BESNIK DIZDARI
Në të vërtetë, Renditja e "ime" e deritashme, së cilës i mungojnë dy mëtuesit e titullit, Franca dhe Por tugalia, është jo pak befasuese me Uellsin në vendin e tretë, para Gjermanisë, apo me Spanjën në vendin e 14- të, gati afër Shqipërisë. Vështrojeni:
E vërteta tjetër është se ka e pakta 20 vjet që Kupa e Kombeve të Europës "Henri Delaunay" - ndryshe Kampionatit Europian 2016, qëndron thuajse e palëvizshme në brigjet Atlantike të atij që njihet si Kontinenti i Vjetër, Europa pra.
Kjo është gjeopolitika Atlantike e Europianit. Është një vijë oqeanike që nis në Ngushticën e Gjibraltarit (e falë "zemërgjerësisë" së UEFA-s e FIFA-s, tash ka edhe ajo Kombëtaren e vet pa qenë shtet) prek bregdetin portugez, mandej atë spanjoll, pra pjesën oqeanike të Pirinejve, vjen e ngjitet në Francë dhe mbërrin deri në La Mansh.
Dhe po qëndroj deri këtu për të mos shkuar atje përtej, në Detin e Veriut, te Holanda e Gjermania, apo dhe te Danimarka që gjithashtu janë "rrëmbyese" të Kupës së Kombeve, por në sferën joatlantike.
Natyrisht nuk merrem as me Anglinë shpikëse mitike për futbollin botëror, sepse ajo nuk ka fituar deri më sot asnjë Kampionat Europian.
Dhe kështu, me përcaktimin drejt fundores së madhe të 10 korrikut 2016 të "Stade de France" në Saint Denis afër Parisit, që është dyshja Portugali- Francë, futbolli europian përforcon gjeopolitikën e tij Atlantike.
Dihet që në dy edicionet e fundit ka fituar Spanja, pra gadishulli Iberik. Kësaj radhe kërkon Portugalia - pjesë po e gadishullit Iberik. Çka një fitore e saj e bën këtë gadishull të paprekshëm, sundues si dikur, që nga Meksika e deri në Peru e Argjentinë ("El imperio en el que nunca se pone el sol" - "Perandoria ku nuk perëndon kurrë dielli") e deri te Brazili i Portugalisë.
Ngjitur me ta është fqinji i tyre, Franca. Madje, më e fuqishme se sa krejt futbolli portugezo-spanjoll. Mënjanoi kampionen e botës në fuqi, Gjermania, edhe pse nuk luajti më mirë se ajo, por falë dy episodeve, siç tha trajneri gjerman Low.
Dihet, futbolli po aq sa përcaktohet prej përmbajtjes tanësore të një ndeshjeje, po aq përcaktohet prej episodeve të veçuar. Dhe në Kupën e Kombeve të Europës jorrallë episodet kanë qenë më vendimtare se sa vetë përmbajtja e ndeshjeve.
Madje, sportive dhe politike. Më 1960 ka fituar BRSS edhe prej një episodi të paprecedentë politik: tërheqja e Spanjës prej Gjeneralit Franko.
Më 1968 prej një monedhe ("turrë a jazë" , siç thuhet në shqipen e barbarizmave) që u përdor mbas 0-0 të Itali-BRSS që çoi Italinë te Kupa në dëm të sovjetikëve. Kapiteni Facchetti kërkoi "turrë". Monedha ra në bar, qëndroi paksa vertikalisht, mandej drejt e për në "turrën" e Facchetti-t! Më 1976 ishin episodet e pamëshirshme të 11-metërshave në të mirë të Çekosllovakisë.
Më 1992, Danimarka falë përjashtimit të Jugosllavisë. Më 1996 dhe 2000 falë atij që quajt "goli i Artë", shënimi i të cilit ndërpreu ndeshjen sapo tundën rrjetën Gjermania e Franca. Janë vërtet shumë...
E, të enjten në mbrëmje falë një 11-metërshi "fantazmë" që do të marrë vite diskutimesh, ndonëse topi në grushtin e Schweinsteiger-it ishte krejt i qartë.
Por paksa edhe në sajë të shqiptaro-gjermanit me emrin Shkodran, i cili iu dorëzua teknikës së lartë të njërit prej lojtarëve më të mirë të botës: Paul Pogba! Dhe kështu, për bukur 20 vjet, brigjet e Atlantikut "mbajnë peng" futbollin europian të kombeve. Kryesisht Spanja (2008 e 2012) dhe Franca (2000 e ndoshta edhe 2016), shto Portugalinë (2016).
A është pra e vërtetë, se Bregu Europian i Atlantikut luan futbollin më të mirë, më të fortë, më të bukur në Europë që po sundon kësisoj?...
