Gjeografia e tmerrit

Gjeografia e tmerrit
“Bloodlands”, libri që ka ngjallur debate mes historianëve, trajton masakrat e ndryshme si fytyra të të njëjtit fenomen. Në Amerikë është konsideruar si libri i vitit 2010, për debatin që ngjalli mes historianëve më në zë, por edhe për pikëpamjen me të cilën trajton shumë çështje të nxehta të historisë. “Tokë të përgjakura. Europa në morsën e Hitlerit dhe Stalinit”. Autori është një profesor i Yale-s, pak më shumë se 40 vjeç, Timothy Snyder, i specializuar në historinë e Europës. Cili është kontributi i tij? Për herë të parë ka zgjedhur të tregojë një histori, ashtu siç nuk e ka bërë askush më parë në fushën e historiografisë. Ose më mirë ka zgjedhur të analizojë në një “kornizë” të vetme mizoritë e të dyja regjimeve, deri më tani të studiuara veçmas.

Kjo është historia e “Bloodlands”, ose më mirë e tokave të shkatërruara nga furia naziste dhe staliniste mes viteve 1933-1945. Një territor i kufizuar jo vetëm nga kufijtë politikë, por nga gjeografia e viktimave, me pak fjalë “vendi ku regjimet më kriminale të Europës vepruan në mënyrën më mizore”. 14 milionë të vdekur, në më pak se dhjetë vjet, fryt i politikës së shfarosjes së Hitlerit dhe Stalinit.

Një hartë e përgjakur që nga Polonia Qendrore, u shtri në Rusinë Perëndimore, përfshi këtu edhe Bjellorusinë, Ukrainën dhe shtetet baltike. Histori personash të vrarë jo vetëm nga lufta, por edhe nga strategjitë e kthjellëta të masakrës. “Asnjë nga 14 milionë të vrarët nuk ishte ushtar në shërbim. Pjesa më e madhe ishin gra, fëmijë dhe të moshuar. Kryesisht hebrenj, bjellorusë, ukrainas, polakë, rusë dhe baltikë”. Persona të paarmatosur, shpesh të privuar nga gjithçka, madje edhe nga veshjet.

“Katastrofa më e madhe në historinë e botës perëndimore”, thotë Snyder, që i “fotografon” të dyja regjimet totalitare në analogjitë e tyre djallëzore. “Hitleri dhe Stalini ndanin një lloj politike tiranie: provokuan katastrofa, shkarkuan tek armiku përgjegjësinë e vendimeve të tyre, pastaj përdorën vdekjen e miliona personave për të treguar se politikat e tyre ishin të nevojshme apo të dëshirueshme”.

Profesor Snyder, ju bëni bashkë historinë naziste dhe atë sovjetike, duke na treguar gjeografinë e panjohur të “Bloodlands”. Një perspektivë origjinale në fushën historiografike. Si u realizua?

Ajo që duhet t’ju habisë nuk është konkluzioni im origjinal. Kushdo që ka jetuar në ato toka, në ato vite, nën morsin e nazistëve dhe sovjetikëve ndihet i detyruar të bëjë krahasimin mes dy regjimeve. Ajo që të befason është se ne, ende sot i mbajmë të dyja regjimet të ndara dhe i analizojmë ashtu. Kjo na pengon për të parë përmasat e vërteta të tmerrit.

Duket sikur ju kërkoni t’i jepni zë viktimave të kontestuara nga kujtimet dhe ideologjitë e ndryshme...

Vrasja e 14 milionë personave civilë është një tragjedi e madhe që kërkon një përpjekje serioze për t’u shpjeguar. Sigurisht është e vështirë të kuptosh politikën e shfarosjes së dy regjimeve apo zinë e bukës së provokuar nga Stalini në fillimin e viteve ‘30 në Ukrainë. Terrorin e madh mes viteve ‘37 dhe ‘38, agresionin gjermano-sovjetik ndaj klasave të larta polake mes viteve ‘39-‘41. Tre milionë të burgosurit sovjetikë që u lanë të vdisnin urie nga sovjetikët. Qindra mijëra civilë të vrarë në reprezaljet naziste. Në fund, Holokausti. Nuk kuptohen tërësisht shkaqet e disa prej këtyre vrasjeve masive dhe se në çfarë mënyre mund të lidhen reciprokisht.

Çfarë do të thotë kjo?

Le të marrim Holokaustin, katastrofën më të madhe të njerëzimit. Shfarosja e hebrenjve zuri vend në ato territore, ku më shumë se 8 milionë hebrenj u vranë kur Hitleri ishte në pushtet. Edhe pa Holokaustin, ky do të kishte qenë katakombi më i madh i historisë së Europës. A mund ta kuptojmë Holokaustin pa njohur këtë bekgraund? Mendoj që jo. Deri më sot asnjë sagë, përveç kësaj simes, nuk e tregon këtë pjesë themelore të realitetit.

Ju nënvizoni shumë ngjashmëri mes dy regjimeve totalitare. Me këtë doni të sugjeroni edhe një ekuivalencë morale mes Hitlerit dhe Stalinit?

Jo, sigurisht që jo. Në librin tim, pjesa kryesore u kushtohet jetëve njerëzore dhe veçantive. Regjimi nazist, për shembull, shkaktoi dyfishin e viktimave të diktaturës sovjetike. Ajo çka është më e rëndësishme është se nazizmi planifikoi të vriste një numër personash shumë herë më të madh se ata që likuidoi. Por duhet të kemi kujdes për të trajtuar problemet morale.

Kujt i referoheni?

Duhet të njohësh mirë historinë. Diktatura staliniste ishte më e keqe se sa mendohet. Cili regjim realizoi shfarosjen e parë në masë me karakter etnik? Ishte ai sovjetik, në operacionet kombëtare të viteve 1937-1938, që vrau rreth 250.000 persona. I njëjti reflektim mund të bëhet për regjimin nazist: kush nuk i kujton sot tre milionë ushtarët sovjetikë, që vdiqën nga uria në kushte të paimagjinueshme? Askush.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama