, me festimet në livadhe dhe blerina të gjelbra, ku ndjenim ajrin e pastër të natyrës së bukur shqiptare. Këtu gjejmë këtë pikëtakim natyror vetëm në brendësi të parqeve, mes gjelbërimit…”. Ndërsa Lindita, një shqiptare me banim në Perëndim të Londrës shton në bisedë telefonike me ne se ajo edhe në kohë të keqe dhe me shi nuk do të preferonte vend tjetër për të takuar miqtë, se sa parkun. “Kafenetë dhe pubet janë me zhurmë, tani që ka edhe rregulla të tjera për ne duhanxhinjtë, më mirë parku natyral është për të kaluar një kohë të mirë dhe për të takuar të tjerët”, thotë ajo për “Albanian Mail”.

Shoqatat
Pak ditë më parë ishte “Ardhmëria” që e shpalosi hapur këtë rikthim të traditës shqiptare. Festives së tematikës së saj, kjo shoqatë i dhuroi hapësirën e Parkut të mrekullueshëm londinez të Batersias. Aty u gjendën në një panoramë tradicionale festive, familjarë, fëmijë dhe miq anglezë që festonin bashkërisht një vit plot rezultate në shkollën shqipe të kësaj shoqate. Po kështu veproi edhe shoqata MEAF, që preferoi natyrën për të hedhur vallen shqiptare dhe dëgjuar këngën dhe muzikën e krahinave të ndryshme shqiptare në zemër të Birmingamit. Në Donkaster, Shefild, Mexzborough dhe në disa qytete të tjera të zonës së Jorkshires, këto hapësira të blerta kanë qenë një joshje e hershme shqiptare. Që në vitin 1999, kur dy avionë sollën shqiptarët e dëbuar nga Millosheviçi në York, gjelbërimi ishte pamja e dytë për të sfiduar stresin dhe vuajtjet pafund. Shqiptarët preferonin parqet në këtë zonë. “Aty takoheshim, - na thotë Ramadan Berisha, me të cilin ndamë gati një vit komshillëk në atë zonë, “dhe aty gjenim një pikëtakim me natyrën tonë të bukur dhe krenare. Se ç’ndjen njeriu në hapësirën e blertë, në gjelbërimin natyral. Aty gjendet mishërimi i Paqes dhe Lirisë”.

Natyrëzimi
Shqiptarët në fakt duket se janë të natyrëzuar me gjelbërimin. Çdo detaj i tij i ka frymëzuar ata edhe tek përjetësimi i emrave. A nuk është vetë gjelbërimi që i ka dhuruar emra fëmijëve shqiptarë që herët? Ne i quajmë fëmijët tanë Blerim, Blerina, Manushaqe, Lulishte, Lule, Vjollcë, Trëndelinë, Lëndinë apo edhe me emërtime të tjera që gjejnë rrënjë tek kjo hapësirë e blertë, tek kjo frymëmarrje natyrale, shpirtërore shqiptare. Një mik anglez, që punon në një Bashki të Londrës, më thoshte para ca ditësh: “në çdo familje shqiptare që të vizitosh, gjen lule dhe një interesim të jashtëzakonshëm për kopshtin prapa dhe para shtëpisë… Kjo ka qenë një traditë e hershme e anglezëve, tani e shoh tek ju…”. Në fakt ky pikëtakim me traditën shqiptare është thjesht një gjetje. Ai ka ekzistuar historikisht, thuajse bashkë me natyrën që i ka krijuar natyrëzimin jetës shqiptare, kudo ku ai vendoset për të jetuar i lirë dhe në paqe.

Nga: Fatmir Terziu : Albania Mail

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama