Ai pat lindur këtu, po i ati qe kthyerë në mëmëdhe, para se të vinin italanët. Babaj zuri krahun e Çlirimtares, luftoi pa kursyerë veten dhe u vra. I biri, ende katërmbëdhjetë vjeç, zuri vendin e babajt. Pas lufte djalin e dërguanë në një akademi të rusëve dhe u këthye që andej kolonel. E bënë gjeneral më vonë dhe e lanë t’i gëzonte pallaskat vetëm një javë, pastaj të tëra gradat u fshinë. Nëntë vjet më vonë i vunë hekurat. E duart i liroi pe tyre, vetëm pas pesëmbëdhjetë vjetësh, atë vit të madh, kur u hoqnë hekura e kyçe e u hapnë tërë portat.
Gjenerali banon tashi, me zonjën e dy djemtë, në nënkatet e një pallati në Rixhvud. Shqiptarët atje e thërresin gjeneral dhe atij i bëhet qejfi, sidomos, kur ulet në kafene dhe klientët porosisin:
- Shpjerini pe meje një kafe, gjeneralit!
Zotit gjeneral, një ditë të mirë të Perëndisë, iu shkrep të shkruante kujtimet e burgut.
Mua më gjeti në Fresh Pond, më dorëzoi dorëshkrimin e m’u lut që t’ia shpija prefesor Skënderit, që të tërë e mbajnë për kritik të klasit të parë. Gjenerali desh mendje pe prefesor Skënderit, po ai diku gjendej në atë kohë e unë e ktheva të ngrohtë librin.
- E di çë, o Peço, a nuk i jep ti vetë, një të lexuarë? - iu shkrep plakut. Për ty më kanë folur mirë. Bile më kanë thënë, që je dhe shumë i rreptë!
- Unë një copë shofer jam, i rreptë! - i thashë. Ja tall ca agronomë që qahen nga diktatura, që i ka hequr nga një fermë e Tiranës dhe i ka shpënë në një të Durrësit! Zotrote, je rrahur me varè në kovaçhanën e xhehnemit. Guxoj unë, të kem rreptësi me ty!
Libri më pëlqeu vërtet. Kish një çiçkë mburrje për qëndrimin në hetuesi, por më të shumtën, dukej rrëfim i vërtetë.
- Nuku të paska pëlqyerë Peço, ëh?
- Jo vetëm më pëlqeu - i thashë kur u takuamë, - por më ka mbetur mendja. Tëra ato që thua ti, mua tashi më dalin në ëndërr. Më mirë të mos e kisha lexuarë!
Gjenerali po fluturonte. Qarjet e mia për forcën e librit, e shpunë atë në qiell të shtatë, pa kaluar hiç nëpër gjashtë të poshtmit.
- Do tërbohen ca e ca, kur t’i shohin emrat në libër! Janë kriminelë edhe do të duanë të hakmerren gjene – thosh me endje e frikë tok, plaku. Po, le të hidhen përpjetë! Shkurt, Peço, thua që libri ka brumë dhe bëhet edhe… film?
- Oskari është pak, gjeneral! – kisha gati lëvdatën tjetër unë. Po të flasim për librin njëherë: më njofto ditën kur do dalë në Tiranë, t’u them njerzve të mi, mos mbeten pa blerë. Urime, zoti gjeneral!
Pas ca ditësh, më thirri e shoqja. Vajta. Gjenerali rrinte ulur e shikonte një film me kartona, me luftë. Plaku dukej hundë e buzë.
- E lexove librin e tim shoqi, ti Peço? – më pyeti gruaja, pa më dhënë hiç kafe.
- E lexova me një të marrë frymë, moj ti zonjë e gjeneralit - ia prita, - dhe, kur mos kem babanë, më la pa mend! Urime, si familje! Hajde lib…
- Domethënë - ma preu përruan e lëvdatave plaka, - ti ia paske krehur bishtin?
Hodha sytë nga gjenerali. Ay sikur s’qe fare aty. Vazhdonte të shikonte filmin.
- Unë, moj zonjë, veç e lexova e nuku bëra asgjë të keqe. E nuk e kisha veten në dorë të më pëlqente, apo jo. Është faji i shkrimit, që më bëri ta pëlqej. Që nga dita, që e lexova…
Po ajo nuk i hante lavdet, si gjenerali.
- Shiko, Peço - më tha. Unë kam dy djem, që i dua si dritën e syve. E nuku dua të m’u ngasë qimen njeri! Im shoq, le të rrijë gjeneral! Na dashka dhe shkrimtar ky, tashi!
Gjenerali u ngrit më këmbë.