Për fat, monotonisë së këtij sundimi një herë i ka hyrë në mes Ballkani. Ka qenë 2004. Ka qenë Greqia, fqinja e Shqipërisë, të cilën më 1964 kjo Shqipëri, falë mospranimit grek, e ka eliminuar prej kësaj Kupe të Kombeve me vendim tryeze si me Serbinë për 2016-tën.
Tjetër nuk ka. Më 1960 këtu, pranë brigjeve Atlantike, në Paris kishte triumfuar futbolli i shteteve komuniste: BRSS-Jugosllavia 2-1. Dhe 16 vjet më vonë, më 1976, Çekosllovakia po komuniste, madje e pushtuar prej Bashkimit Sovjetik. Dhe vetëm kaq. Mandej deri sot e kësaj dite - vetëm Perëndimi kapitalist.
Europa prej dekadash ka humbur futbollin e pjesës qendrore të saj, atë danubian të një Hungarie të paarritshme. Ka "humbur" edhe futbollin holandez, para të cilit në 24- shen europiane datuar 2016, shkoi Shqipëria dhe jo ai.
Ka humbur Anglinë. E prej vitesh ka humbur edhe atë që quhej Jugosllavia e Titos - dy herë finaliste e një herë tjetër edhe në katërshe. E kujtoni se një herë atje e pat çuar Shqipëria mbas barazimit zâmadh 0-0 me Gjermaninë! Europa po ruan kështu, me besnikëri futbollin e brigjeve Atlantike të saj. Kjo tashmâ është krejt e sigurt edhe për vitin 2016. Si të fitojë Franca, si të fitojë Portugalia.
Edhe pse as njëra e as tjetra nuk shfaqën një futboll spektakolar. Shfaqën fitore të çmueshme, sidomos Franca plot 5 të tilla në 6 ndeshje, që linden mû prej episodeve pra.
Ndërkaq, 2 metra e 63 centimetra ishte lartësia përtej logjikës së futbollit që arriti në goditjen e tij me krye fenomeni Cristiano Ronaldo në golin vendimtar kundër Uellsit.
Dy gola në një ndeshje shënoi Antoine Griezmann - i një mbiemri më shumë gjerman se sa francez - sa falë mjeshtërisë së tij, po aq falë gabimeve gjermane. Normale e gjitha kjo, megjithatë.
Sepse mbrenda një goli të shënuar gjithmonë ka një meritë dhe një gabim. Futbolli është një lojë e meritave dhe e gabimeve të lidhura ngushtësisht midis tyre. Sidomos në këtë Europian 2016, kur futbolli nuk paraqet asgjë të re, ndoshta asgjë të veçantë, por vetëm zgjerimin me 24 skuadra - çka iu dha mundësi edhe pesë shteteve të tjerë të mbërrinin për herë të parë: Shqipëria, Uellsi, Irlanda e Veriut, Islanda, Sllovakia.
Dy prej të cilëve (Uellsi e Islanda) në 8-shen më të mirë. Madje njeri (Uellsi) - i treti në Europë! Kjo po është risia befasuese e kampionatit. Pa harruar se as njeri dhe as tjetri nuk ia arrijnë të cenojnë sadopak gjeopolitikën Atlantike të Europianit. I ngushtuar kësisoj gjeopolitikisht, edhe pse iku Spanja, gadishulli Iberik dhe zgjatësi e tij, ai Transalpin, janë aty, të palëvizshëm tash 20 vjet.
Ndoshta çudia është se kësaj radhe ka dy përfaqësues, të cilët i janë larguar tejet traditës së futbollit të tyre. Nuk është një Portugali "afro-braziliane" e Eusebios dhe as një Francë sulmuese e një Kopa apo e një Fonteni - dikur të dyja të përfshira prej gëzimit të madh që sjell futbolli i 90 minutave sulmuese, plot driblime e befasina të pashlyeshme. Tash është futbolli global i një taktike racionale, që ka qëndresën e fortë në gjysmëfushë, sulmin gradual dhe shpërthimet e rralla kur mbërrihet te porta.
Nuk ia vlen të entuziazmohemi fort. Futbolli e ka mendjen te paratë që, për fat të keq, kanë hyrë pa mëshirë edhe në terminologjinë e transmetimeve radiotelevizive, teksa përmenden orë e çast në dëm të aftësisë për të përshkruar bukurinë e një goli apo të një aksioni.
Dhe e patë sa me aftësi ditën ta ruanin me këtë tip futbolli, fitoren si Portugalia po ashtu dhe Franca. Me filozofinë ndoshta të re që thotë: "Mirë se vjen në fushën time, por përballë ke një mbrojtje me 8-9 veta".
Catenaccio italiane ka vdekur vërtet, por çuditërisht gjithnjë e më fort po shfaqen mënyra të reja të interpretimit të saj. Madje, deri te debutuesja "e vogël" me emrin Shqipëri.
Vetëm 2.14 gola është mesatarja për ndeshjet e Kampionatit. E dyta më e ulët në histori. Ndoshta do të shpërthejnë golat më 10 korrik në "Saint Denis"!...