Autoritetet indoneziane po hetojnë një sërë mbetjesh që mendohet të jenë pjesë e avionit të humbur “AirAsia” QZ8501. Një zyrtar i aviacionit në Ministrinë e Transportit, tha se mbetjet u gjetën nga një ekip i kërkimit në brigjet e provincës së Indonezisë qendrore në Djoko Murjatmodjo.
Ekipet me helikopter janë duke u përgatitur për të shkuar dhe për të shqyrtuar vendndodhjen e tyre sa më shpejt të jetë e mundur, për sa kohë që moti është i përshtatshëm. Fotografitë, të cilat zyrtarët po i shqyrtojnë, tregojnë një objekt trekëndësh metalik që lundron në ujë.
Anije, aeroplanë dhe helikopterë janë vënë në kërkim të avionit QZ8501 që kur ai u zhduk mbi Detin Java të dielën, pasi ishte nisur nga qyteti Surabaya për në Singapor. Sipas CNN, zyrtarët janë të shqetësuar për rrymat në det. Nëse moti i keq vazhdon, rryma mund të bëjë që mbeturinat të përhapen para se ekipet të mbërrijnë.
Avioni me 162 njerëz në bord, humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror ditën e diel, menjëherë pasi piloti kërkoi leje për ta kthyer dhe për të rritur lartësinë e drejtimit, për shkak të motit të keq.
Ekipet e shpëtimit thonë se moti mund të jetë faktori kryesor në zhdukjen e aeroplanit, dhe ai ka bërë që gjurmët e avionit të jenë të vështira për t’u gjetur. Valët e mëdha të detit dhe retë kanë penguar përpjekjet për kërkimin e tij.