Sipas tij, pjesët e gjetura i përkasin kondritëve, siç njihen ndryshe meteorët shkëmborë. “Kemi gjetur thjesht disa copëza - tha Grokhovski - dhe besojmë se blloku qëndror do te jetë në fund të liqenit, me përmasa nga 50-60 cm”. Copëzat e gjetura deri tani janë secila nga 1 centrimetër. Shkencëtari ka propozuar ta quajë meteorin Cebarkul, si zona ku ai ra. Copëzat e meteorit u dërguan për ekzaminim në Qendrën Studimore të Universitetit të Uraleve në Ekaterinburg.
Kondritët janë meteorët më të zakonshëm, përbëjnë 90% të atyre që bien në planetin tonë. Janë shkëmbinj shumë të lashtë, të formuar në fillimet e sistemit diellor, reth 4.6 miliardë vjet më parë. Meqë copave të zbuluara iu gjet një përmbatje hekuri prej 10%, mendohet se i përkasin nëngrupit të njohur si kondritet L. Guvernatori i rajonit të Celiabinskit i ftoi të gjithë udhëheqësit botërorë - të hënën në qytetin e tij - për të diskutuar mënyrat për të mbrojtur njerëzit, ndërsa deputeti Konstantin Tsibko tha se qyteti është i pari në historinë e civilizimit, që i mbijetoi sulmit hapësinor.