Në vitin 1970, kur isha 18 vjeç, si të gjithë djemtë turq që kishin një interes të madh për librat, fillova të shkruaj poezi. Në atë kohë pikturoja dhe studioja arkitekturë, por kënaqësia që më sillnin këto dy aktivitete filloi dalëngadalë të venitej. Gjatë mbrëmjeve pija ndonjë cigare dhe shkruaja poezi. Ishte ajo periudha kur lexova disa poezi që babai im (kur ishte i ri dëshironte të bëhej poet) i mbante të fshehura në një sirtar të bibliotekës së tij. I adhuroja librat e hollë dhe të vjetër të poetëve që në letërsinë turke njihen si autorë që i përkasin brezit të parë, Orhan Veli, Melih Cevdet dhe Oktay Rifat. Ata sollën në poezinë moderne turke gjuhën e rrugës, duke i lartësuar shpirtin, duke refuzuar bindjet formale të gjuhës zyrtare dhe botën shtypëse e autoritare që jehon përsëri. Im atë merrte gjithmonë një nga vëllimet e para të këtyre poetëve dhe na argëtonte duke lexuar me zë të lartë. Shpesh, ndërsa lexonte, merrte një pamje të gëzuar dhe na bënte të besonim se letërsia ishte vërtet një nga thesaret më të çmuara e më të mrekullueshme të jetës. E lashë veten të ndikohesha edhe nga poetët e brezit të dytë, të cilët sollën këtë shpirt përparimtar, duke u shtuar kompozimeve të tyre një përzierje dadaizmi, surrealizmi me motive zbukuruese.
Kur i lexoj tani këta poetë pothuajse të zhdukur (Cemal Sureya, Turgut Uyar, Ilhan Berk), më kujtohet se mendoja që mund të shkruaja njësoj si ata, për shembull siç bëjnë shumë njerëz kur shohin një pikturë dhe mendojnë se mund të realizojnë një të tillë në të njëjtën mënyrë; ose më saktë isha si një artist që duke parë me vëmendje një pikturë mundohet të kuptojë se në ç‘mënyrë është realizuar. Dhe njësoj si ai artisti që mbyllet në dhomë për t‘i dhënë fund kryeveprës së tij, ashtu edhe unë vrapoja menjëherë drejt tryezës për të shkruar poezi.
Në bibliotekën e tim eti ishin edhe librat e parë të publikuar nga Nazim Hikmet në vitet ‘30, para se të burgosej. Mbeta i shokuar nga toni i egër dhe shpresues, nga versioni utopik dhe novacionet formale të frymëzuara te futurizmi rus, nga vuajtjet e këtij poeti, nga vitet që kishte kaluar pas hekurave, nga tregimet mbi jetën e tij në burg, nga ditari dhe letrat e romancierëve të vërtetë si Orhan Kemal dhe Kemal Tahir, të cilët, ashtu si shoku i tyre, kaluan disa kohë në të njëjtin burg.
Ka qenë një periudhë e jetës sime që kam lexuar aq shumë libra "nga burgu", sa e njihja mjaft mirë rutinën e një dite atje brenda (zhargoni i burgut më pëlqente shumë). Ishte njësoj sikur të kisha qëndruar për shumë kohë në burg. Në atë kohë më dukej sikur ndonjë polic më ruante te porta, sikur ndiqesha kudo prej tyre, që telefoni më përgjohej vazhdimisht, që në pamundësi për t‘i takuar u shkruaja letra prekëse të afërmve. Kjo mënyrë jetese që e njihja vetëm sepse kisha lexuar libra të këtij lloji dhe nuk do ta kisha dëshiruar kurrë për veten time, më dukej romantike. Kur 30 vite më vonë u përballa me të njëjtat probleme, u ngushëllova duke kujtuar se problemet e mia ishin më të thjeshta krahasuar me ato të shkrimtarëve të tjerë.
Më vjen keq që nuk kam arritur ta fshij nga kujtesa idenë e vlefshme të iluminizmit, sipas të cilit librat ekzistojnë për të na përgatitur për jetën. Ndoshta kjo varet nga fakti se jeta e një shkrimtari në Turqi tregon se është kështu. Gjithashtu mund të lidhet edhe me faktin se në atë kohë Turqisë i mungonin ato libraritë e mëdha, në të cilat mund të gjesh çdo lloj libri që dëshiron. Në librarinë imagjinare të Borges, çdo libër tregon një aspekt të jetës dhe vetë biblioteka ofron sugjerime poetike dhe metafizike pafund, duke pasqyruar ndërlikimin e botës së jashtme. Pas kësaj ëndrre qëndrojnë librari të vërteta, me aq shumë libra sa që s‘mund të numërohen e të lexohen. Borges ishte drejtori i një librarie në Buenos Aires. Kur unë isha i ri, asnjë librari nuk ishte e ngjashme me të. As në Stamboll e as në gjithë Turqinë nuk kishte një të tillë, dhe për sa u përket librave të huaj nuk shiteshin në asnjë librari. Nëse dëshiroja të mësoja gjithçka që duhej mësuar dhe të bëhesha një njeri i mençur, duke shfletuar edhe letërsinë kombëtare, duhej medoemos të krijoja një bibliotekë tepër të madhe.