- Ta thashë e po ta them: është detyrë të dëshmojmë - shfryvi ay. Ay që më torturonte të ketë frikë e jo unë. Pa ekzagjerim, bre Peço, një seancë të tërë më ka marrë në pyetje, ay me këmbë në dysheme, unë me këmbë në tavan! I varur! Të dy formonim një fand spathi. Dhe e dinte qeni, të vërtetën, që asnjërit pe nesh nuk i pat vajtur ndërmend ta sulmonte Enver Hoxhën me tankse e me topa. E këto do t’i them. Më vjen turp nga njerëzimi, nga bota demokratike…
- Nuk të le njeri t’i botosh ato kujtime! - ia priti zonja. Na lerë të vdesim rehat. E di ti, se ku është ay hetuesi yt sot? Në Këshill të Drejtësisë, a më lart, më duket. Gjykatësi ka ardhur në dy seminare, këtu në Vashington, e burri im kërkon t’i heqë petët… Të na hapë luftë.
Plaka dridhej nga gogoli që ish në mes të një bostani, mijëra kilometra larg.
- Nuku dua të hyj në punët tuaja familjare - u thashë shtruarë, - po ju, tashi keni marrë nënshtetësi amerikane, të vendit më të sigurtë në botë. Kush pyet në Shqipëri për kritika! Sot atje batërdisin Presidentin, ministrat…
- Nuk janë për t’u patur frikë as Presidentët as ministrat, - ulëriu zonja. Të vërtetat e llahtarshme, janë të hetuesave, të prokurorëve!
- Ato që shkruani ju, o zoti gjeneral, a janë të vërteta? - u sigurova edhe njëherë unë.
- Të kulluara! - ma priti ai. E unë do t’i botoj, se më vjen turp nga bota demokratike! - shtoi me një qëndrim historik dyke dalë jashtë.
Zonja më vuri të betohesha, që nuk ia kisha dhënë dorëshkrimin njeriu. E më kërkoi të mos ia zija në gojë as gruas time.
- Të gjorët ne, që kujtuamë se hallet muarë fund! - tha plaka dyke më përcjellë deri jashtë e dyke më porositur të gjeja për gojën një kyç të madh. E me ca sy që dukshin sikur nuk kishin më bebëza, por vetëm të bardha, vështronte e gjora, sa më të majtë më të djathtë të Fresh Pondit!
Ca ditë më pas, gjenerali e pa limuzinën time që nga kafeneja e ma bëri me dorë. Parkova e bashkova gjeneralin.
- Tërë kundër, po unë do ta hap atë kapak! - më tha.
- Më bëhet qejfi, zoti gjeneral, - iu bëra krah unë. E the vetë, e ke për detyrë para demok…
- Megjithatë - ma preu, - kam vendosur t’u bëj lëshime. Gruas i ka ikur gjumi e djemve oreksi. Fytyra e fundit, që ka parë ime shoqe, ka qënë ajo e hetuesit tim. Unë po merresha me valiçat e ai i qënka afruarë e i paska folur. “Po shkoni në Amerikë, ëh? Me këta aeroplanë, tani njeriu vjen kollaj e të gjen edhe atje”. I ka futur llahtarin. Do përdor iniciale. Kam frikë o Peço, mos bëjnë ndonjë marrëzi djemtë. Ai i vogli e ka kaluarë atë lodrën e fëmijëve. Po e ka kaluarë keq, ama! Ay edhe të vret.
- Thua t’u bëjë gjë atyre që të torturuanë?
- Jo atyre! Kam frikë mos të bëjë gjë ty!
- Muuuaaaa?!
- Ty, ty! Kushedi ç’u ka përrallisur ajo, tutkunia ime!
T’ëmën, ç‘budallenj mban mbi kurriz kjo botë! Vetëm pse e kisha lexuarë, më rrezikohej jeta! Gjenerali nxorri dorëshkrimin mbi tryezë. Pastaj u ngrit dhe dolli jashtë kafenesë. Libri tashi qëndronte përpara meje, si një kafshë e rrezikshme. Plaku u kthye.
- Hodha një sy rrotull, se kushedi, - më tha me pëshpërimë. Dëgjo, tashi: hetuesit, që më varte kokëposhtë, ia kam ndryshuarë inicialet, dyke i vënë më parë mbiemrin. Tani ay quhet T.P. Ndihmësin e tij, nga C.L. e kam bërë L.C. Prokurori që e kish emrin dhe mbiemrin njësoj, më futi në telashe. Ay e kish K.K., por, po ashtu dilte edhe po t’ua ndërronje vendet. Thashë njëherë ta bëj L.L., por gërmat qenë shumë afër dhe lexuesit mund ta kuptojnë, prandaj u shtyva tej dhe e quajta S.S.
