E gjithë Evropa është një tollovi e madhe gjenetike. Shumica e popujve në kontinentin e vjetër kanë paraardhës të njëjtë apo të ngjashëm, shkruan e përditshmja “Express”.
Këto ngjashmëri janë evidente së paku përgjatë 1 mijë e 500 vjetëve të fundit. Por, aq sa kanë të përbashkët, disa prej këtyre popujve duken gjithashtu të ndryshëm.
Në këtë grup duket se bëjnë pjesë shqiptarët. Prejardhja e tyre ilire dhe gjuha tërësisht e veçantë nga të tjerët i bën ata goxha specialë.
E të njëjtën kohë del se ata janë me paraardhës të njëjtë me popujt e tjerë të rajonit, por para dyndjeve sllave, rreth 3 mijë vjet më parë.
Peter Ralph dhe Graham Coop janë dy studiues nga Departamenti për Evolucion, Ekologji dhe Biologjinë e Popullsisë në Universitetin e Kalifornisë në SHBA. Ata në korrik të këtij viti kanë publikuar një studim të quajtur “Gjeografia e fundit e prejardhjes gjenetike nëpër Evropë”. Në të flitet për rajonet dhe popujt e tërë Evropës.