Mes viteve 1970 dhe 1990 shqetësimi im kryesor pas shkrimit të veprave ishte blerja e librave për të mbushur bibliotekën. Dëshiroja të përfshija të gjithë librat që mendoja se ishin të rëndësishëm dhe të vlefshëm. Babai im më ndihmoi ekonomikisht. Kur isha 18 vjeç e kisha zakon që një herë në javë të blija një libër te Sahaflar, tregu i vjetër i librave i Beyazit. Kam kaluar orë pafund dhe ditë të tëra në ato dyqane të vogla duke kërkuar librat e duhur. Shumë i kam blerë në një barakë të vogël ku shiteshin libra të dorës së dytë. I kam kontrolluar të gjithë një e nga një, më pas zgjodha librin historik që fliste për marrëdhënien mes Suedisë dhe Perandorisë Osmane në shekullin XVIII, ditarin mjekësor të spitalit "Bakirkoy" për të çmendurit, reportazhin e një gazetari që kishte parë me sytë e tij një grusht shteti të dështuar, një monografi mbi monumentet otomane të Maqedonisë, përmbledhjet e shkrimeve turke të një udhëtari gjerman i ardhur në Stamboll në shekullin XVII, opinionet e një profesori nga Fakulteti i Mjekësisë mbi shqetësimet maniako-depresive dhe prirjet ndaj skizofrenisë, një libër i ilustruar propagande dhe i publikuar nga departamenti i qeverisë së Stambollit në vitet ‘40, i cili tregonte bardhezi të gjitha ndërtesat dhe parqet e vendit.
Pasi negocioja me librashitësin për çmimin e librave, do t‘i merrja me vete të gjithë. Në fillim koleksionova klasikët e botës dhe letërsisë turke. Në atë moment mendova se do t‘i lexoja të gjithë, pikërisht siç kisha bërë dhe bëja me klasikët. Por kur nëna ime, e cila ishte shumë e shqetësuar për mua sepse mendonte se lexoja shumë, më pa duke sjellë në shtëpi më tepër libra nga ç‘mund të lexoja, më tha me zë të lodhur: "Për pak kohë mos sill libra të tjerë në shtëpi, të paktën deri sa të kesh mbaruar këto". Nuk blija libra si një koleksionist, por si një person i dëshpëruar, që mundohet të kuptojë se pse Turqia ishte aq e varfër në atë kohë dhe pse kishte kaq shumë telashe. Kur isha 20 vjeç dhe miqtë e mi erdhën për të më vizituar në shtëpinë ku jetoja me prindërit dhe më pyetën se përse blija aq shumë libra, kur pjesa më e madhe e shtëpisë ishte e zënë prej tyre, nuk isha në gjendje t‘u jepja një përgjigje të saktë. Gjatë viteve pasardhëse, gjithmonë kur dikush më ka pyetur: "Zoti Orhan, i keni lexuar ndonjëherë të gjithë librat e bibliotekës suaj?", pa dashur të mburrem jam përgjigjur: "Po, por edhe nëse nuk do të kishte ndodhur e kundërta, jam i sigurt se nuk do të më linte rehat ‘krimbi‘ pa i lexuar". Gjithmonë kam thënë të vërtetën. Kur isha i ri, raporti im me librat ishte i limituar nga optimizmi tipik i një njeriu pragmatist, i cili mendon se ka nën kontroll të gjithë botën përveç të mësuarit. Besoja se një ditë do ta pasqyroja gjithë edukatën time në një roman. Tek unë jeton diçka, njësoj si te protagonisti i "Le Nausée"- novelë e shkrimtarit Jean Paul Sartre -i cili i lexonte të gjithë librat e bibliotekës së tij nga A-ja deri te Z-ja, dhe Peter Klein, protagonisti i librit të Elias Canetti, "Auto da fé", një njeri jashtëzakonisht krenar për librat e tij.
Për mua biblioteka borgjeze nuk është fantazia metafizike e një bote të pafundme, është biblioteka që e ka krijuar me kalimin e viteve, libër pas libri, në shtëpinë time në Stamboll. Çdo libër e kam blerë pa u kursyer. Tani, pas gjithë këtyre viteve, e kuptoj se sa të lumtur kemi qenë ato pak orë që qëndronim nën shoqërinë e librave e duke shijuar çajin e ngrohtë që na ofronin.
Gjatë 35 viteve punë për të shkruar romanet e mi, kam mësuar të mos qesh me romanet e të tjerëve, të mos i lë mënjanë, sado të dalë jashtë mode apo të pavlerë të jenë. Sekreti i dashurisë për këta libra është t‘i lexosh me kujdes dhe kureshtje, duke u vënë në rolin e autorit.
Vetëm pas të dyzetave e kam kuptuar se arsyeja më e fortë për ta dashur dhe vlerësuar bibliotekën time ishte se as turqit e as perëndimorët nuk e njihnin. Por tani më thonë: "Ke fituar çmimin ‘Nobel‘ dhe këtë vit Turqia është e ftuar nderi në Panairin e Librit në Frankfurt. Mund ta përshkruani bibliotekën turke"? Jam gati për ta bërë dhe gjithashtu t‘i bëj edhe të tjerët që ta duan bibliotekën turke, por ndërsa përpiqem të bëj atë që më është kërkuar, kam frikë se mos ndoshta dashurohem unë më shumë se të tjerët.
Gazeta: Shqip