- Mirë e ke bërë, po do dukesh shumë i ashpër, gjeneral! S.S.-ja, të kujton nazisët, ëh?
Tashi edhe gjenerali filloi të shikonte përqark me dyshim njerëzit pa të keq të Rixhvudit.
- Mirë thua, po e bëj T.T… Jo! Më tingëllon si revole ruse! Po e bëj V.V…
Më tregoi edhe inicialet e përmbysura të trupit gjykues. Unë ia miratova të tëra ndryshimet.
- Tashi, - i thashë, - nuku të zëmërohet njeri. Por unë them, që edhe diktatorin ta kesh me iniciale. Mos e quaj E.H., por H.E. e kështu je, si i thonë, brenda stilit!
- Çfarë stili!? Enver Hoxhën, e njohin të tërë!
- Nuku ka gjë, - ngula këmbë unë. Ti bëj tënden. Thuaj H.E, pa lexuesit, po të duanë, le ta marrin vetë përgjegjësinë! Dëshmia kështu, del tronditëse tamam. Edhe stili ruhet.
M’u duk se jashtë portës së kafenesë pashë djemtë e gjeneralit. Nuku isha shumë i sigurtë, por kjo mjaftoi, që të më ikte qejfi i ndreqjeve.
I kërkova lejë plakut dhe dola. Nuku pashë asnjeri të dyshimtë për rreth. Kur hapa
limuzinën, se nga u shfaqnë, nuk e mora vesh, por m’u ulnë prapa, që të dy ata. Ngriva.
- Duamë të pimë kafe me ty, Peço, - tha i madhi, sterrë në surrat.
- Prishur mos qoftë dhe kafetë do t’i paguaj unë! - thashë.
Bëra të nis limuzinën. Atyre limuzina u dukej se i kish dënglat e mëdha, prandaj më thanë ta lija ku e kisha parkuarë. Do shkonim me të tyren, një xhip i madh bojë kafe.
- Ti je i vetmi që i ke lexuarë ato budallallëqet e babait tonë, - nisi që rrugës i madhi, teksa vështronim varret e lagur më të dy anët e udhës së shpejtë Xheki Rabinson. Po fut hundët shumë, në punët e familjes. Ç’farë kërkon? Jemi rritur në internim, për shkak të babajt. Është tjetër gjë të rrish në birucë e tjetër të punosh katërmbëdhjetë orë në pikë të diellit! Tashi, nuku duamë të merret vesh, që ai ka shkrojtur kujtime.
Epo, të dridhesh në mes të Amerikës, se ke lexuarë një libër! U pendova që u vajta pas, po ish vonë. Asnjeri nuku do të më besojë, se as unë vetë nuk arrij ta besoj tashi, po kjo që do them, nuk është ëndërr, ja kur mos i kem tërë!
Të më marrin, or të keqen, e të më shpjenë në një magazinë frutash, ku punonte si hamall njëri pe tyre. Në magazinë nuku gjeje xhan-xhin! Vetëm ne të tre. Shqiptarë safi që të tre, po ama që na ndante thika: unë, që kisha mësuarë historirat ngjethëse dhe ata, që deshnë, që unë t’i harroja ato. Më futnë në një të ndarë, ku kish vetëm arka pllastike e asnjë penxhere, ku ata e unë do të ulërinim e s’do na qasej njeri!
“T’ëmën, më vranë!”, thashë me vete e aty m’u përfytyrua ime shoqe me të zeza dhe guri i varrit: “Vdekur në Nju Jork, më..”
Më pyetnë a kisha bërë kopje nga libri i babajt, u thashë jo. Më pyetnë a kisha folur me njeri mbi librin e gjeneralit, u thashë gjene jo.
E të dy nuku m’i ndanin sytë. Tërë thelbi ish të merrnin vesh kush bënte në Shqipëri lojëra politike, për t’i vënë këmbëzën shokut që po ngjitet përpjetë. Demek: futim një njeri- (mua) - te një i vojtur, - ( gjenerali) - ai i vojturi boton kujtimet, kujtimet gërmojnë nevojtoret, që të nisin të përhapin erën dhe hop! Iu arrit qëllimit! Ku në të s’ëmës, gjenerali na qënkesh ulur në tryezë me penën mbi letër, një javë pasi isha kthyerë unë nga Shqipëria! Të gjitha këto dëshmonin, se porosinë për gjeneralin, e paskësha sjellë unë! De, o pikë e zezë!
- Kemi pyetur nëpër agjensitë ajrore, - ngulte këmbë i madhi.
I vogli, ai që kish kaluarë keq atë lodrën e fëmijëve, më përfshiu pe kravate. I vinte era qepë.
