Është gjetur i vdekur në qelinë e tij, shqiptari që vrau rojen në burgun grek të Malandrinos, Ilia Kareli. Mediat greke raportojë se 40 vjeçari Ilia Kareli u gjet i vdekur pak para mesnatës në qelinë e burgut të Nigritas të Serresit, ku ishte transferuar dje pasdite për izolim dhe mbrojtje nga ndonjë hakmarrje e mundshme.
Mbrëmë pak para mesnatës, gardiani i shërbimit pa se Kareli nuk jepte shenja jete. U njoftua menjëherë urgjenca dhe Kareli u dërgua në spitalin e Serresit.
Në bazë të pamjeve të kamerave të sigurisë, i dënuari nuk dukej i qetë në momentet përpara se të jepte frymën e fundit. Kamerat e tregojnë 40 vjeçarin teksa shtrihet në shtrat dhe duket sikur merr frymë thellë e me vështirësi.
Paraprakisht eliminohet vetëvrasja, apo dhuna nga të dënuar të tjerë, dhe mendohet se bëhet fjalë për shkaqe patologjike, por shkaqet e plota të vdekjes do të sqarohen gjatë ditës nga autopsia.
Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar fillimin e hetimeve rreth kësaj ngjarjeje.