Gjendet uje ne Hene

Gjendet ujë në Hënë

 Janë dashur metodat e forta të NASA-s, "një bombardim" i kratereve për të nxjerrë në sipërfaqe sasi të mëdha uji, ose siç bën të ditur agjencia hapësinore: njëqind kile ose pak më shumë. Atëherë parashikimet ishin të drejta: "bombardimi paqësor" i realizuar më 9 tetor nga sonda L-Cross, ka nxjerrë në dritë nga ajo errësirë elementin më të çmuar për jetën.

Të mos keqkuptohemi, ky nuk është burimi që lokalizoi misioni i hedhur në korrik të këtij vitit. Shkencëtarët dyshonin prej kohësh se Poli i Jugut që nuk prekej nga rrezet e diellit, mund të ishte shumë i ftohtë dhe sipërfaqja e tij të ishte e mbuluar me akuj. Komuniteti shkencor ka dalë në këtë përfundim pas zbulimit të hidrogjenit në misionet e mëparshme. Bomba e lëshuar nga sonda ka ngritur pluhur dhe materiale të tjera, dhe ai material së bashku me një mori të dhënash ka sjellë lajmin e mirë. "Kemi bërë krahasime me dy lloj matjesh: me rrezet infra të kuqe dhe ultraviolet. Përqendrimi dhe përhapja kërkojnë edhe disa analiza të tjera, por e dimë se sa mjafton për të konfirmuar se Kabeus (krateri hënor) përmban ujë", thotë Anthony Colaprete, përgjegjësi i projektit "Lcross", në një prej Qendrave të Kërkimit të NASA-s.

Sot ‘shkencëtari i Hënës‘ e ka të pamundur të qëndrojë me këmbë në tokë. "Jemi të lumturuar", thotë. Ndoshta ngazëllimi i tij lidhet edhe me faktin se zbulimi ka ardhur në një periudhë jo fort të lumtur për agjencinë hapësinore. Projekti "Lcross" ishte menduar si parapërgatitje e rikthimit të njeriut në Hënë në vitin 2020, një hipotezë të cilën e kishte hedhur edhe ish-presidenti George Bush. Por një grup i pavarur ekspertësh, të udhëhequr nga Norman Agustine, e ka hedhur poshtë hipotezën: nuk është më koha për projekte hapësinore shumë të kushtueshme, sepse NASA nuk ka më asnjë dollar, sidomos tani që është edhe periudhë krize.

Për NASA-n, uji i Kabeusit është oazi në shkretëtirë, fillimi i mijëvjeçarit të ri. 79 milionë dollarë ka kushtuar vetëm anija hapësinore "Lcross", por fatmirësisht misioni po jep rezultate shpresuese. "Gjëja më e bukur është se jemi ende në pikën e parë", thotë Perter Schulz, nga universiteti "Brown". "Është njësoj kur shpon tokën për të gjetur naftë: pasi e ke gjetur vendin e duhur, kërkon, sepse ka mundësi që përreth të gjesh shumë të tjera".

Sigurisht që zbulimi nuk është përfundimi i misionit. Por nga vjen ky ujë? Greg Delory, docent i Berkelit, hedh disa hipoteza: mbetjet e kometave të vjetra, bashkëveprimi i sipërfaqes hënore me erën diellore... "E vetmja gjë e sigurt është se ai akull gjendet aty prej miliarda vitesh dhe priste që ta zbulonim pikërisht ne, në një ditë të begatë të vitit 2009", thotë Doug Cooke, një profesor i NASA-s i Dhomës së Uashingtonit.

Intervista

Flet astrofizikani Fabio Peri: "Një stacion i përhershëm. Tani ajo ëndërr po afrohet"

Sonda të tjera kishin shfaqur praninë e ujit në Hënë, por sa herë që tentohej të nxirrej në dritë, uji dukej sikur fshihej thellë dhe nuk do të zbulohej kurrë. Kjo gjë kishte ndodhur me sondën Lunar Prospector dhe stacioni i tretë të Saturnit 5 që kishte lëshuar në Hënë "Apollo 14". Edhe impakti i sondës "Lunar Reconnaissance Orbiter", mbi të cilën astronomët kishin shpresuar shumë, në momentin e parë nuk kishte dhënë rezultate shpresuese. Por tani, pas krahasimit të të dhënave, ja ku erdhi edhe lajmi i shumëpritur. Në Hënë ka ujë në formë akulli.

Profesor, pse është kaq e rëndësishme që keni gjetur këtë element?

Ka shumë aspekte që e bëjnë këtë zbulim të rëndësishëm. Aspekti i parë është teknik. Uji është një element shumë i rëndësishëm për të ndërtuar një stacion hënor të përhershëm, por për ta çuar atje lart ka kosto jashtëzakonisht të lartë. Do të kushtojë më pak nëse do të nxirret në vend.

Fakti që keni gjetur ujë në Polin e Jugut hënor është favorizuese për atë që dëshiron të vërë në atë vend një bazë njerëzore?

Sigurisht që po, sepse nëse nga njëra anë ka kratere ku nuk arrin kurrë drita e diellit dhe kjo gjë u lejon akujve të qëndrojnë aty për miliona vjet, nga ana tjetër gjenden zonat ku ditët hënore janë jashtëzakonisht të gjata dhe kjo lejon shfrytëzimin e energjisë diellore në maksimum. Veç të tjerash, nga ajo zonë është e mundur të shohësh pothuajse në mënyrë të përhershme Tokën dhe ky është një aspekt psikologjik shumë i rëndësishëm për astronautët që duhet të rrinë disa muaj në Hënë.

Uji, përveç përdorimit personal, mund të përdoret edhe për punë të tjera?

Mund të hidhen hipoteza për nxjerrjen e hidrogjenit nga molekula e tij për ta shfrytëzuar si element për të prodhuar energji, por duhet të shohim sa ujë ka dhe nëse procesi është i vlefshëm nga pikëpamja ekonomike dhe teknologjike.

Cilat janë elementet e tjera që e bëjnë të rëndësishëm zbulimin?

Është aspekti shkencor. Prej kohësh shkencëtarët përpiqen të kuptojnë se nga vjen ai ujë. Janë hedhur hipoteza se ai formohet në mënyrë konstante nga erërat diellore, fluksi i grimcave që vijnë nga dielli, brenda të cilave gjendet joni hidrogjen, duke u lidhur me oksigjenin (që është me tepri në Hënë) formojnë ujin.

Shpesh thuhet se ku ka ujë ka jetë. A është e tepërt të hidhet kjo hipotezë për satelitin tonë?

Do thosha po, sepse për të pasur jetë, duhet të ketë ujë të lëngët dhe një atmosferë që të ndalojë rrezatimet kozmike që vrasin jetët që në zanafillë, kushte që në Hënë nuk ekzistojnë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama