Shqiptarët rezultojnë të jenë më afër gjenetikisht me popullatën greke, sesa me atë serbe. I prezantuar dje në simpoziumin “Imunologjia në erën e re gjeonomike”, organizuar nga Shërbimi Universitar i Imunologjisë, QSUT “Nënë Tereza”, Fakulteti i Mjekësisë dhe Ministria e Shëndetësisë, studimi krahasues për herë të parë përfshin të gjitha popullatat e rajonit dhe mundëson plotësimin e “puzzle”-it ballkanik në këtë fushë. Sipas shefit të shërbimit të imunologjisë, Genc Sulçebe, studimi i polimorfizmit imunogjenetik në popullatat shqiptare u realizua me metodat e fundit të biologjisë molekulare, ndërsa studimi i distancave dhe hartave gjenetike u krye me metodologjitë më bashkëkohore antropologjike, si dhe me programe kompjuterike të specializuara.
“Rezultatet e studimit bënë të mundur hartimin e hartës aktuale gjenetike të popullatave që jetojnë në rajonin ballkanik, duke paraqitur me anë të “provës së ADN-së” raportet e këtyre popullatave në këtë rajon”, tha Sulçebe. Studimi përfshiu, përveç popullatave shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, edhe 10 popullata të tjera ballkanike, 12 popullata europiane dhe 2 aziatike. Përfundimet e këtij studimi vënë qartë në dukje afërsinë gjenetike midis popullsive shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës, duke u nisur nga llogaritja e distancave gjenetike. Pasojnë po nga këndvështrimi i distancave gjenetike popullatat maqedonase, greke, bullgare, kroate, boshnjake, serbe, italiane, rumune dhe turke, të renditura këto sipas rritjes së këtyre distancave. Popullatat e tjera europiane radhiten në distanca më të largëta gjenetike, të cilat në përgjithësi janë në përpjesëtim të drejtë me distancat gjeografike. “Ajo që bie në sy në studimin tonë, është fakti se në rajonin ballkanik përvijohen dy grupe kryesore popullatash.
Në një grup mund të futen popullatat shqiptare, maqedonase, greke dhe bullgare (distancat gjenetike në rritje nga 0.03 në 0.06), ndërsa në një grup të dytë ato kroate, boshnjake dhe serbe (distancat gjenetike nga 0.07 deri 0.08)”, ka sqaruar Genc Sulçebe. Sipas tij, popullatat italiane, rumune dhe turke, me distancë gjenetike respektivisht 0.12, 0.13 dhe 0.15, janë të vendosura më larg në lidhje me popullsinë shqiptare.