- Mos ma trajto si zonjë, këtë surrat, - i hoqi vërejtje vëllajt e m’u këthye: Unë t’i heq brekët nga koka, dëgjon?! Thuaj, kush të ka futur? E pa më lënë të tregoja kush më kish futur, vazhdoi: - Se mos ke bërë kopje!
T’ëmën-o, sikur nuk ishin rritur në internim, po sikur kishin studiuar në Moskë, si i ati! Po këta, në shkollat e hetuesve, këta! Thashë njëherë t’ia mbathja, po nuku dija a kishin armë me vete. As krisma nuku do dëgjoheshe, ikje për dhjamë qeni e nuku të paguante njeri! Bagazhi i maqinës bojë kafe ish i madh dhe një kufomë me vrimë në kurriz, futej kollaj, po t’ia mblidhje cazë këmbët.
Rraha t’i bindja. U thashë, që mua nuku më kish njeri në hesap e gjenerali qe burrë i nderuarë dhe i matur e nuku do pranonte kurrë të shtyhej nga një çunak, si unë. S’më besonin. U premtova, që nuku do ta takoja më gjeneralin. U betova që nuku do sillja më, këmbë pasagjeri në Rixhvud, e nuku do shkelja atje as me rrota, as me këpucë!
Më lidhë këmbët me një litar e me një vinç të vogël, më ngritnë kokë poshtë e këmbët lart, drejt tavanit. “Erdhi fundi”, thashë dhe, turp-nder, ulërita. I shava nga nëna, nga zonja e gjeneralit, për të cilën kisha shumë respekt, kur i kisha këmbët përdhe. Ata as u fyenë e as e prishnë terezinë. Gjaku erdh e m’u mblodh i tëri në zverk, faqet m’u frynë. U betova që po të shpëtoja, po të shpëtoja …, dorëshkrim, jo e jo, po as libër me autor të vdekur, nuku do zija me dorë. E kur dhimbja u bë e padurueshme, u betova, se po të mbetesha gjallë, do i vija zjarrin një librarie.
Më lanë ashtu nja njëzet minuta. Kuptova se, që vdekja tjetrit t’i duket mjaltë e të të thotë faleminderit, duhet më parë ta varësh nga kërcinjtë. Por nuku ndodhi asnjë vdekje. Më thanë që do më zbrisnin pe andej, vetëm po të thoshja së paku një emër.
- Vetëm ta shpik kot! - u thashë, me zorrët te goja.
- Nuk ka gjë më të ndyrë bre, se kur ti nuku hap gojën, ngaqë nuku di ç’të thuash e të tjerët ta marrin për heroizmë!
- E pleqësuanë njëri me tjetrin aty më tej dhe erdhnë e më zbritnë nga vinçi. Më nxorrën me makinë jashtë oborrit. I vogli zbriti të mbyllte portën dhe më tha të hidhesha pe makinës.
Doli llaf, këtu apo në Shqipëri, për ato që kanë ndodhur e për ato që ishin shkrojtur, do të të hamë megjithë lecka, - tha i vogli, që kish hequr lodrën. Këtu jemi gjene! Nuku harrojmë ne, or jo!
Unë kujtova se s’do harronin ata kriminelët, që u kishin sfilitur babanë, këta hajvanët, nuku do më harronin mua! Mua, që vetëm sa u hodha një sy fletëve, që pat nxirrë i ati! Pas asaj mbrëmje, më bëhej sikur më futnin pasagjerë të më provokonin. Kur dëgjoja të më flisnin për Spaç e Burrel, shtërngoja timonin, humbja qafën mes supeve e u thosha:
- Eh, të shkuara të harruara, ato! U bë, ç’u bë, le t’i harrojmë. Tashi jemi tërë ushtarë të kombit. E ushtarët e vërtetë, vështrojnë vetëm përpara, - përsërisja një gjeneral që këtë se ku e kish thënë e unë, se ku ia kisha lexuarë!
- Jo po, nuku duhen harruarë! - ngulnin këmbë pasagjerët.
- I madh është ai që harron! - ia ktheja unë, shoferi.
- Jo po, ka ca që e lanë vendin, erdhën këtu e po shkruajnë kujtimet. E bravo u qoftë! - avazin ata.
- Nuk njoh asnjërin nga ata, për kokë të fëmijëve! - ua ktheja unë. E po kohë e mirë sot, ëh?
Të gjitha këto telashe nga ai libër i mallkuarë! Një natë po e një natë jo, më dilte
në ëndërr vinçi. Gjëmoja në gjumë! Një ditë shpëtova për qime nga një xhip bojë kafe, që m’u sul përsipër e pastaj u zhduk. Bëj be që ishin djemt’ e gjeneralit.
Ma thanë copë, bre: ata nuku harrojnë!